Lajme
Një ditë para takimit në Bruksel | Albin Kurti përballë “serbofilisë” së dikurshme të tij
Demokracia
18:12 | 25 Tetor 2023

Share:

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, nesër e ka në agjendë një takim të rëndësishëm në kuadër të dialogut me Serbinë.

Deri më tani është konfirmuar pjesëmarrja e tij në takim me liderët e Gjermanisë, Francës dhe Italisë në Bruksel, mirëpo nuk janë dhënë detaje rreth këtij takimi, shkruan Demokracia.com.

Ende askush nuk e di në mënyrë të qartë se çka është diskutuar në takimin e javës së kaluar me 5 emisarët e dialogut në Prishtinë dhe çka do të diskutohet në takimin e nesërm me liderët evropianë, pasi që ekziston një mungesë e madhe e transparencës nga ana e kësaj Qeverie.

Por, Albin Kurti, pritet që nesër t’i japë fund betejës së tij të gjatë kundër dialogut me Serbinë dhe kundër Zajednicës.

Ai pritet të pajtohet për zbatimin e planit të ri evropian, i cili iu prezantua Kosovës dhe Serbisë më 21 tetor, në kuadër të të cilit parashihet të themelohet Asociacioni i Komunave me Shumicë Serbe, të cilin sa ishte në opozitë e quante në versionin serbisht: Zajednicë.

Ndër vite, rreziku nga Zajednica sipas Albin Kurtit ishte i madh për Republikën e Kosovës.

Ai thoshte se themelimi i saj në Kosovë do ta rrezikojë ekzistencën e shtetit.

Demokracia.com sjell disa nga deklaratat e Abin Kurtit kundër Zajednicës, të cilën tash po jep sinjale se ta pranojë si Kryeministër i Kosovës:

1. Zajednica është e keqja më e madhe e Kosovës së pasluftës. Zajednicën nuk mund ta pranojë dikush i cili nuk është serbofil. Vetëm nga pozita e një serbofilie mund ta pranosh Zajednicën dhe kjo po na ndodh tash. Kushdo që e argumenton pozitivisht Zajednicën është serbofil. Zajednica është Zajednicë e Serbisë për serbët, sipas pikëpamjes së Serbisë, prandaj edhe mbështetja e Zajednicës është serbofili.

2. Zajednica për Kosovën është një kthim i Serbisë, i cili do të na e sjellë luftën për brezin e ardhshëm. Meqenëse, kur bëhen bashkë këto 10 komuna, një shtet brenda shtetit, atëherë fëmijët tanë luftën e kanë te dera. Me këtë rast, jo vetëm kryeministri, por i gjithë populli i Kosoëës, jo vetëm kryeministri, por gjithë Qeveria e Kuvendi i Republikës do të duhej të shqetësoheshin për të gjithë fëmijët e Kosovës, jo vetëm për familjet e tyre, sepse me Zajednicën te dera, ne e kemi luftën te dera.

3. Zajednica e instaluar në Kosovë nuk do të mund të hiqet pa gjakderdhje të reja. Nuk do të mund të hiqet. Gjakderdhja do të ndodhë, ta zëmë, në Novobërdë (Artanë) ku popullsia është 60% serbë e 40% shqiptarë. Shqiptarët kanë qenë shumicë, mirëpo Plani i Ahtisaarit ia ka marrë një pjesë Gjilanit dhe një pjesë Dardanës apo Kamenicës dhe e ka trefishuar territorin e Artanës apo Novobërdës, në mënyrë që serbët të bëhen shumicë. Tash, çka të bëjnë ata 40% shqiptarë të Artanës? Ata i kanë dy mundësi kur të instalohet Zajednica, ose të shpërngulen, ose të ballafaqohen me pushtetin e Zajednicës. Unë mendoj që dikush edhe mund të shpërngulet, por jam i bindur se dikush edhe do të ballafaqohet.

4. Shqiptarët nuk do ta durojnë Zajednicën, sepse nuk do të mund ta durojnë. Shqiptarët nuk e kanë duruar Serbinë dhe nuk do ta durojnë as Zajednicën. Këtë e duron vetëm kjo qeveri, në krye me këtë kryeministrin aktual (Mustafa). Domethënë, nuk ka shqiptarë që e duron Zajdenicën dhe shteti i Kosovës do të bëhet jofunksional.

