Lajme
Kurti harron transparencën dhe raportimin në Kuvend për dialog, bëhet gati për takimin e madh në Bruksel
Demokracia
17:55 | 25 Tetor 2023

Share:

Kryeministri Albin Kurti po bëhet gati edhe për një takim të rëndësishëm në kuadër të dialogut me Serbinë. Tashmë, është konfirmuar pjesëmarrja e tij në takim me liderët e Gjermanisë, Francës dhe Italisë në Bruksel, i cili pritet të mbahet nesër. Por, detaje rreth këtij takimi nuk janë dhënë.

Deri me tani askush nuk e di në mënyrë të qartë se çka është diskutuar në takimin me 5 emisarët e dialogut në Prishtinë dhe çka do të diskutohet në takimin e nesërm me liderët evropianë.

Opozita është shprehur e shqetësuar për mostransparencë në këtë proces. Zyrtarët e partive opozitare kanë thënë se kryeministri është dashur që paraprakisht të raportonte në Kuvend për këtë takim.

Ajo çka dihet deri me tani është se takimi i të enjtes do jetë në kuptim të diskutimeve të nisura me 5 emisarët gjatë vizitës Prishtinë.

Kryeministri Kurti i është përgjigjur pozitivisht kërkesës së 5 emisarëve për një takim me liderët e Gjermanisë, Francës, Italisë dhe Presidentes së Komisionit Evropian, në margjina të samitit të Këshillit Evropian. Takimi do jetë në kuptim të diskutimeve të nisura me 5 emisarët gjatë vizitës së tyre në Prishtinë me datën 21 tetor, në të cilin ata propozuan një plan të ri që përfshinte një paketë më të plotë të zbatimit gjithëpërfshirës të Marrëveshjes Bazike bashkërisht me një draft të propozuar për zbatimin e nenit 7. Kryeministri Kurti ka shprehur dakordimin e tij që ky plan i ri të jetë korniza e vazhdimit të diskutimeve të mëtejshme me shtetet aleate, ShBA, Gjermani, Francë dhe Itali, e cila do të duhej të siguronte një komponent të fuqishëm të sigurisë dhe gjithashtu të fuqizonte perspektivën e anëtarësimit në organizata ndërkombëtare.”, është thënë në një përgjigje të Qeverisë për portalin Koha.

Ndërsa, Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, ka treguar se plani për Asociacionin që e kanë sjell në Prishtinë pesëshja e madhe është në përputhje me Kushtetutën e Kosovës.

Ndonëse e ka pranuar se nuk e ka lexuar thellësisht planin, ai ka thënë se dokumenti nuk paraqet pushtet të tretë.

Nuk e kam shqyrtuar me kujdes, vetëm kështu një shikim sipërfaqësor. Por po, është plotësisht në përputhje me Kushtetutën e Kosovës dhe kufarë niveli i pushtetit në Kosovës. Por, edhe kjo nuk mendoj se është temë e negociatave me Serbinë.”, ka thënë Konjufca, pas seancës gjyqësore.

Opozita në terr informativ

Opozita e ka kritikuar kryeministrin Albin Kurti për mos transparencë në procesin e dialogut me Serbinë. Përfaqësuesit e partive politike opozitare kanë thënë se pas takimit me pesëshen e madhe dhe para takimit të nesërm Kurti është dashur të raporton në Kuvendin e Kosovës.

Deputeti i AAK-së, Pal Lekaj, ka thënë për gazetën Nacionale se kryeministri e ka lënë në terr informativ opozitën për çështjen e dialogut me Serbinë.

Kryeministri i Kosovës nuk po ka përgjegjshmëri politike dhe institucionale në procesin e dialogut. Kosova, qytetarët dhe ne si politikbërës vazhdojmë me qenë në një errësirë informatash mbi procesin e marrëveshjes finale Kosovë-Serbi. z. Kurti nuk po i beson as ndërkombëtarëve dhe as vendorëve, dhe kur e lidhim këtë realitet që ai është edhe i vetëm në dialog me ekipen e tij , këtu shtohen dyshimet dhe pyetjet se çka po nënshkruan Kryeministri në emër të Kosovës, a po humbim a po fitojmë dhe çfarë e ardhme po na pret si shtet?”, ka thënë Lekaj, duke shtuar se transparenca do të fuqizonte procesin e dialogut.

