Lajme
Pushteti inskenon “përplasjen” | Kurti me fjalë kundër Lajçakut dhe asnjë ide nuk ia refuzoi, as Zajednicën me arbitrazh dhe autonomi për serbët
Demokracia
12:54 | 22 Shkurt 2024

Share:

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, me vartësit e tij apo edhe përgjithësisht Lëvizjen Vetëvendosje, jo rrallë e kanë sulmuar me gjuhë të ashpër emisarin evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak.

Krejt ndryshe, në takimet në Bruksel a gjetiu, Kurti dhe vartësit e tij shfaqen të butë dhe të dëgjueshëm ndaj tij, shkruan Demokracia.com.

Në jo pak raste, Kurti personalisht, por edhe vartësit e tij si zëvendëskryeministri Besnik Bislimi apo edhe kryeparlamentari Glauk Konjufca e kanë akuzuar Lajçakun si njeri që nuk është netural në dialog, por që po “punon për Serbinë”.

Por, pavarësisht kësaj akuze kaq të rëndë publike, kryeministri Albin Kurti dhe zëvendësi i tij, Besnik Bislimi, kanë vazhduar të shkojnë në Bruksel apo në vende të tjera sa herë që janë ftuar nga Lajçak.

Megjithatë, Besnik Bisilimi kërcënoi dje dhe tha se për çështjen e dinarit nuk do të marrë pjesë në një takim të thirrur në Bruksel nga Bashkimi Evropian, që ndërmjetëson dialogun mes Kosovës dhe Serbisë.

“Në Bruksel shkoj vetëm nëse diskutohet për marrëveshjen bazike”, ishin fjalët e tij.

INSKENOJNË PËRPLASJEN, POR NË TRYEZËN E DIALOGUT NUK I REFUZOJNË ASGJË

Para çdo pranimi të propozimit, Kurti dhe vartësit e tij kanë ndjekur strategjinë lehtësisht të diktuar nga jashtë.

Kurti dhe vartësit e tij kanë inskenuar përplasjen me emisarin evropian Lajçak, por në tryezën e dialogut, asnjë propozim apo dokument i tyre nuk është hedhur poshtë.

Më 27 shkurt 2023, Kurti ka pranuar propozimin franko-gjerman, i njohur më pas si propozimi evropian dhe krejt në fund si Marrëveshja Bazë, ku ndodhet edhe Zajednica apo Asociacioni i Komunave me Shumicë Serbe (neni 7 – Vetëmenaxhimi), kurse më 18 mars 2023 edhe Aneksin për zbatimin e saj.

Më 21 tetor 2023, ai ka pranuar edhe propozimin e emisarit evropian Lajçak dhe 4 emisarëve të tjerë që përfaqësojnë SHBA-në, BE-në, Gjermaninë, Francën dhe Italinë për statutin që themelon Zajednicën dhe të njëjtin është vetëofruar ta nënshkruajë më 26 tetor 2023, pa u përfshirë “përmirësimet” e kërkuara.

Në këtë statut tashmë gjendet edhe një institucion krejtësisht në shërbim të Zajednicës, i cili nuk ka ekzistuar kurrë dhe as që është përmendur në marrëveshjen e vitit 2013 dhe 2015.

Institucioni i Arbitrazhit që do të shërbejë për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve mes Autoriteteve Qendrore dhe Zajednicës lidhur me zbatimin ose interpretimin e Statutit që e themelon Zajednicën është një krijesë e re si rezultat i dialogut të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti.

Një institucion i tillë nuk parashihet askund në shumësinë e institucioneve të parapara me Kushtetutën e Republikës së Kosovës. Pra, ai do të funksionojë jashtë rendit kushtetues dhe ligjor të shtetit të Kosovës.

Lexo më shumë: https://demokracia.com/arbitrazhi-kurti-shkele-kushtetuten-me-draft-statutin-e-pranuar-i-jep-fuqi-ekskluzive-zajednices-te-zgjidh-ceshtje-jashte-institucioneve-te-drejtesise/

AKUZAT E RËNDA VETËM PARA KAMERAVE MBI LAJÇAK

Kurti ka përdorur gjuhë edhe më të rëndë ndaj emisarit të BE-së për dialogun Kosovë – Serbi, Miroslav Lajçak.

Në një intervistë për “The Associated Press”, ai ka thënë se i dërguari i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak dhe ai i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, po i drejtohen Kosovës me kërkesat e Serbisë, deri sa tha se sjellja pozitive ndaj një autokrati nuk e bën atë të mirë.

