Intervista
Sela: “VLEN” fliste për Kurtin në fushatë dhe harruan partitë e tyre, tash e thërrasin zëshëm emrin e Mickoski-t
Demokracia
18:04 | 01 Maj 2024

Share:

Gjatë gjithë fushatë presidenciale drejtuesit e koalicionit “VLEN” flisnin për Kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti dhe harruan partitë e tyre, tash po thërrasin zëshëm emrin e liderit nacionalist maqedonas të VMRO-DPMNE-së, Hristjan Mickovski.

“Bëhet fjalë për vasalë, e vasali është vasal pa marrë parasysh a i shërben ndonjë politikani shqiptar apo maqedonas, vasaliteti është sëmundje e pashërueshme duke nisur nga Taravari dhe gjithë shokët që i ka në kuadër të atij koalicioni”, shprehet Sela.

Ish-kryetari i Strugës, që me partinë  e tij vendosi t’i bashkohej koalicionit “Fronit Evropian”, për zgjedhjet presidenciale që u mbajtën më 24 prill në Maqedoni të Veriut, ka folur edhe “për puqin” që ia bëri ish-bashkëpunëtori i tij ngushtë, Arben Taravari, meqë iu bashkua koalicionit “VLEN”, si kandidat për president në RMV.

“Tani ai ka humbur me 40 mijë vota. Ka 40 mijë herë arsyeje për t’u larguar nga skena politike. Populli i tregoi me votë që duhet t’i rikthehet profesionit të vet dhe uroj që këtë ta bëjë sa më shpejt, meqë si mjek është i mirë, si politikan jo”, potencoi ai.

Kur pyetet për koalicionin e mundshëm mes VMRO-DPMNE-së dhe koalicionit “VLEN”, ndonëse të njëjtit janë humbës të zgjedhjeve në kampin shqiptar, Sela thotë se nëse shkelet legjitimiteti i shqiptarëve, “mund të ketë de-stabilitet”.

“Për mua skandaloze është aplaudimi dhe vetëkënaqja që krijon tek e ashtuquajtura opozitë shqiptare kjo deklaratë e Mickovskit, meqë kur këta që e përqafojnë këtë ide, sikur i thonë çdo shqiptari që asnjë vlerë nuk ka verdikti i juaj, asnjë vlerë nuk ka se si vendos ti, për sa kohë që për këta vendoska Hristjan Mickoski”, potencoi Sela.

Ndërkaq deklaratën e kandidates për presidente të Maqedonisë së Veriut, Gordana, Siljanovska-Davkovka, se do të propozojë krijimin e një Tribunali Ndërkombëtar për luftën e 2001-së në RMV, mjeku nga Sturga e sheh si prononcim për “politikë ditore”.

“Është një skandal nga zonja Siljanovska që po hap tema të cilat sa i përket Maqedonisë së Veriut dhe stabilitetit të rajonit, duhet të jenë tema që i përkasin të kaluarës. Janë dy dokumente të rëndësishme, një Ligji për Amnisti që i dha fund konfliktit bashkë me Marrëveshjen e Ohrit”, shtoi.

Në këtë intervistë, themeluesi i Aleancës për Shqiptarët shprehet i bindur që në zgjedhjet parlamentare të 8 majit, Fronit Evropian do të marrë më shumë vota se VLEN-i.

“Tani, natyrisht në zgjedhje parlamentare dalja e votuesve shqiptarë do të jetë më e madhe. Fronti Evropian minimumi do të ketë dyfishë e më tepër në raport me VLEN-in”, theksoi ai.

Intervista e plotë me kryetarin e Aleancës për Shqiptarët, Zijadin Sela:

Albanian Post: Zotëri Sela, cila është kundërpërgjigja juaj për deklaratën e kandidates për Presidente të Maqedonisë së Veriut, Gordana, Siljanovska-Davkovka, se do të propozojë krijimin e një Tribunali Ndërkombëtar për luftën e 2001-së në RMV?

Sela: Është një deklaratë që nuk duhet të vijë nga një kandidate që pretendon të jetë presidente e shtetit, sepse duhet të ketë parasysh ecurinë e konfliktit të vitit 2001. Marrëveshjet e arritura në atë periudhë, Ligjin për Amnisti i cili ishte paralelisht i votuar dhe i nënshkruar nga palët asokohe, nga faktori politik shqiptar bashkë me nënshkrimin e Marrëveshjes së Ohrit.

