Lajme
Qytetarët ikin nga Kosova, Qeveria ikë nga përgjegjësia | Kurti nuk shqetësohet për largimin e qytetarëve, vazhdon ta injorojë fenomenin e zbrazjes së Kosovës
Demokracia
11:15 | 22 Janar 2024

Share:

Të dhënat shqetësuese për numrin e madh të qytetarëve që vazhdojnë të largohen çdo ditë nga Kosova, vazhdojnë të mos e shqetësojnë ndërgjegjen e kryeministrit Albin Kurti.

Opozitari i dikurshëm që alarmohej sa herë që mediat raportonin për largimin e qytetarëve, vazhdon të shkojë çdo ditë në vendin e tij të punës apo edhe të bëjë vizita zyrtare jashtë vendit, duke e injoruar tërësisht fenomenin shqetësues që po e zbrazë Kosovën, shkruan Demokracia.com.

Të dhënat që vijnë nga institucionet përgjegjëse që menaxhojnë pikat kufitare tokësore dhe ajrore flasin për të dhëna shqetësuese, sipas të cilave, vetëm nga 1 – 15 janar 2024 më shumë se 650 mijë qytetarë kanë dalë nga Kosova.

Por, për kryeministrin Albin Kurti, këto statistika nuk ngjallin “interesimin” e tij për t’u marrë me këtë fenomen shqetësues që po ndryshon rrënjësisht demografinë e Republikës së Kosovës, e cila sipas regjistrimit të popullsisë në vitin 2011 kishte rreth 1.8 milionë banorë rezidentë.

Që nga fillimi i vitit 2024, kryeministri Kurti ka pasur dy aktivitete në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës “Adem Jashari”. Në 1 janar, Kurti shkoi për të shënuar udhëtimin e parë pa viza të qytetarëve të Kosovës në Zonën Shengen të Bashkimit Evropian dhe më 10 janar për të pritur kryeministrin e Irlandës, Leo Varadkar.

Kryeministri Kurti deri më tani nuk ka marrë udhë për në aeroport, për të bashkëbiseduar me qytetarët dhe për t’i pyetur se cila ëstë arsyeja që ata po largohen nga Kosova!?

Përkundrazi, si në shumë raste të tjera, kryeministri Kurti që po hyn zyrtarisht në vitin e fundit të mandatit të tij qeverisës, vazhdon të ikë nga përgjegjësia e tij shtetërore.

“STRATEGJIA” E KURTIT DHE VETËVENDOSJES PËR TA MOHUAR FENOMENIN

Kurti ka filluar ta përgatisë “strategjinë” e tij manipulative qysh në vitin e kaluar sa herë që shtrohej për debat ky fenomen shqetësues, duke u munduar ta mohojë atë, siç bëri më 16 nëntor 2023.

“Unë nuk mendoj që po zbrazet Kosova. Ka emigrim, po nuk ka zbrazje të Kosovës dhe nuk do të ketë as pas 1 janarit. Sepse, ju e dini shumë mirë, që ata që do të shkojnë tani pa nevojë për lëvizje në zonën Schengen, duhet të kthehen”, deklaronte Kurti.

Në këtë linjë me Kurtin është paraqitur më 19 janar 2024 edhe vartësi i tij, ministri Xhelal Sveçla, i cili mohonte në mënyrë kategorike disa të dhëna zyrtare nga Stacioni i Autobusëve në Prishtinë, të cilat u prezantuan në media.

Sveçla akuzoi rëndë mediat se lajmet e tyre për “ikjet masive” të qytetarëve nga Kosova po përdoren nga Serbia për qëllime politike dashakeqe kundër vendit tonë.

Ministër, a ki koment? | Policia zbuloi gënjeshtrën e Xhelal Sveçlës, rreth 65 mijë persona më shumë se vitin e kaluar kaluan vetëm përmes kufijeve tokësorë

Ikja nga përgjegjësia është bërë e zakonshme për Albin Kurtin dhe partinë e tij, Vetëvendosjen, si dhe ajo po manifestohet në forma të ndryshme dhe pothuajse në çdo temë me rëndësi për jetën e qytetarëve, siç është tani rasti me fenomenin shqetësues të zbrazjes së Kosovës.

‘Ikja’ – zanati i vetëm i Albin Kurtit | Kjo është lista e gjatë e ikjeve të tij nga përgjegjësia shtetërore dhe kombëtare

Deri më tani, as Kurti dhe as vartësit e tij, përveç mohimit të problemit, nuk kanë paraqitur asnjë hap sesi duhet të sillet shteti i Kosovës për parandalimin e ikjes masive të qytetarëve. /Demokracia.com/

Të ngjashme