Lajme
Reduktimi i forcave speciale në veri, Daçiq: Kurti po tallet me ndërkombëtarët, ne s’i pranojmë mashtrimet
Demokracia
11:15 | 06 Gusht 2023

Share:

Ministri i Punëve të Jashtme të Serbisë, Ivica Daçiq, ka vlerësuar se tërheqja e 25 për qind të forcave elitare të Policisë së Kosovës në dhe përreth objekteve komunale në veri, nuk është hap drejt de-eskalimit të situatës atje, por përpjekje e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, për të “mashtruar dhe tallur” serbët dhe Bashkimin Evropian.

Kryediplomati serb, në një prononcim për agjencinë serbe të lajmeve “Tanjug”, ka thënë se Qeveria e Serbisë nuk do t’i pranojë “marifetet” e autoriteteve kosovare, ndërsa ka shtuar se Serbia nuk do të kënaqet vetëm me largimin e 25 për qind të forcave speciale të Policisë së Kosovës nga dhe përreth katër komunave veriore.

“Kurti nuk ka të drejtë në atë që ka bërë. Është në kundërshtim me marrëveshjet ndërkombëtare, ka dërguar policinë në veri të Kosovës edhe pse nuk ka pasur lejen e KFOR-it dhe as pëlqimin e komunave serbe. Tani të gjithë në bashkësinë ndërkombëtare janë të lumtur që ka filluar de-përshkallëzimi”.

“Ata presin që Serbia të kënaqet me tërheqjen e 25 për qind të policisë. Unë mendoj se kjo është një tallje e të gjithëve, veçanërisht e bashkësisë ndërkombëtare dhe një tregues se ata nuk e kanë ndërmend të ndikojnë seriozisht tek Kurti”, ka shtuar kreu i socialistëve serbë.

Të premten, më 4 korrik, pas vlerësimeve të përbashkëta të sigurisë nga Policia e Kosovës dhe Misioni i BE-së për Sundimin e Ligjit (EULEX) dhe konstatimit se “situata është e qetë” ka nisur faza e dytë e reduktimit të pranisë policore në veriun e trazuar të vendit edhe për 25 për qind.

Megjithatë, për t’i dhënë fund krizës aktuale dhe rrjedhës së tensionuar në marrëdhëniet mes Kosovës dhe Serbisë, nga BE-ja kanë konsideruar se zgjedhjet e parakohshme duhet të shpallen sa më shpejt në të katër komunat veriore  dhe të organizohen në mënyrë gjithëpërfshirëse, pra me pjesëmarrjen e plotë dhe të pakushtëzuar të serbëve.

Të ngjashme