Kështu që, këto lloj deklaratash janë thjeshtë për politikë ditore. Është një skandal nga zonja Siljanovska që po hap tema të cilat sa i përket Maqedonisë së Veriut dhe stabilitetit të Rajonit, duhet të jenë tema që i përkasin të kaluarës. Janë dy dokumente të rëndësishme, një Ligji për Amnisti që i dha fund konfliktit bashkë me Marrëveshjen e Ohrit, por në të njëjtën kohë edhe interpretimi autentik i Ligjit për Amnisti që i mbylli edhe të ashtuquajturat që janë rastet e Hagës dhe që për hir të së vërtetës, interpretimi autentik i Ligjit për Amnisti për vitin 2011 gjatë mandatit qeverisës të VMRO-DPMN-së nga vet subjekti politik nga e cila ka dalë si kandidate Gordana, Siljanovska-Davkovka.

Gjykata Ndërkombëtare në Hagë është deklaruar lidhur me këto pretendime të zonjës Siljanovska. Prandaj, këto raste nuk janë objekt i Gjykatës Ndërkombëtare dhe duhet të zgjidhen në kuadër të shtetit juridik në Maqedoni.

Albanian Post: Lideri i VMRO-DPMNE-së, Hristjan Mickoski, ka deklaruar se qeverinë do ta bëjë me koalicionin “VLEN”, ndonëse të njëjtit janë humbës të zgjedhjeve në kuptimin shqiptar. Si e shihini ju këtë veprim të tij, pra zgjedhjen e partive shqiptare për ti marrë në koalicion, ndryshe nga vullneti i popullit shqiptar?

Sela: Për sa kohë që zgjedhjet akoma pritet të mbahen mund të jetë dëshirë e tij. Në anën tjetër, nëse është serioz në deklarata do të duhet të gjejë përgjigje. Si mendon që ta shkelë legjitimitetin që shqiptarët e shprehin me votë kur kjo mund të prodhojë de-stabilitet të shtetit. Dhe kur rajoni është i destabilizuar dhe po bëhet përpjekje maksimale, meqë de-stabiliteti po shpërndahet në Ballkanin Perëndimor.

Mickovski do duhet të gjejë përgjigjen se si do të sillet dhe si do të jap kontribut në lidhje me stabilitetin që e ka shumë të rëndësishëm Maqedonia e Veriut. Më tepër po e marr si një deklaratë të një kryetari që është në opozitë.

Albanian Post: Po cili do të jetë veprimi i Frontit Evropian nëse një gjë e tillë ndodh?

Sela: Nëse Mickovski do të jetë mandatari dhe paska zgjedhur territorin se ku e shprehin sovranitetin e vet votuesit maqedonas dhe bashkësia etnike maqedonase, duhet të ketë përgjigje që kush është territori që shqiptarët po ashtu si pjesë e sovranitetit dhe sovranit që duhet të shpreh verdiktin e tyre me votë, kush është territori i 30 për qind të shqiptarëve këtu që duhet ta shprehin këtë legjitimitet dhe ti zgjedhin përfaqësuesit e tyre politik. Nëse i ka përgjigjet në lidhje me këto tema, atëherë jemi të gatshëm që të ulemi dhe të bisedojmë.

Tani, cila do të jetë përgjigjja e Frontit Evropian në një variant të tillë, natyrisht që do të jenë mjete demokratike dhe politike, por kuptohet që një gjë të tillë ai nuk do të arrij ta bëjë duke e pasur parasysh që Fronti Evropian do të fitojë bindshëm në zgjedhje dhe Fronti Evropian do të arrij që kuptohet duke i fituar zgjedhjet do të ketë në dorë edhe parimin e bandeterit.

Për mua skandaloze është aplaudimi dhe vetëkënaqja që krijon tek e ashtuquajtura opozitë shqiptare kjo deklaratë e Mickovskit, meqë kur këta që e përqafojnë këtë ide, sikur i thonë çdo shqiptari që asnjë vlerë nuk ka verdikti i juaj, asnjë vlerë nuk ka se si vendos t’i, për sa kohë që për këta vendoska Hristjan Mickoski.

Albanian Post: Ditët e fundit ka pasur deklarata nacionaliste kundër shqiptarëve, sidomos nga lideri nacionalist i VMRO-DPMNE-së, Hristjan Mickovski . A mendon që mund të ketë rrezik për vendin për ndonjë konflikt të ri?

Sela: Deklarime të tilla nuk janë të pëlqyeshme nga një njeri që pretendon të jetë kryeministër. Këto deklarata janë skandaloze dhe natyrisht që secili duhet të mbajë përgjegjësi për deklarimet publike që i bën. Mendoj që më tepër e ka për efekt elektoral, por sido që të jetë nuk duhet të përligjin një lloj sjellje të tillë politike, por përkundrazi duhet kundërshtuar ashpër dhe duhet dënuar.

