Lajme
Ministër, a ki koment? | Policia zbuloi gënjeshtrën e Xhelal Sveçlës, rreth 65 mijë persona më shumë se vitin e kaluar kaluan vetëm përmes kufijeve tokësorë
Demokracia
08:52 | 22 Janar 2024

Share:

“Nga data 1 janar 2024 deri më 15 janar 2024, bazuar në raportet ditore të Policisë Kufitare, nga Republika e Kosovës vetëm në kufijtë tokësorë kanë dalë 511 mijë e 604 udhëtarë. Krahasuar me periudhën e njëjtë kohore të vitit 2023, ku kanë dalur 446 mijë e 178 udhëtarë, ka një rritje prej 10.2%”.

Këto janë statistika zyrtare të Policisë së Kosovës, të transmetuara nga mediat në mbrëmjen e datës 21 janar 2024, të cilat tregojnë se vetëm përmes kufijve tokësorë, 65,426 persona kanë dalë jashtë Kosovës gjatë dy javëve të para të vitit më shumë sesa gjatë periudhës së njëjtë të vitit të kaluar, shkruan Demokracia.com.

Statistikat zyrtare demantojnë dhe nxjerrin në pah gënjeshtrën e Ministrit të Brendshëm, Xhelal Sveçla, i cili vetëm dy ditë më herët, më 19 janar 2024, akuzoi në mënyrë të papërgjegjshme mediat se lajmet e tyre për “ikjet masive” të qytetarëve nga Kosova po përdoren nga Serbia për qëllime politike dashakeqe kundër vendit tonë.

Akuza e rëndë e ministrit Sveçla kishte ardhur vetëm disa orë pas raportimit të disa mediave online se nga 1 janari i këtij viti, rreth 400 autobusë brenda një dite janë nisur për në Evropë. Këto shifra, mediat i mbështetën në përgjigjen zyrtare të Stacionit të Autobusëve në Prishtinë, që gjithashtu demantoi veten brenda pak orëve pas publikimit të lajmit.

Alarmante | Albin Kurti vazhdon t’i ikë përgjegjësisë, rreth 400 autobusë plot me udhëtarë shkuan përditë në Evropë nga 1 janari

 

Stacioni i Autobusëve demanton raportimet se 400 autobusë nisen çdo ditë nga Prishtina drejt Evropës

Për të dëshmuar të kundërtën e këtij lajmi, në reagimin e tij, ministri Sveçla paraqiti disa të dhëna, sipas të cilit, nuk ka ikje masive të qytetarëve dhe që më shumë autobusë kanë hyrë në Kosovë përmes pikave kufitare sesa që kanë dalë jashtë vendit.

“Sipas të dhënave nga pikat kufitare, nga 1 janari i këtij viti, kur vendi ynë gëzon të drejtën e lëvizjes së lirë pa viza e deri më sot, në Republikën e Kosovës nga të gjitha pikat kufitare kanë hyrë 3687 autobusë, ndërsa kanë dalur nga të gjitha pikat kufitare 2408 autobusë. Për të dëshmuar se nuk bëhet fjalë për “ikje masive” por me raportime dezinformuese nga disa mediume të papërgjegjshme, për të njejtën periudhë kohore, në vitin që lamë pas kanë hyrë 3511 autobusë ndërsa kanë dalur nga pikat kufitare 3731 autobusë. Pra, 35% më pak autobusë kanë dalur këtë vit pas liberalizimit të vizave sesa në vitin e kaluar”, shkruajti Sveçla, duke iu referuar autobusëve dhe jo numrit të qytetarëve që kanë dalë.

Ai i mbështeti të dhënat e tij edhe në Departamentin e Kufirit / Policinë Kufitare.

Çuditë Xhelal Sveçla: Nuk ka ikje masive të qytetarëve, më shumë ka hyrje të autobusëve sesa dalje

Por, vetëm dy ditë pas këtij lajmi, mbrëmjen e datës 21 janar 2024, mediat kanë publikuar të dhëna shqetësuese për largimin e qytetarëve nga Kosova në drejtim të vendeve evropiane.

Të dhënat tronditëse nuk janë shpikur nga mediat, por janë të prezantuara nga Policia e Kosovës, duke u mbështetur në raportimet ditore të Policisë Kufitare të Republikës së Kosovës.

Sipas këtyre të dhënave, vetëm përmes kufijve tokësorë, numri i qytetarëve që kanë dalë jashtë Kosovës është 511 mijë e 604 udhëtarë apo një rritje prej 10.2% në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit 2023.

“Nga data 1 janar 2024 deri më 15 janar 2024, bazuar në raportet ditore të Policisë Kufitare, nga Republika e Kosovës kanë dalë 511 mijë e 604 udhëtarë. Vetëm në kufijtë tokësorë. Krahasuar me periudhën e njëjtë kohore të vitit 2023, ku kanë dalur 446 mijë e 178 udhëtarë, ka një rritje prej 10.2%”, thuhet në përgjigjen e transmetuar në emisionin ‘’Expose’’.

Po sipas të dhënave nga Policia Kufitare e Republikës së Kosovës, për të njëjtën periudhë dyjavore, përmes kufijve ajrorë, nga Kosova janë larguar 155 mijë e 816 udhëtarë apo një rritje prej 13.2% në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit 2023.

“Nga data 1 janar 2024 deri më 15 janar 2024 përmes aeroportit kanë kaluar 155 mijë e 816 udhëtarë. Krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2023, kemi rritje për 13.2%”, thuhet në përgjigjen e Policisë së Kosovës.

Të dhëna zyrtare tronditëse | Për 15 ditë mbi 650 mijë qytetarë e lëshuan Kosovën përmes kufijve tokësorë dhe ajrorë

Deri më tani, ministri Sveçla dhe as kryeministri Albin Kurti nuk kanë reaguar për situatën shqetësuese. /Demokracia.com/

Të ngjashme