5. Unë jam i bindur që Zajdenica ka vdekur. Aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese thotë që secili nga 7 Kapitujt e Marrëveshjes Mustafa – Vuçiq, e shkelë Kushtetutën e Republikës së Kosovës në 23 Nene. Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës e ka vrarë Zajednicën. Përfundimisht, e ka mbytur Zajednicën.

6. Zajednica është e vdekur. Mirëpo, kjo Qeveri po orvatet ta ringjallë. Të provosh ta ringjallësh Zajednicën do të thotë të përfundosh në pozicionin e nacionalizmit serb. Sepse, pas këtij Aktgjykimi të Gjykatës Kushtetuese, të insistosh edhe më tutje, të këmbëngulësh në Zajednicë, do të thotë të përfundosh në pozicionin e nacionalizmit serb.

Ndryshe, në media u raportua sot se Albin Kurti ka dhënë pajtimin e tij qysh në takimin e së shtunës, më 21 tetor, për planin e ri.

Se Kosova tashmë e ka pranuar këtë “plan të ri” është kuptuar edhe nga kryeparlamentari Glauk Konjufca, i cili në një prononcim për Televizionin 7 ka thënë se “nuk e kam shqyrtuar me kujdes, por kështu në shikim sipërfaqësor ‘plani i ri’ (drafti i Asociacionit) është plotësisht në përputhje me Kushtetutën e Kosovës dhe nuk përbën kurrfarë niveli i tretë”.

Edhe pse deklarimi i ndërmjetësuesit të Bashkimit Evropian, Miroslav Lajçak, në shoqërinë e Gabriel Escobarit nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Jens Plotner nga Gjermania, Emmanuel Bonnes nga Franca dhe Alessandro Cattaneo nga Italia, ishte se janë pajtuar që të vazhdojnë bisedimet, në fakt pajtimi për ecjen tutje me “planin e ri” ka ndodhur.

Sa i përket udhëtimit të kryeministrit Kurti drejt Brukselit, përkundër tentimeve nuk është arritur që të sigurohet një takim i tij me presidentin serb Aleksandër Vuçiq.

Kurti, njëjtë si Vuçiq, do të ketë takime dypalëshe me liderë të ndryshëm evropianë në margjinat e samitit të BE-së, ku mblidhen liderët e unionit.

Gjatë nëntorit do të ketë një varg takimesh më intensive sesa në muajit e fundit, por më i rëndësishmi do të jetë ai më 10 dhe 11 nëntor në Forumin e Paqes në Paris.

Forumi i përvjetshëm adreson nevojat e bashkëpunimit të shteteve për çështje të ndërvarura, duke theksuar mungesën e aksionit të përbashkët në kohëra të turbulencave ndërkombëtare, por këtë radhë, buzë kësaj, rrumbullakson edhe pajtimin dypalësh Kosovë – Serbi për të vazhduar me zbatimin e pikave të tjera të dala nga Marrëveshja e Brukselit e aneksuar në Ohër.

Gjithashtu, nga ky Forum i Paqes, për shkak të akordit të plotë në rrugën përpara, Kosovës do t’i hiqen masat shtrënguese, duke dhënë sinjale kështu të respektimit të kërkesave nga ndërkombëtarët.

Deri në fund të nëntorit do të mbahen disa takime, të cilat më shumë do të vlejnë si amortizim i elektorateve politike, si nga Kurti në Kosovë, ashtu edhe nga Vuçiq në Serbi.

Pajtimi dhe heqja e sanksioneve ndaj Kosovës në njërën anë, do të përcjellet edhe me zhvillime të tjera, si kthim i serbëve të Kosovës në institucione, të paktën në disa nivele, në mënyrë që të mundësohet shpallja e zgjedhjeve.

Edhe rikonstruktimi formal i Listës Serbe me kryetar të ri është bërë në funksion të mundësimit të deklarimit të kësaj partie se tash janë prozgjedhjeve dhe do të marrin pjesë.

Si do të gjendet një rrugë e mesme për shkuarje në zgjedhje është çështje që vazhdon të diskutohet, por nëse gjithçka shkon sipas planit, shpallja e zgjedhjeve pritet të bëhet kah fundi i muajit nëntor. /Demokracia.com/

Të ngjashme