OpEd
Rusia po bëhet një shtet globalisht i përbuzur
Demokracia
13:51 | 15 Maj 2022

Share:

Nga Alastair Kocho-Williams “The Conversation”

Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e tyre evropianë, deklaruan kohët e fundit se po planifikojnë të kenë një qasje të re në marrëdhëniet e tyre me Rusinë: Pas pushtimit të Ukrainës, ato do të izolonin dhe mbanin nën kontroll të rreptë këtë vend.

Një veprim i tillë do ta mbajë Rusinë jashtë organizatave ndërkombëtare, do të kufizojë importet dhe eksportet, si dhe do të parandalonte fushatat e mëtejshme ushtarake, duke e dobësuar përfundimisht këtë vend. Por ky lloj trajtimi ndaj Rusisë nuk është ndonjë gjë e re për vendet perëndimore.

Ndërsa Rusia aktualisht është më e izoluar ekonomikisht dhe politikisht se sa ka qenë ndonjëherë, ajo nuk e ka për herë të parë këtë gjë. Duke parë historinë e 100 viteve të fundit, është e qartë se periudha midis viteve 1992-2001, kur Rusia përqafoi vlerat e Perëndimit, dhe u afrua nga ky i fundit, përbën një përjashtim.

Për pjesën më të madhe të shekullit XX-të dhe fillimit të shekullit XXI-të , Rusia ka qenë një fuqi e frikshme, të cilën Perëndimi ka synuar që ta frenojë. Tani Perëndimi po i rikthehet një strategjie që më parë ka qenë efektive në frenimin e Moskës.

Pas Revolucionit Rus të vitit 1917, Rusia, si pjesë e Bashkimit Sovjetik të sapoformuar, e pa veten të izoluar nga kombet e tjera. Një shtet revolucionar që përkrahte një ideologji të revolucionit mbarëbotëror, kërcënonte seriozisht fuqitë e tjera.

Ai izolim mori shumë forma. Rusia nuk ishte nënshkruese e Traktatit të Versajës, më i rëndësishmi ndër disa traktate që i dhanë fund Luftës së Parë Botërore. Ajo nuk ishte anëtare e Lidhjes së Kombeve, organizatë e themeluar pas Luftës së Parë Botërore për të zgjidhur mosmarrëveshjet midis kombeve.

Për më tepër deri në vitin 1934, Rusia nuk kishte asnjë marrëveshje për tregtinë e jashtme, dhe deri në vitin 1924 nuk ishte e njohur plotësisht nga fuqitë e tjera të mëdha. Si një shtet revolucionar i izoluar, që e pa veten të rrethuar nga armiqtë, Bashkimi Sovjetik i radikalizoi pikëpamjen e tij për botën.

Ndërsa e ashtuquajtura Aleanca e Madhe e SHBA-së, Britanisë së Madhe dhe Bashkimit Sovjetik gjeti një kauzë të përbashkët tek lufta kundër Gjermanisë naziste gjatë Luftës së Dytë Botërore, marrëdhënia nuk ishte asnjëherë komode.

Ajo u prish me shpejtësi pas luftës, pasi të tria fuqitë e mëdha u përqendruan në sferat e tyre përkatëse të interesit jetik, dhe shprehën pikëpamje të ndryshme për botën e pasluftës. Pas Luftës së Dytë Botërore, SHBA-të donin krijimin e qeverive demokratike në Evropë. Ndërkohë sovjetikët synonin të vendosnin regjime komuniste në Evropën Lindore.

Për të mbajtur nën kontroll ambiciet e Rusisë, ajo që u quajt si “doktrina e frenimit” u bë politika kryesore e pasluftës. Ajo u artikulua kryesisht nga diplomati amerikan Xhorxh Kenan në një kabllogram të vitit 1946 drejtuar Uashingtonit nga ambasada amerikane në Moskë, dhe i botuar më vonë në revistën “Foreign Affairs”.

“Është e qartë se elementi kryesor i çdo politike të Shteteve të Bashkuara ndaj Bashkimit Sovjetik, duhet të jetë ai i një kontrolli afatgjatë, të durueshëm, por të vendosur dhe vigjilent ndaj tendencave ekspansive ruse”- shkroi Kenan.

Kenan shkroi se Perëndimi nuk do të gjente dot një mënyrë për të bashkëjetuar me Bashkimin Sovjetik, dhe se fuqia sovjetike nuk mund të kontrollohej nëpërmjet logjikës apo arsyes, por mund të ndikohej vetëm përmes logjikës së forcës.