“Ne këmbëngulim që të sillesh mirë me një autokrat nuk e bën atë të sillet më mirë. Përkundrazi. Të dërguarit e SHBA-së dhe BE-së për bisedimet Kosovë-Serbi, përkatësisht Escobar dhe Lajçak, vijnë tek ne me kërkesa, me kërkesat e palës tjetër”, tha i pari i Qeverisë së Kosovës.

Më 18 shtator 2023, vetëm disa ditë pasi dështoi takimi i 14 shtatorit në Bruksel, Kurti ka akuzuar ndërmjetësuesin Lajçak se është pozicionuar qartë kundër Kosovës.

“Në takim u ekspozova përballë një skenari të cilin Lajçak e kishte dizajnuar kohë më parë”, deklaroi Kurti, deri sa bëri edhe akuzën e rëndë ndaj tij.

“Më lejoni ta përfundojë këtë pjesë të parë të fjalimit se më 14 shtator pati një pozicionim të qartë të ndërmjetësit kundër Kosovës dhe kundër marrëveshjes bazike. Ata kanë shkuar shumë larg me goditjen e të ardhmes së Kosovës”, deklaroi Kurti, i cili tregoi se për Lajçakun është ankuar në Uashington, Bruksel, Paris e Romë.

Lexo më shumë për këtë temë:

E quajti njeri që punon për Serbinë, Kurti tani e falënderon Lajçakun për kontributin për paqe

Kurti që i akuzonte Eskobarin e Lajçakun se “po na vijnë me kërkesa të Serbisë”, sot i falënderoi për “planin e ri”

Konjufca i del në mbrojtje Kurtit dhe akuzon Lajçakun: I pozicionuar në anën e Serbisë!

Akuzat ndaj Lajçakut i detyruan të reagojnë edhe zyrtarë të lartë të SHBA-së.

Gabriel Escocar, emisar special i ShBA-së për Ballkanin Perëndimor, i kërkoi kryeministrit Albin Kurti dhe presidentes Vjosa Osmani që t’i dënojnë sulmet që “ekzistojnë në sferën shoqërore” ndaj Miroslav Lajçakut.

Escobar e theksoi se Lajçak gëzon besimin e plotë të ShBA-së dhe BE-së. Prandaj, sipas Escobarit, Lajçak, njeriu i shumë kritikuar nga Kosova, nuk do të largohet nga lehtësimi i dialogut mes Kosovës dhe Serbisë.

Pas kësaj, Escobar kërkoi nga Qeveria e Kosovës, e udhëhequr nga kryeministri Albin Kurti, që të jetë më pragmatike.

“Lajçaku gëzon besimin e plotë të Bashkimit Evropian dhe të Shteteve të Bashkuara. Të gjitha vendet e BE-së bënë një deklaratë të përbashkët pas dështimit të bisedimeve, me mbështetje për Lajçakun. Është diçka me të cilën duhet të përballen. Lajçaku nuk do të largohet. Dialogu nuk do të largohet. Dhe nuk mendoj se një vend prej një milion e gjysëm do ta bindë komunitetin transatlantik prej 700 milionësh që të ndryshojë taktikat e tij. Mendoj se duhet të ketë një përqasje më pragmatike nga Qeveria e Kosovës.”, tha ai.

Në intervistën e tij, Escobar i përmendi edhe sulmet ndaj Lajçakut, duke thënë se ndihet i “alarmuar nga sulmet personale ndaj Lajçakut që ekzistojnë në sferën shoqërore të Kosovës”. Tutje, Escobar tregoi se i ka kërkuar Kurtit dhe Osmanit që të dënojnë sulmet ndaj Lajçakut.

“Më duhet të them edhe diçka tjetër. Gjatë javës së fundit jam alarmuar nga sulmet personale ndaj Lajçakut që ekzistojnë në sferën shoqërore të Kosovës. I kërkova Presidentes Osmani dhe Kryeministrit Kurti që t’i dënojnë këto sulme. Nuk po them se vijnë nga Qeveria e Kosovës, por Qeveria e Kosovës duhet të jetë shumë e qartë se sulmet personale ndaj përfaqësuesit të posaçëm janë të papranueshme”, tha ai. /Demokracia.com/

 

Grenelli, Blinkeni, Eskobari, Lajçaku | Si i sulmoi Albin Kurti me radhë përfaqësuesit e ShBA-së dhe BE-së?

 

Hysamedin Feraj, këshilltar i kryeministrit Kurti, dhe Elvis Hoxhaj, anëtar i kryesisë së LVV-së, kanë qenë dy nga figurat më të zellshme në sulmet ndaj Lajçakut, duke e akuzuar për shumë çështje./Demorkacia.com/

 

Të ngjashme