Lajme
Rregullat që qytetarët e Kosovës duhet të respektojnë për udhëtimet në zonën Schengen nga 1 janari
Demokracia
15:03 | 03 Tetor 2023

Share:

Nga 1 janari 2024, qytetarët e Kosovës do të mund të udhëtojnë drejt zonës Schengen pa viza për qëndrime afatshkurtra. Udhëtimi pa viza nënkupton se mund të udhëtoni lirshëm në shtetet e zonës Schengen, por nuk do të mund të punoni.

Pa viza u mundëson qytetarëve të Kosovës të udhëtojnë pa vizë për qëndrime të shkurtra në zonën Schengen, për shembull, si turist, për të vizituar miqtë ose familjen, për të marrë pjesë në ngjarje kulturore ose sportive, takime afariste, trajtim mjekësor, për programe arsimore afatshkurtra si seminare, konferenca, punëtori, shkolla verore dhe çdo aktivitet të ngjashëm.

Parlamenti Evropian miratoi në prill të këtij viti vendimin për liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës, me çka edhe procedurat vendimmarrëse për këtë çështje u përmbyllën. Miratimi në Parlamentin Evropian ishte bërë pa votim, pasi nuk kishte asnjë kundërshtim.

Shtetet ku do të mund të udhëtohet pa viza deri në 90 ditë:

Komisioni Evropian në vendimin për liberalizim kishte sqaruar se edhe pas liberalizimit të vizave, bartësit e pasaportave të Kosovës nuk do të mund të udhëtojnë në Spanjë, vend që nuk e njeh as pavarësinë e Kosovës, as pasaportat e saj.

Shtetet që përfshihen në vendimin për liberalizimin e vizave për kosovarët janë: Austria, Belgjika, Bullgaria, Kroacia, Qipro, Republika Çeke, Danimarka, Estonia, Finlanda, Franca, Gjermania, Greqia, Hungaria, Italia, Letonia, Lituania, Luksemburgu, Malta, Holanda, Polonia, Portugalia, Rumania, Sllovakia, Sllovenia, Suedia, Zvicra, Norvegjia, Lihtensteini dhe Islanda.

Republika e Kosovës, momentalisht është vendi i vetëm në Ballkanin Perëndimor, qytetarët e të cilës nuk mund të lëvizin lirshëm në zonën Schengen.

Të ngjashme