Këto lloj deklaratash flasin për dy elemente. E para e punës VMRO-ja nuk është e sigurt te fitorja e vet që e proklamon dhe tek rezultatet pas zgjedhjeve dhe kush do të jetë mandatari për të krijuar qeverinë. Dhe prandaj i rritë tonet nacionaliste në mënyrë që ta maksimalizoj votën në kampusin politik maqedonas.

Albanian Post: Në zgjedhjet e 8 majit çfarë rezultati prisni, ngjashëm me atë të 24 prillit apo fitore më të thellë?

Sela: Natyrisht që fitorja në zgjedhjet e 8 majit do të jetë më e thellë se sa rezultati që arriti Fronti Evropian më 24 prill. E para për shkak se qytetarët tashmë se dinë se në këtë formë të zgjedhjes së presidentit me vota direkte nga ata e qytetarëve shqiptar e dinë që nuk mund të arrin që ta zgjedhin presidentin. Ky është rezultat i daljes së ulët të shqiptarëve në zgjedhje. Tani, natyrisht në zgjedhje parlamentare dalja e votuesve shqiptar do të jetë më e madhe. Fronti Evropian minimumi do të ketë dyfishë e më tepër në raport me VLEN-in.

Albanian Post: Po ashtu do mbahet edhe raundi i dytë i zgjedhjeve presidenciale, në garë janë dy kandidatë siç e dimë, Stevo Pendarovski dhe Gordana, Siljanovska-Davkovka, cili është qëndrimi i Fronit Evropian, cilin nga këta dy kandidatë do ta mbështes, apo do ta bojkotojë procesin, meqë ka pasur eksponentë të Frontit Evropian që e kanë përmendur si opsion edhe bojkotin?

Sela: Natyrisht që nuk kemi ende një qëndrim të tillë, parimisht duhet të jemi parimior. Zgjedhjet presidenciale për Frontin Evropian kanë përfunduar dhe qytetarët janë të lirë të vendosin sipas dëshirës së tyre. E nëse do të vlerësojmë që do të duhet të bëjmë ndonjë deklarim publik, natyrisht që do ta bëjmë një gjë të tillë, por sido që të jetë, mendoj që votuesit dhe përkrahësit e Frontit Evropian duhet të sillen konform frymës evropiane që ne mundohemi që ta trasojmë.

Albanian Post: VLEN-i i humbi zgjedhjet, nuk iu ndihmojë as përkrahja e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, si e vlerësoni përfshirjen e zotëri Kurtit në zgjedhjet në RMV?

Sela: Preferoj që merrem me zhvillimet politike në Maqedoni të Veriut. Por, për mua duket qesharake e po merr forma të çuditshme thirrjet e VLEN-it të cilët gjithë fushatën presidenciale flisnin për Albin Kurtin dhe harruan partitë e tyre. E tani kanë nisur që të thërrasin shumë zëshëm VMRO-n e Mickovskit. Kështu që është shumë e qartë që për shqiptarët për shqiptarët që bëhet fjalë për vasal, e vasali është vasal pa marr parasysh a i shërben ndonjë politikani shqiptar apo maqedonas, vasaliteti është sëmundje e pashërueshme duke nisur nga Taravari dhe gjithë shokët që i ka në kuadër të atij koalicioni.

Albanian Post: Zotëri Sela, ju keni qenë bashkëpunëtor për një kohë të gjatë me zotëri Arben Taravarin, i cili ishte kandidat për president nga koalicioni VLEN dhe pasi i humbi zgjedhjet ju i keni kërkuar që t’i rikthehet profesionit të tij si mjek, a ia jepni ende këtë sugjerim?

Sela: Kohën që kalon bashkë me një bashkë-mendimtar aq më i madh është zhgënjimi kur të tradhton dhe të kthen shpinën, sepse njeriu në jetë gjithçka mund të pres nga ndonjë kundërshtar, por nga një mik dhe bashkëpunëtor që e ka në krah nuk pret tradhti. Unë i sugjeroj zotëri Taravarit që t’i qëndrojë fjalëve të tij, por që realisht nuk i ka qëndruar kurrë, sepse nuk ju ka qëndruar edhe në raport me mua dhe e ka pranuar edhe ai vet publikisht lidhur me qëndrimet që kemi pasur edhe në aspekt të zgjedhjeve ku garojë që sa e sa herë e ka përsëritur që nëse humbet do të jap dorëheqje.

Tani ka humbur me 40 mijë vota, ka 40 mijë herë arsyeje për t’u larguar nga skena politike. Deklaratën që kam dhënë ka qenë konform asaj që ai vazhdimisht e ka ripërsëritur në qëndrimet e tij publike që më rehat do të jetë në profesionin e vet. Populli i tregoj me votë që duhet t’i rikthehet profesionit të vet dhe urojë që këtë ta bëjë sa më shpejt, meqë si mjek është i mirë, si politikan jo.

Të ngjashme