Lajme
Lajçak tha që “erdhi Kurti pas 2020, ndërruan qasje” për marrëveshje finale, Hoti: “Pa njohje s’do të ishim pajtuar për kurrgjë”
Demokracia
21:57 | 04 Maj 2024

Share:

Vetëvendosja veten e kishin pagëzuar për kampionë të interesave shtetërore me të dalë me një mandat të fuqishëm nga shkurti i 2021’ës ndërsa zotimi ishte “rishikimin i të gjitha marrëveshjeve të arritura” me Serbinë.

E në veçanti ajo çka sipas tyre përbënte krye-të-keqen e dalë nga ato marrëveshje: Asociacionin e Komunave të banuara me shumicë serbe (2013), për të cilin zotimi ishte se “do ta dërgojmë në Komision të Venecias”.

Këto sigurisht janë fjalë të shpërbëra në ajr por të mbetura në arkivin e së shkuarës së shkruar.

Me të marrë në dorë frerët e dialogut në korrik të 2021’ës, Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e përmbledhte krejt të qëndruarin e tij karshi Beogradit kështu:

“Taktika e vjetër e ‘salami’ – çfarë më jepni ju për njohjen që ne s’do t’ua japim kurrë, nuk do të funksionojë”, i thoshte ai portalit “European Western Balkans”.

Qe 13 vite ne kemi jetuar pa njohjen e Serbisë. Mirë do të ishte të na njihnin, por unë s’paguaj gjë për të, as me territor dhe as me funksionalitet të shtetit tonë. Kosova e pavarurë është. 26 nga 30 shtete të NATO’s na njohin, 22 nga 27 të BE’së po ashtu”.

Deri këtu, Kurti e jepte se i qëndronte – si qeveritë paraprake – arritjes së një Marrëveshje Gjithpërfshirëse Ligjërisht dhe Ndërkombëtarisht të Deyturueshme me në qendër Njohjen e Ndërsjellë.

Por, del se bash me të marrë mandatin, Qeveria e Kosovës e drejtuar nga Albin Kurti, ndërroi kursin e tij.

Ose së paku kështu e tha hiç më larg se sot Përfaqësuesi Special i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, në një intervistë për median opozitare serbe “Nova.rs”.

Qysh me të marrë mandatin si fascilitues, tha Lajçak, synohej arritja e po kësaj marrëveshjeje gjithpërfshirëse: por se gjatë rrugës, kursi mori tjetër kahje: nga “qeveria e re në Prishtinë”.

Ne patëm filluar të flasim për elementë të ndryshëm të kësaj marrëveshjeje gjithpërfshirëse në vitin 2020 dhe patëm bërë progres të mirë në elemente të ndryshmeMe ndryshimin e qeverisë në Prishtinë ndryshoi edhe qasja e Kosovës ndaj bisedimeve për një marrëveshje gjithëpërfshirëse. Megjithatë, të gjitha aktivitetet tona janë të lidhura me marrëveshjen gjithëpërfshirëse. Marrëveshja për rrugën drejt normalizimit, e lidhur vitin e kaluar, është një pjesë e rëndësishme në këtë tablo”, tha Lajçak-u.

E pyetëm ish-kryeministrin Avdullah Hoti saktësisht për vitin 2020 se çka synohej dhe si e sheh këtë ndërrim kursi, m’u bash pas ndërrimit të qeverisë së tij.

Në Qeverinë Hoti, dialogu ka qenë duke u zhvilluar për marrëveshje finale me njohje reciproke dhe normalizim të marrëdhënieve. Kjo qasje e dialogut ka qenë e dakorduar me aleatët”, tha Avdullah Hoti në një përgjigje për gazetarin e Nacionales, Muhamet Koci.

Pa njohje nuk do të kishte asnjë lloj dakordimi për asgjë”, na tha ai

Për fat të keq, qeveria aktuale e ndryshoi këtë kornizë të dialogut. Serbisë kjo i konvenoi. Sot kemi një situatë ku dialogu më nuk është i fokusuar në njohje reciproke, por në themelim të Asociacionit dhe menaxhim të krizave në teren të shkaktuara nga Serbia por të keqmenaxhuara nga Kosova”, tha mes tjerash deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hoti.

Të ngjashme