Lajme
Pretendon Petkoviq: Armët ilegale të konfiskuara më parë në Kosovë po ruhen në veri për t’i akuzuar serbët
Demokracia
11:06 | 24 Qershor 2023

Share:

I ashtuquajturi drejtori i zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq, ka pretenduar në një konferencë për media, se ka dekonstruktuar planin e Qeverisë së Kosovës, gjegjësisht kryeministrit, Albin Kurtit dhe ministrit të Brendshëm, Xhelal Sveçlës.

Petkoviq pretendoi se plani i ri i Kurtit dhe Sveçlës është që armët ilegale të grumbulluara kohë më parë nga qytetarët në Kosovë të transportohen në bazën e njësisë speciale të Policisë në pjesën Jugore të Mitrovicës në atë mënyrë të që njëjtat të përdoren më vonë si pretekst për arrestime të reja të serbëve ose të ruhen në ndonjë vend në Veri ku më pastaj akuzohen serbët për këtë.

Për planin në fjalë, sipas Petkoviq, Inteligjencia Serbe është në dijeni dhe ka informata të dorës së parë.

“Shërbimet tona të sigurisë gjetën informacione dhe informuan shtetin më të fuqishëm në botë për planet dhe synimet e Prishtinës. Në një dokument të datës 23 qershor të këtij viti, dërguar shumë orë para aksionit në Zveçan, shërbimi ynë informativë bëri të ditur se gjatë veprimtarisë së saj ka marrë vesh se institucionet në Prishtinë dhe shërbimet e tyre janë duke përgatitur arrestime të reja të serbëve dhe fillimin eventual të konflikteve të armatosura ndëretnike. Sipas këtij plani, armët ilegale të konfiskuara në periudhën paraprake nga shtetas të nacionalitetit shqiptar dhe serb po transportohen në bazën e njësive speciale në Belvedere në pjesën jugore të Mitrovicës. Synimi është që ato armë të keqpërdoren për arrestime të reja ose të ruhen në ndonjë vend në Veri dhe pastaj të akuzohen serbët për këtë”, ka pretenduar Petkoviq, përcjell AP.

Petkoviq ndër të tjera ka deklaruar se Serbisë po i bëhet luftë dezinformative nga Kosova dhe se ka prova që i hedhin poshtë, siç tha ai, gënjeshtrat e Kurtit dhe Sveçlës.

“Unë do të paraqes prova që tregojnë në mënyrë të pakundërshtueshme se sa gënjeshtarë janë Kurti dhe Sveçla dhe të gjithë në Prishtinë. Kundër Serbisë po bëhet një luftë dezinformative me qëllim të shkatërrimit të Serbisë dhe prishjes së dialogut”.

Ai bëri të ditur gjithashtu se presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, brenda 24 orëve do t’i drejtohet publikut me shumë më tepër të dhëna dhe informacione.

“Bisedimet dhe takimet intensive mes presidentit Vuçiq dhe lidershipit tonë ushtarak janë duke u zhvilluar dhe në përputhje me këtë do të marrim vendime të rëndësishme në periudhën e ardhshme. Do të luftojmë për të ruajtur paqen, do të bëjmë gjithçka për t’ia treguar botës dhe vendit se me çfarë mashtrimesh po përballemi të cilat kanë për qëllim që ta dobësojnë plotësisht Serbinë, por edhe të shkaktojnë incidente të reja dhe të krijojnë hapësirë ​​që Kurti të bëjë arrestime të pabaza në Veri, të krijojë kriza të reja dhe të na çojë në konflikte”.

Të ngjashme