Lajme
Tension në Kuvend, Bogujevci urdhëron sigurimin t’i largojë nga salla deputetët Zyba e Shala, kërkesa nuk përfillet
Demokracia
14:13 | 02 Maj 2024

Share:

Nënkryetarja e Kuvendit, Saradnda Bogujevci ka kërkuar me ton të lartë që sigurimi t’i largojë nga salla e Kuvendit deputetin e LVV-së, Sali Zyba dhe deputetin e PDK-së, Ferat Shala në seancën e sotme ku po diskutohet për raportin e Departamentit amerikan të Shtetit për Kosovën.

Thirrja erdhi pasi situata u tensionua kur PDK-ja kërkonte fjalën në reagim ndaj mazhorancës dhe Bogujevci tha se rregullorja s’lejonte që diskutimi të vazhdonte në atë mënyrë.

“Mimoza kundër-replikë. Jo, më falni, nuk mundem secilën herë në bazë të kërkesave të juaja, me dalë jashtë rregullores. Ishte replikë dhe kundër-replikë. Nuk mund t’ia japë fjalën dikujt në kundër-replikë të dikujt tjetër”, tha Bogujevci dhe shefja e grupit parlamentar të LVV-së, Mimoza Kusari Lila e mori fjalën, transmeton express.

Pasi ajo doli në foltore, deputeti i PDK-së e kapi mikrofonin, ndërsa për të ndërhyrë shkoi deputeti i LVV-së.

“I nderuar, e shkelë rregulloren. E shkelë rregulloren. Uluni të gjithë në vendin tuaj. Zoti Zyba në vendin tuaj. Zoti Shala në vendin tuaj. Zoti Zyba ju lutem në vendin tuaj dhe zoti Shala a mundeni… mos më detyroni ta thërras sigurimin për të dy.. Sigurimi, e hiqni prej sallës zotin Shala dhe zotin Zyba. Tani! Tani! Sigurimi (futuni) tani në sallë dhe i largoni të dy deputetët që i përmenda me emër”, tha nënkryetarja e Kuvendit, Saranda Boguevci.

“E kam të pamundshme në secilën seancë ku burrat çohen në këmbë dhe më tregojnë mua se si ta bëj interpretimin e rregullores. Mjaft më!”, shtoi ajo.

Kryesuesja e seancës më pas tha se “sigurimi nuk po hyn dhe nuk e dëgjon kërkesën e nënkryetares, kur është e rregulluar me rregullore të Kuvendit”, duke konfirmuar se kërkesa e saj nuk po përfillej.

Dy deputetët u larguan nga foltorja dhe Kusari Lila vazhdoi të fliste.

Të ngjashme