Lajme
Rama pritet në Bruksel me vlerësime pozitive për Shqipërinë
Demokracia
20:16 | 14 Shkurt 2024

Share:

Kryeministri shqiptar, Edi Rama, të mërkurën e 14 shkurtit është pritur nga zyrtarët më të lartë evropianë në Bruksel, në një vizitë e cila ka pasur në vëmendje ecurinë e Shqipërinë në rrugëtimin evropian.

Të tilla vizita janë rutinore në procesin e anëtarësimit, ku shtetarët takohen me zyrtarët evropianë dhe flasin për ecurinë në negociata.

Mirëpo këtë herë, duke parë edhe dinamikën e politikës shqiptare, Rama ka marrë edhe mesazhe të forta konfirmimi për rolin e Shqipërisë në rajon dhe më gjerë.

I tillë ka qenë edhe mesazhi i Charles Michel, presidentit të Këshillit të Evropës, i cili  e ka mirëpritur iniciativën e Tiranës për të mirëpritur një Samit mbi Ukrainën, ku do të diskutohet edhe për fondet rajonale në Ballkanin Perëndimor.

Përmes një publikimi në median sociale X, njohur më parë si Twitter, Michel shkruan se ka diskutuar me Ramën edhe për hapat përpara që Shqipëria duhet të bëjë në rrugëtimin evropian dhe se nga Brukseli, ka mbështetje maksimale për këtë gjë.

E ardhmja e Ballkanit Perëndimor, për Michel, është pa diskutim në Bashkimin Evropian.

Teksa, në fund, ai e riformulon se mirëpret nismën për të pritur një samit rajonal Ballkan Perëndimor-Ukrainë në Tiranë.

“BE-ja është mirënjohëse për mbështetjen e Shqipërisë dhe të rajonit për Ukrainën”, përmbylli ai.

Nga ana tjetër, Rama është takuar edhe me Presidenten e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen.

Pavarësisht se nuk ka pasur një deklaratë apo koment rreth këtij takimi, von der Leyen ka qenë gjithnjë ndër zërat më mbështetës të iniciativave shqiptare për rajon dhe ajo i ka përshëndetur ato, duke përmendur edhe rolin e Shqipërisë në çështjen e Ukrainës, me mandatin në Këshillin e Sigurimit.

Samiti

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky do të vizitojë Shqipërinë më 28 shkurt.

Kështu ka mësuar Albanian Post këtë të martë, teksa vlen të theksohet se vizita e tij vjen në kuadër të Samitit për Ukrainën të paralajmëruar nga Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama nga takimi me gazetarët në Shkup.

“Po përgatisim një samit në Tiranë për Ukrainën, dhe duhet të kemi të pranishëm presidentin Volodymyr Zelensky. Do përpiqemi në atë hark kohor të kemi edhe takimin tjetër të liderëve të rajonit me përfaqësuesit të sotëm të BE dhe që janë atë që do ndjekin për të bërë një bilanc të këtij muaji për të vijuar të vazhdojmë me ritmin e përshpejtuar që diktohet nga proceset e reja, që po ndodhin në BE, ka zgjedhje të reja”, tha asokohe Rama.

Ai shtoi se “ne duhet të mbyllim këtë paketë duke bërë punën tonë brenda afateve që ka kjo administratë në Bruksel. Është një samit në mbështetje të Ukrainës dhe për të diskutuar me presidentin e Ukrainës  në lidhje me sfidat e sigurisë”.

Gjithashtu edhe Liderët e Ballkanit Perëndimor do të mblidhen në Tiranë më 29 shkurt për të diskutuar rreth integrimit të vendeve në BE.

Kjo, në “ndjekje të objektivave për intensifikimin e përpjekjeve të vendeve të Ballkanit Perëndimor në rrugën drejt BE-së, krijimin e themeleve për hapat e ardhshëm në zbatimin e Planit të Rritjes dhe avancimit të bashkëpunimit dhe ndërveprimit me Komisionin Evropian”.

Kujtojmë se Komisioni Evropian, në nëntor 2023, propozoi një Plan të Rritjes për Ballkanin Perëndimor, i cili synon të zgjerojë përfitimet e Tregut Unik të Bashkimit Evropian në rajon përpara anëtarësimit formal, me synim kontributin pozitiv në rritjen ekonomike dhe përshpejtimin e konvergjencës socio-ekonomike me BE-në.

Plani i ri Rritjes për Ballkanin Perëndimor bazohet në katër shtylla kryesore, të cilat synojnë:

-Rritjen e integrimit ekonomik me tregun e përbashkët të Bashkimit Evropian, me kusht që Ballkani Perëndimor të përafrohet me rregullat e tregut të vetëm;

-Nxitjen e integrimit ekonomik brenda Ballkanit Perëndimor nëpërmjet Tregut të Përbashkët Rajonal, bazuar në rregullat dhe standardet e BE-së, të cilat potencialisht mund të shtojnë ekonomitë e tyre me 10%.

-Përshpejtimin e reformave themelore, duke përfshirë cluster-in e themelorëve, për mbështetjen e Ballkanit Perëndimor drejt anëtarësimit në BE, përmirësimin e rritjes së qëndrueshme ekonomike duke përfshirë tërheqjen e investimeve të huaja dhe forcimin e stabilitetit rajonal.

-Rritjen e asistencës financiare për të mbështetur reformat përmes një Mekanizmi të Reformave dhe Rritjes për Ballkanin Perëndimor për periudhën 2024-2027.

Në bazë të këtij Plani, çdo vend partner i Ballkanit Perëndimor do të ftohet të përgatisë një Agjendë Reformash bazuar në rekomandimet ekzistuese, duke përfshirë ato nga Paketa vjetore e Zgjerimit dhe Programet e Reformës Ekonomike (ERP).

Të ngjashme