Ai rekomandoi përdorimin e mjeteve politike dhe ekonomike për të frenuar fuqinë sovjetike, dhe potencialisht për ta detyruar atë të tërhiqet nga ambiciet e veta. Apeli i Kenan për frenimin e Bashkimit Sovjetik, u pasua nga veprime konkrete nga ana e qeverisë amerikane.

Doktrina Truman e vitit 1947, kërkonte që SHBA të ndihmonte në rindërtimin e ekonomive të shkatërruara të pasluftës në Evropë, në mënyrë që komunizmi të mos bëhej tërheqës për ato vende. Atë qasje e zbatoi Plani Marshall, që e zgjeroi ndihmën ekonomike në Evropën e pasluftës.

Ai ndihmoi në rigjallërimin e industrisë evropiane, dhe i hapi rrugën integrimit evropian. Ndihma e Planit Marshall, e cila arriti në 155 miliardë dollarë me kursin e sotëm, iu ofrua të gjitha vendeve evropiane, përfshirë Bashkimin Sovjetik.

Por sovjetikët e refuzuan ofertën, dhe i detyruan vendet e Evropës Lindore nën ndikimin e tyre që të bënin të njëjtën gjë. Sovjetikët u kundërpërgjigjën me krijimin në vitin 1947 të Cominform, një bllok i partive komuniste të udhëhequra nga sovjetikët që synonte të mposhtte atë që e shihte si imperializëm perëndimor të udhëhequr nga SHBA-ja dhe çimentimin e sundimit partiak në vendet anëtare.

Ndërkohë në vitin 1949, u krijua organizata ekonomike e vendeve komuniste, COMECON. Rezultati ishte ndarja e qartë e Evropës në dy sfera ekonomike dhe politike, duke e izoluar bllokun sovjetik nga Perëndimi. Tek vendet perëndimore u shtua shqetësimi për një përplasje të mundshme ushtarak me Bashkimin Sovjetik.

Kjo çoi në formimin e Organizatës së Traktatit të Atlantikut të Veriut, ose NATO-s, në vitin 1949 si pjesë e masave për të frenuar ushtarakisht Bashkimin Sovjetik. Një vit më vonë, Departamenti Amerikan i Shtetit propozoi një politikë të re.

Një raport top-sekret i njohur si  “NSC-68”, e vinte theksin tek përdorimi i forcës ushtarake mbi diplomacinë në raport me fuqinë sovjetike. Presidenti Herri Truman e nënshkroi NSC-68 në shtatorin e vitit 1950. Ajo mbeti politika e SHBA-së deri në fundin e Luftës së Ftohtë në vitin 1991.

SHBA-ja dhe partnerët e saj punuan për ta izoluar fuqinë sovjetike përtej Evropës, përmes krijimit të Organizatës së Traktatit të Azisë Juglindore në vitin 1954, dhe përmes përpjekjeve për të mbështetur regjimet jo-komuniste në Amerikën Latine, Azi, Lindjen e Mesme dhe botën në zhvillim gjatë dekadave në vijim.

Efektet e izolimit të Bashkimit Sovjetik gjatë Luftës së Ftohtë, u bënë më se të qarta kur ekonomitë sovjetike dhe të bllokut lindor mbetën prapa atyre të Perëndimit, sidomos në prodhimin e mallrave të konsumit që në vitet 1950.

Izolimi solli forcimin e propagandës shtetërore, shtypje të disidencës, censurë, një media të kontrolluar nga shteti, dyshime ndaj të huajve dhe një shoqëri që synohej të ishte e papërshkueshme nga ndikimi i huaj.

Për më tepër, frenimi i militarizuar ndaj Bashkimit Sovjetik nga ana e Perëndimit, shkaktoi një garë të kushtueshme të armatimeve, si bërthamore po ashtu edhe konvencionale, e cila pati efekte të dëmshme në ekonominë sovjetike, sidomos duke nisur që nga fundi i viteve 1970. Ato kontribuan edhe në shpërbërjen e Bashkimit Sovjetik në vitin 1991. Në vitin 2022, Perëndimi po i kundërpërgjigjet agresionit rus siç e ka bërë më parë, përmes zbatimit të politikave të izolimit dhe frenimit, për ta frenuar dhe dobësuar fuqinë ruse.

Të ngjashme
OpEd • 23 Prill 2024