Arte
Promovohet “Katedralja Shën Mëria e Parisit” e përkthyer nga Primo Shllaku
Demokracia
12:30 | 16 Shkurt 2021

Share:

Mbrëmjen e kaluar në Soma Book Station, u mbajt takimi letrar me shkrimtarin Primo Shllaku, në kuadër të promovimit të përkthimit të librit “Shën Mëria e Parisit, nga Victor Hygo.

Kjo ngjarje, që erdhi si bashkëpunim Social Creativity dhe Alliance Française de Pristina, solli ngrohtësi në një prej netëve më të ftohta të këtij viti, transmeton Demokracia.com

I prezentuar si nipi i përkthyesit të famshëm të Iliadës dhe Odisesë, Gjon Shllakut, Primo Shllaku tregoi për përvojën e përkthimit të këtij libri, një prej kryesore nga ‘perlat e imoralistëve francez’, sikur u shpreh ai.

Primo spjegon se Hygoin e konsideron imoralist të jetës, në aspektin e të jetuarit dhe të disponimit të vetvetes, sepse, sikur thotë ai ‘ne nuk jemi në disponim të plotë të vetes, sepse kushtëzohemi nga morali, feja, partia, shteti etj, ngjajshëm edhe me karakterin e klerikut të librit, ku pas pamjes së njeriut të bukur, të ditur, të kulturuar e vetëpërmbajtur, qëndron përbindëshi i frustruar, i cili në pamundësi të kontrollit të epshit që ndjen për Esmeraldën, e sakrifikon atë”.

Edhepse përzgjedhjen e librit nuk e kishte bërë ai, por Aleanca Franceze, si mënyrë për të shprëndarë këtë thesar të kulturës së tyre, Primo tregon se si përkthimi i librit iu bë një rutinë për të kaluar karantinën, gjatë së cilës ai punoi çdo ditë, madje edhe të dielave.

“Nuk të vijnë gjithmonë të gjitha gjërat e këqija, e edhe kësaj here e vërtetova këtë. Përderisa ishim të bllokuar gjatë pandemisë, unë gjeta shpëtim te përkthimi i Hygo-it”, tregon ai.

Përkthimi i librit prej 800 faqesh i ka zgjatur saktësisht 160 ditë punë të pandaluar, gjatë së cilës ai ka hasur në shumë sfida gjuhësore, mirëpo Primo thekson ‘tendencën për ta hapur gjuhën përmes kryqëzimeve me gjuhë të ndryshme, si mënyrë për të pasuruar dhe pllenuar shqipen’./Demokracia.com

Të ngjashme