Lajme
Policia demanton Ramën, mohon se në çdo të tretën veturë është gjetur armë
Demokracia
20:09 | 09 Gusht 2023

Share:

Policia e Kosovës ka dalë me të dhëna për numrin e veturave të kontrolluara dhe armët e konfiskuara. Komunikata e PK-së ka ardhur pasi kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka thënë se sipas informatave që ka marrë nga Policia, në çdo të dytën apo të tretën veturë në Prishtinë janë gjetur armë.

Policia ka treguar se në Kosovë janë të regjistruara 435 mijë vetura, vetëm në Prishtinë 86 mijë.

Nga 1 janari deri më 8 gusht, kanë hyrë në vendin tonë (janë pajisur me Polisa të sigurimit) mbi 204 mijë vetura.

PK-ja ka qartësuar se armët e konfiskuara nuk janë gjetur vetëm në vetura. Policia ka theksuar tutje se bazuar në të dhënat për veturat e ndaluara e të kontrolluara nga ajo gjatë urdhrit operativ “Sezonit veror-dimëror, “përqindja e armëve të gjetura, në krahasim me veturat e kontrolluara, është një armë në disa qindra vetura të kontrolluara”.

“Policia, vetëm gjatë realizimit të Urdhrit Operativ (UO) ‘Sezoni veror 2022’ ka ndaluar e kontrolluar mbi 329 mijë vetura, kurse gjatë realizimit të Urdhrit Operativ ‘Sezoni dimëror 2022-2023’ ka ndaluar dhe kontrolluar mbi 160 mijë vetura. Numri i armëve të konfiskuara gjatë vitit 2022 është 1473 armë, kurse në periudhën janar-korrik 2023 janë konfiskuar 636 armë, këto armë nuk janë gjetur vetëm në vetura, por është numri i përgjithshëm i armëve të konfiskuara”, thuhet në njoftim.

Ndërkaq, ka dhënë statistika edhe për aksionet e mbrëmshme, 8 gusht.

“Mbrëmë, më 08.08.2023, gjatë realizimit të UO ‘Goditja’ janë kontrolluar 2049 vetura (në rajon të Prishtinës 420), në këto vetura janë gjetur e konfiskuara 6 armë (3 në rajonin e Prishtinës)”.

Të ngjashme