Lajme
Plani i dështuar | Albin Kurti e shkeli planin e tij qeverisës, dialogu nga prioritet i fundit u bë i pari
Demokracia
20:01 | 25 Tetor 2023

Share:

Kryeministri Albin Kurti, pak pas ardhjes në pushtet kishte thënë se dialogu me Serbinë nuk është prioritet i tij.

Ai deklaronte se dialogu mund të ishte prioriteti i tij i gjashtë apo i shtatë. Edhe në programin e tij qeverisës, raportin me Serbinë e kishte lënë në faqen e fundit, shkruan Demokracia.com.

Por, prej kur e nisi punën si kryeministër, Kurti po merret vetëm me Serbinë, duke harruar deklaratat dhe planin e tij.

Albin Kurti edhe nesër do të jetë në Bruksel në një takim të nivelit të lartë, me liderët e Gjermanisë, Francës dhe Italisë në Bruksel, duke i gëlltitur fjalët e veta s’e nuk ulet në tavolinën e bisedimeve pa ndëshkimin e Serbisë për agresionin e 24 shtatorit, ku në fshatin Banjskë u sulmua policia dhe u cenua integriteti i vednit dhe si pasojë mbeti i vrarë edhe rreshteri Afrim Bunjaku.

LEXO EDHE: 

Një ditë para takimit në Bruksel | Albin Kurti përballë “serbofilisë” së dikurshme të tij

Kurti në krye të Qeverisë nuk është më ai opozitari që protestonte dhunshëm kundër marrëveshjeve me Serbinë, por tani vrapon i pari drejt Brukselit.

Në planin e tij qeverisës, ai zotohej se Qeveria e Kosovës angazhohet në dialogun me Serbinë me synim normalizimin përfundimtar të marrëdhënieve dypalëshe, por situata veçse u përkeqësua edhe më shumë.

Në plan thuhej se dialogu me Serbinë zhvillohet për adresimin e çështjeve ndërshtetërore dhe fqinjësisë së mirë, si dhe ka orientim kryesor përfitimet e qytetarëve nga rezultatet e dialogut ndërshtetëror, por këto çështje nuk u panë të adresohen, sepse ai u mor vetëm me Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe, që Kurti e quate Zajednicë.

Edhe pse thoshte se marrëveshja finale e synuar do të ketë brenda të gjitha çështjet e pazgjidhura që nga sukcesioni i ish Federatës Jugosllave në të cilën Kosova ishte element konstituiv, ai në Ohër më 18 mars pranoi një marrëveshje që nuk e kishte njohjen.

LEXO EDHE:

“Sanksione para dialogut” | Pasi e amnistoi për sulmin terrorist në Banjskë, Kurti pranon ta takojë Vuçiqin pa kushte

“Qeveria e Kosovës do të marrë pjesë në dialogun me Serbinë me parime të qarta dhe me qëllimin që marrëveshja finale përveç çështjeve ndërshtetërore do të përfshijë edhe njohjen reciproke mes shteteve, njohjen nga pesë vendet e mbetura të BE-së dhe anëtarësimin në OKB”, thuhej në planin qeverisës të Kurtit.

Ndonëse premtonte bashkëpunim me partnerët ndërkombëtarë, Kurti i përkeqësoi aq shumë marrdhëniet saqë u bë kryeministri i parë që Kosovën e çoi drejt sanksioneve të BE-së.

“Përveç rolit ndërmjetësues të Bashkimit Evropian, Qeveria e Kosovës e sheh si shumë të rëndësishëm edhe koordinimin e ngushtë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Qeveria e Kosovës konsideron se pjesëmarrja në dialog duhet të bëhet duke u bazuar në përgatitje të mirëfilltë dhe dakordim të përbashkët për temat që duhet të bisedohen. Për këtë proces do të bashkëpunojmë me partnerët ndërkombëtarë dhe do të ftojmë të gjitha partitë politike, si dhe do të angazhojmë ekspertë të njohur për të kontribuar në këtë drejtim. Me partnerët e saj amerikanë dhe evropianë, Republika e Kosovës do të bëjë të gjitha përpjekjet për të arritur njohjen e ndërsjelltë mes Republikës së Kosovës dhe Serbisë, të mirëmbajë raporte normale të bazuara në parimin e shëndoshë të reciprocitetit dhe të jep një kontribut të rëndësishëm për paqen, sigurinë dhe stabilizimin afatgjatë të rajonit”, thuhet në planin e tij qeverisës.

Ai, po ashtu, planifikonte bashkëpunim me opozitën, por Kurti shpesh nuk i raporton as Kuvendit për dialogun dhe nuk është transparent për temat e dialogut.

LEXO EDHE:

Kurti harron transparencën dhe raportimin në Kuvend për dialog, bëhet gati për takimin e madh në Bruksel

“Me opozitën do të bashkëbisedojmë rregullisht për të ndërtuar konsensus nacional në përgjithësi sa i përket politikës së jashtme, e në veçanti për raportin me Serbinë.”, thuhet në planin e tij qeverisës. /Demokracia.com/

Ky është plani qeverisës i Albin Kurtit:

Të ngjashme