Lajme
Grenelli, Blinkeni, Eskobari, Lajçaku | Si i sulmoi Albin Kurti me radhë përfaqësuesit e ShBA-së dhe BE-së?
Demokracia
11:39 | 19 Shtator 2023

Share:

Sulmet, ofendimet dhe fushatat linçuese kundër përfaqësuesve të shtetit tjetër padyshim se ndikojnë në marrëdhëniet ndërshtetërore. Por, këtë fakt, kryeministri Albin Kurti nuk e mori asnjëherë parasysh kur në qendër të fjalimeve dhe deklaratave të tij ishin përfaqësuesit e lartë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimit Evropian.

Gjuha e rëndë e Kurtit kundër përfaqësuesve të ShBA-së dhe BE-së është shpeshtuar, sidomos kur ai u bë kryeministër i Kosovës dhe dialogu me Serbinë ishte barrë mbi të. Ai asnjëherë nuk bëri thirrje që të ndaleshin fushatat linçuese në rrjetet sociale të militantëve apo edhe zyrtarëve të lartë të partisë së tij, shkruan Demokracia.com.

Pavarësisht kritikave të rënda, ShBA-ja dhe BE-ja kanë shprehur publikisht mbështetje për përfaqësuesit e tyre, duke i dhënë goditje politikës konfliktuoze të Kurtit ndaj çdo politikani me të cilin ai nuk pajtohet.

RICHARD GRENELL

I dërguari special për dialogun Kosovë – Serbi i presidentit Donald Trump, Richard Grenell, ka qenë në qendër të sulmeve nga kryeministri Albin Kurti dhe fushatës linçuese të partisë së tij, Lëvizjes Vetëvendosje.

Në fakt, kjo fushatë u pa si shumë shqetësuese dhe njëkohësisht ishte e para e këtij lloji ndaj një zyrtari të lartë amerikan.

Në maj të vitit 2020, vetë Kurti e ka akuzuar publikisht ambsadorin Grenell se ka mbajtur anën e Serbisë.

“Ambasadori Grenell ka patur qëndrimin që Kosova ta heqë taksën 100% dhe Serbia duhet ta pushojë fushatën e çnjohjes së Pavarësisë së Kosovës në arenën ndërkombëtare. Më pas ai e braktisi këtë të dytën pas një udhëtimi në Beograd, por së fundi u deklarua edhe kundër reciprocitetit ndaj Serbisë. Ky për mua ishte kulmi”, deklaronte Kurti, përcjell Demokracia.com.

ANTONY BLINKEN

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, nuk ka zgjedhur gjuhën as për të kundërshtuar hiç më pak se Sekretarin e Shtetit, Antony Blinken. Atë e ka kualifikuar si naiv.

Më 26 maj 2023, Sekretari Amerikan i Shtetit, e kishte kritikuar vendimin e Qeverisë së Kosovës për të hyrë me forcat e njësisë speciale në ndërtesat komunale në veriun e Kosovës. Ai kishte thënë se vendimi ishte marrë “kundër këshillës” së ShBA-së dhe partnerëve evropianë dhe që vendimi ka “përshkallëzuar pa nevojë tensionet”.

Këtë deklaratë nuk e kishte pëlqyer aspak Kurti, i cili kishte reaguar me ashpërsi.

“Mendoj se, jo vetëm që është e padrejtë dhe e gabuar e edhe lënduese, por në të njëjtën kohë është shumë naive”, kishte thënë Kurti për The Guardian, në një intervistë përmes telefonit.

Kurti kalon kufijtë e normales, e godet sekretarin Blinken në gazetën britanike: Dha deklaratë të padrejtë, të gabuar dhe naive

GABRIEL ESCOBAR

As i dërguari tjetër i posaçëm i ShBA-së nuk i ka shpëtuar kritikave publike të kryeministrit Kurti.

Më 8 qershor të vitit 2023, Kurti ka folur për agjencinë e njohur të lajmeve The Associated Press, ku është ankuar për njëanshmëri ndaj Kosovës nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian dhe për tolerancë, siç ka theksuar ai, të regjimit autoritar të Serbisë.

I ndodhur para kërkesave amerikane, aleatit më të madh që ka pasur ndonjëherë Kosova, Kurti lë të kuptojë se nuk po e duron qëndrimin e Escobarit, të cilin të premten e fajësoi për punën, me shumë intensitet, që ka nisur për themelimin e Asociacionit.

Gjatë intervistës, Kurti ishte ankuar sesi emisarët nga SHBA dhe BE (Escobar dhe Lajçak), po i shkojnë në takime me kërkesa të Serbisë.

“Po vijnë te ne me kërkesa të palës tjetër”, kishte thënë ai për AP-në.

Kurti vazhdon ta sulmojë përfaqësuesin e aleatit kryesor të Kosovës, e akuzon rëndë Escobarin

MIROSLAV LAJÇAK

Kurti ka përdorur gjuhë edhe më të rëndë ndaj emisarit të BE-së për dialogun Kosovë – Serbi, Miroslav Lajçak. Kritikat dhe akuzat ndaj tij janë më të freskëta.

Më 18 shtator 2023, vetëm disa ditë pasi dështoi takimi i 14 shtatorit në Bruksel, Kurti ka akuzuar ndërmjetësuesin Lajçak se është pozicionuar qartë kundër Kosovës.

“Në takim u ekspozova përballë një skenari të cilin Lajçak e kishte dizajnuar kohë më parë”, deklaroi Kurti, derisa bëri edhe akuzën e rëndë ndaj tij.

“Më lejoni ta përfundojë këtë pjesë të parë të fjalimit se më 14 shtator pati një pozicionim të qartë të ndërmjetësit kundër Kosovës dhe kundër marrëveshjes bazike. Ata kanë shkuar shumë larg me goditjen e të ardhmes së Kosovës”, deklaroi Kurti, i cili tregoi se për Lajçakun është ankuar në Uashington, Bruksel, Paris e Romë. /Demokracia.com/

Kurti i ankohet Uashingtonit, Brukselit, Parisit e Romës se Lajçaku e ka vendosur “qerren para kalit”

Të ngjashme