Lajme
“Sanksione para dialogut” | Pasi e amnistoi për sulmin terrorist në Banjskë, Kurti pranon ta takojë Vuçiqin pa kushte
Demokracia
19:50 | 24 Tetor 2023

Share:

Bashkimi Evropian ka konfirmuar sot se gjatë javës pritet të zhvillohet një takim ndërmjet udhëheqësve të Kosovës dhe Serbisë. 

Peter Stano, zëdhënës i BE-së, e ka konfirmuar se BE-ja tashmë i ka ftuar për takim kryeministrin kosovar Albin Kurti dhe presidentin serb Aleksandar Vuçiq lidhur me dialogun.

Ndonëse Qeveria e Kosovës nuk e ka konfirmuar ende pjesëmarrjen në takim, kryeministri Albin Kurti duket se i ka harruar kushtet që i kishte paraqitur për t’u kthyer në tavolinën e bisedimeve me Serbinë, pas sulmit terrorist ndaj Policisë së Kosovës në veri, më 24 shtator, ku mbeti i vrarë rreshteri Afrim Bunjaku, shkruan Demokracia.com.

Madje, Kurti si parapërgatitje për të shkuar në dialog, dje e amnistoi presidentin serb Aleksandar Vuçiq nga përgjegjësia për sulmin në Banjskë, duke e akuzuar si përgjegjës ministrin serb Millosh Vuçeviq dhe Klanin e Novi Sadit.

Lexo edhe: 

Albin Kurti e amniston Vuçiqin, thotë se prijësi i grupit terrorist të Radojçiqit është Millosh Vuçeviq

Kurti kishte thënë se nuk do të kthehet në dialog, pa ndëshkimin e Serbisë pas këtij sulmi, shkruan Demokracia.com.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se për të vazhduar dialogu me Serbinë fillimisht duhet të ndërmerren disa hapa.

Pas takimit me senatorët amerikanë, Jeanne Shaheen dhe Peter Welch, ai ka thënë se dialogu i ndërmjetësuar nga BE-ja nuk mund të vazhdojë sikurse nuk ka ndodhur asgjë më 24 shtator.

Në një konferencë për medie me senatoren Shaheen, Kurti ka thënë se për të pasur sukses procesi i dialogut për normalizim duhet të ndërmerren disa hapa.

“Gjithashtu i njoftova senatorët se dialogu i lehtësuar nga BE-ja nuk mund të vazhdojë thuajse nuk ka ndodhur asgjë, nuk mund të vazhdojmë punën në këtë staus quo edhe më tutje. Kapitulli i dialogut duhet të marrë parasysh edhe veprimet sulmuese e agresive të Serbisë dhe përpjekjet e saj për aneksimin e Kosovës. Prandaj, duhet të ndërmerren një varg hapash që dialogu të këtë edhe një shans për të pasur suksese. Besoj se është tepër e rëndësishme që të kemi një qasje të balancuar, përfshirë atë që të dënohet çdo shkelje e marrëveshjes bazë të arritur më 22 shkurt në Bruksel dhe aneksit për zbatim të Ohrit”, ka thënë Kurti.

Lexo edhe:

Kurti ua prezanton senatorëve amerikanë formulën kushtëzuese “që dialogu të ketë edhe një shans për sukses”

Ai ka bërë thirrje që të dënohen sulmet e fundit të Serbisë mbi Kosovën.

Në të kundërtën, sipas tij, sulmet e tilla mund të përsëriten.

“Institucionet e inteligjencës kanë vërejtur se ka pasur një rritje të rrezikut të sulmeve nga Serbia. Unë jam kryeministër i të gjithë qytetarëve të Kosovës, të gjitha komuniteteve të vendit tonë, prandaj të gjitha këto përpjekjet për destabilizim duhet të ndërpriten tani. Është koha që Serbia të mbetet përgjegjëse, përndryshe këto sjellje agresive do të vazhdojnë edhe më tutje”, është shprehur Kurti.

Të njëjtin qëndrim e ka shprehur edhe Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani.

Para fillimit të takimit të Komunitetit Politik Evropian, i cili është mbajtur javën e kaluar në Granada të Spanjës, presidentja Osmani kishte thënë se pa sanksionimin e Serbisë nuk ka arsye të vazhdohet procesi i dialogut.

“Nuk ka arsye për tu takuar para se të vendosen sanksione kundër (Aleksandar) Vuçiqit, sanksionet fillimisht e më pas mund të diskutojmë për të tjerat”, është shprehur Osmani.

Lexo edhe: 

“Çdo kusht apo vonesë është e papranueshme” | Kushtëzimet e kota të Osmanit e Kurtit për rikthimin në dialog me Serbinë pas “24 shtatorit”

Pavarësisht qëndrimeve të Kosovës, Bashkimi Evropian ka kërkuar rikthim të menjëhershëm të palëve në procesin e dialogut.

Zyrtarët e BE-së kanë bërë me dije se Kosova dhe Serbia nuk kanë rrugë tjetër për zgjidhjen e problemeve pos dialogut./Demokracia.com/

Të ngjashme