Tani po ka takime edhe me praninë e emisarëve, dhe ne nuk e dimë draftin e marrëveshjes, nuk e dimë a po cenohet integriteti dhe sovraniteti i Kosovës, dhe nuk e dimë në cilën fazë jemi. Dhe, për këto e shumë të tjera kryeministri duhet ose në Kuvend ose me dyer të mbyllura të takojë e informojë spektrin politik dhe akterët e fuqishëm të shtetit të Kosovës. Madje, po të isha unë Kryeministër, qysh para një viti do ta bëja praktikë që një herë në javë të zhvilloja formatin e takimeve me dyer të mbyllura me spektrin politik, shoqërinë civile, dhe ekspertët e njohësit e diplomacisë të vendit tonë. Vetëm kështu do të ishim të fortë në tavolinë dhe humbjet nga marrëveshja finale do të ishin sa më të vogla”, është shprehur Lekaj.

Sipas tij, tani bashkësia ndërkombëtare do të imponoj llojin e dialogut “merre ose lere”.

Qysh nga takimi i ardhshëm ndërkombëtarët do të prezentojnë dhe urdhërojnë që dialogu të vazhdojë shpejt e konkret, të bëhen sakrifica nga dy palët, të bëhen dakordanca dhe zbatime të pikave të marrëveshjes në shtetet përkatëse Kosovë-Serbi. Mbi të gjitha mendojë që meqë nuk kemi marrë veprime me kohë, tani Bashkësia Ndërkombëtare do të fillojë fazën e Imponimit në dialog e njohur si ‘merre ose leje’”, ka thënë Lekaj.

Edhe zëdhënësja e LDK-së, Sibel Halimi, ka kërkuar raportim të Kurtit në Kuvend për “ultimatumet” e emisarëve për dialog.

Kryeministri do të duhej të raportonte në Kuvend për ultimatumin që ka marrë nga pesëshja që përfaqësojnë aleatët strategjik të Kosovës, para se të ligjërojë nga Greqia për trazirat në Evropë e problemet në të katër anët e botës. Shumë popullist në mitingje zgjedhore e njeri i prapaskenës në veprime, kryeministri ka përbrendësuar një qasje mosbesuese kundruall opozitës, medias e miqve të Kosovës dhe çka është më e frikshmja, ai ka hyrë në ujëra të turbullta me politika konfliktuoze. Kuvendi në anën tjetër, jo vetëm që nuk e kryen detyrën e tij, por shpesh abuzon me të drejtën e deputetëve të shumicës që lirshëm të deklarohen. Tempulli i demokracisë nuk është zgjatim i ekzekutivit; i pari e mbikëqyr dhe kontrollon këtë të dytin. Ky deformim, kjo stërkeqje e konstitucionalizmit shtetëror, është rrezik shtesë për Republikën tonë!”, ka shkruar Halimi në profilin e saj në “Facebook”.

Ndërsa, deputetja e PDK-së, Ariana Musliu-Shoshi, ka thënë se Kurti nuk e llogaritë për institucion Kuvendin e Kosovës. “Me Asociacion modern evropian! Pa vonesa, pa kushte. Kjo i bjen EDHE asi, EDHE kësi! Kosova nën masa nga BE-ja, Serbia pa ndëshkim! Albini në Greqi, kuvendin as që e llogarit si institucion, e Donika me tërë botën merret veç me punët e veta Jo. Të gjitha për pushtet, asgjë për shtet! Krejt dhe drejt, mjerimit!”, ka shkruar Shoshi në profilin e saj në “Facebook”.

Në këtë mënyrë Kurti nuk ka respektuar rezolutat e Kuvendit të Kosovës për raportim rreth procesit të dialogut.

Kryeministri Albin Kurti nuk ka raportuar në Kuvend as për takimin e 14 shtatorit që e ka pasur në Bruksel me presidentin e Serbisë, Aleksander Vuçiq.

Ai asnjëherë nuk ka qenë i rregullt në raportin e tij para Kuvendit për procesin e dialogut. Kurti ka raportuar për procesin para deputetëve vetëm kur është kushtëzuar nga partitë opozitare parlamentare.

Të ngjashme