Intervista
Rudina Xhunga rrëfen takimin e fundit me Zamir Dulen: Ra në depresion pas dhunës shtazarake…
Demokracia
12:46 | 06 Prill 2024

Share:

Gazetarja Rudina Xhunga në një lidhje telefonike në emisionin “Breaking” me Xhoi Malësian në Top News ka rrëfyer takimin e fundit që pati me Zamir Dulen, gazetarin e kronikës së zezë që ndërroi jetë një ditë më parë.

Gazetari ndërroi jetë në një spital privat në Tiranë, ku ndodhej i shtruar pas ndërhyrjes kirurgjikale së cilës iu nënshtrua. Dule do të prehet në vendlindjen e tij në fshatin Miras të Korçës, ndërsa lajmi i hidhur është mësuar nga familjarë të të ndjerit.

“Ngushëllime familjes, unë e kam takuar në Miras me nënën, nuk e harroj kurrë nënën e tij. Ishte një kohë me idealist dhe ambiciozë, Zamiri ishte nga atë të tillë, ishte ambicioz dhe idealist. Ishin kohë që nuk mund t’i shpjegosh dot, unë isha gazetare kulture në kohën kur Zamiri ishte gazetar i kronikës. Ishim në të njëjtat zyra, në të njëjtat mbledhje, në të njëjtat biseda, në të njëjtat tavolina. Unë nuk e dija që Zamiri, pasi të gjithë iknin në shtëpi, ai flinte në redaksi, nuk e kam ditur këtë gjë, e kam mësuar vetëm ditën kur jam kthyer në redaksi, ka qenë data 4 mars dita kur pashë kompjuterin tim të djegur, një prej shumë kompjuterave të Kohës.

Ai u mor me vete në polici, u keqtrajtua dhe u dhunua në atë mënyrë në të cilën nuk u mor vesh kurrë, askush nuk mund të thotë se çfarë ndodhi atë natë, por dimë të themi që pas asaj nate Zamiri përfundoi misionin e tij të gazetarit dhe u kthye tek vetja, të gjithë në një moment frike dhe tmerri, pas këtij reagojmë në mënyra të ndryshme, dikush strehohet në kompromise, dikush në depresion, mesa duket ky ishte fati i Zamir Dules, të strehohej në depresion, pas dhunës shtazarake nga pushteti i Berishës.

Zamiri nuk kishte probleme të shëndetit mendor, ai ishte i tërhequr. Ai nuk donte të fliste më e askënd. Ishte një reagim ndaj gazetës që e pësuan gazetarët, është rrjedhojë e mënyrës se si reagonte qeveria e asaj kohe ndaj medias, represion dhe dhunë, shumë gazetarë e pësuan, të tjerë bënë kompromis, të tjerë shpëtuan”, tha Xhunga.

Në vitin 1994, ai erdhi në Tiranë ku mbuloi po sektorin e kronikës për policinë, prokurorinë dhe gjykatën. Ai arriti kulmin në karrierën e tij në vitin 1996, kur shkroi edhe librin “Përbindëshi i Tropojës”.

Zamiri u tërhoq nga profesioni pasi u dhunua barbarisht nga policia e ish- presidentit demokrat Sali Berisha në marsin e vitit 1997. Ai u shoqërua në polici ku u torturua e për pasojë pati edhe probleme të shëndetit mendor.

Qeveria e kryeministrit socialist Fatos Nano i akordoi gazetarit Zamir Dule pension special, në shenjë vlerësimi për punën në kushte të përndjekjes dhe sidomos për torturimin e tij nga struktura policore.

Pas largimit nga gazetaria Dule u zhvendos në Korçë, ku jetonte me vëllanë në vendlindjen e tij, fshatin Miras të Devollit. Shëndeti i tij është përkeqësuar vazhdimisht.

Të ngjashme