Lajme
“Rreziku ende nuk ka kaluar” | Paradite përhapi panik për rrezikun nga lufta, pasdite u ekzaltua me futbollin në Tiranë
Demokracia
11:43 | 13 Tetor 2023

Share:

“Rreziku ende nuk ka kaluar”, është fjala që qytetarët e Kosovës e dëgjojnë shpesh nga drejtuesit shtetërorë, Osmani, Kurti e Konjufca, pas sulmit terrorist të grupit prej dhjetëra serbësh të armatosur rëndë që sulmuan Policinë e Kosovës, duke vrarë një zyrtar policor dhe duke plagosur një tjetër, grup ky që më pas u la të arratisej në Serbi.

Por, pavarësisht paralajmërimeve për rrezikun e vazhdueshëm që i kanoset Republikës së Kosovës nga Serbia dhe grupet që mbështeten nga shteti serb, drejtuesit shtetërorë të Kosovës nuk janë treguar aspak seriozë në sjelljen e tyre në këto rrethana.

Në momentet më kritike për Republikën e Kosovës, që nga themelimi i saj, të tre drejtuesit shtetërorë e kanë lënë të vetëm shtetin që drejtojnë dhe kanë shkuar në vizita zyrtare jashtë Kosovës në të njëjtën kohë, shkruan Demokracia.com.

Kosova mbetet pa “zot shtëpie”, të gjithë liderët gjenden jashtë vendit

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, është lajmëruar nga Kroacia, duke u kujdesur që të nxjerrë fotot sa më të mira dhe ekspozuar një armë kroate. Imazhi që presidentja Osmani e përcolli nga Kroacia, nuk vjen as nga presidenti ukraianas, Zelenski, i cili prej më shumë se dy vitesh është në luftë aktive me Rusinë.

As Zelenski në luftë nuk ekspozohet me armë, Vjosa Osmani po

 

Kryeministri Kurti sapo është kthyer nga Anglia, ku mori pjesë në tubime të një partie politike dhe në një paraqitje nga mbledhja e Qeverisë së Kosovës ngriti sërish alarmin për rrezikun nga Serbia, që nuk ka nuk ka kaluar ende, duke përhapur panik te qytetarët. Por, i pari që e injoroi këtë alarm ishte pikërisht Kurti që shkoi në Tiranë për ta parë ndeshjen e futbollit, duke lënë prapa “rrezikun”.

Në mbledhjen e Qeverisë së Kosovës, më 12 tetor 2023, kryeministri Kurti ka thënë se lirimi i Milan Radojçiqit nga autoritetet në Serbi është dëshmi dhe sinjal i potencialit për rigrupim dhe hakmarrje.

“Institucionet e sigurisë së fundmi kanë hetuar rrezikun në rritje të inskenimit të sulmeve të dhunshme nga grupet e strukturave të Serbisë në Kosovë. Qëllimi i tyre kryesor është fajësimi i Policisë së Kosovës dhe paraqitja e saj si forcë shtypëse mbi serbët e Kosovës. Për ta arritur këtë nuk kanë vënë çmim në tavan. Nuk do të zgjedhin mjet. Mbështetja e grupit terrorist që ka marrë nga Serbia në njërën anë duke i trajtuar si heronj, në anën tjetër duke intensifikuar aktivitetet e ushtrisë pranë kufirit me Kosovën vetëm sa i inkurajuar ata”, paralajmëroi Kurti, një ditë para se të merrte rrugën për në Tiranë.

Çuditërisht, rrugën për në Tiranë e mori edhe Ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla, i cili edhe gjumin e bënë shpeshherë në kampin e Njësive Speciale të Policisë së Kosovës në Belvedere, kinse për të treguar gatishmërinë për intervenime në rast të rrezikut.

Është e çuditshme sesi dy drejtuesit kryesorë të Republikës së Kosovës, presidentja Osmani dhe kryeministri Kurti e përmendin kaq shpesh se Kosova, një vend që sigurohet nga aleanca më e fuqishme ushtarake në botë, NATO, ballafaqohet me rrezikun e luftës nga Serbia.

Presidentja Osmani dhe kryeministri Kurti, të cilët erdhën në pushtet me premtime të mëdha për zhvillim ekonomik dhe lehtësim të jetës së qytetarëve të Kosovës, e kanë gjetur strehën ku mund të fshehin dështimin dhe keqqeverisjen e tyre që nga viti 2021.

Kjo strehë është “lufta”, ndonëse Republika e Kosovës sigurohet nga aleanca më e fuqishme ushtarake në botë dhe siç e ka bërë të ditur në një rast ambasadori amerikan, Hovenier, qindra ushtarë amerikanë e mijëra trupa të NATO-s janë garanci e rëndësishme e sigurisë. /Demokracia.com/

“Kërcënimet nga lufta” si strehë e fshehjes së dështimeve dhe keqqeverisjes Osmani – Kurti

Të ngjashme