Lajme
“Përplasja” Kurti – Sveçla për Nikollën | Njëri e listonte në organizatat kriminale kundër shtetit të Kosovës, tjetri si rezistues i presionit të Beogradit dhe bandave të tij
Demokracia
10:00 | 10 Shtator 2023

Share:

Për kryeministrin Albin Kurti, Nikolla Radomiroviq, bënë pjesë në listën e anëtarëve të organizatave kriminale serbe që funksionojnë ilegalisht në veriun e Republikës së Kosovës. Por, për ministrin e tij, Xhelal Sveçlën, ai nuk është i tillë, por një person që “vazhdimisht i ka rezistuar presionit të Beogradit”, shkruan Demokracia.com.

Është bërë e vështirë të gjendet konsistenca e qëndrimeve të drejtuesve të Qeverisë së Kosovës për të njëjtën çështje. Ndryshimi i qëndrimeve në mënyrë të vazhdueshme për të njëjtën çështje, është bërë i zakonshëm. Kurti dhe vartësit e tij në Qeveri nuk kanë ndryshuar qëndrimet vetëm në raport me kohën sa ishin në opozitë, por kjo është bërë e zakonshme edhe për periudhën sa janë duke qeverisur.

Rasti i fundit që shpërfaq këtë përplasje të “qëndrimeve”, që nuk qëndrojnë të tilla as disa ditë, është përplasja e kryeministrit Kurti me vartësin e tij, ministrin Sveçla, për Nikolla Radomiroviqin që së fundmi ishte bërë pjesë e ekzekutivit të komunës së Leposaviqit që udhëhiqet nga njeriu i VV-së, Lulzim Hetemi, i cili po vazhdon të qëndrojë i ngujuar në objektin e komunës që nga 26 maji i këtij viti.

NIKOLLA SI KRIMINEL PËR KURTIN

Në mënyrë të paprecedentë, në seancën e Kuvendit të Kosovës më 2 qershor 2023, vetëm pak ditë pas protestave të dhunshme në komunat veriore kur kundërshtohej vendosja e kryetarëve shqiptarë në ndërtesat komunale, kryeministri Kurti bëri publike listën me emrat e disa pjesëtarëve të bandave kriminale serbe që po kryenin akte dhune në veri.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, gjatë publikimit të emrave të personave dhe organizatave kriminale që morën pjesë në protestën e dhunshme në veri, ka konstatuar se këto protesta, me të gjithë dashakeqësitë e tyre, kanë shërbyer për të siguruar “identifikime të vlefshme”.

Në mesin e këtyre emrave, Kurti përmendi edhe Nikolla Radomiroviqin, si pjesë e organizatave kriminale serbe që kryejnë akte dhune kundër Republikës së Kosovës.

“Më 29 maj ka rrahur një qytetar serb në Leposaviq, sepse ka qenë duke iniciuar me telefon. Personat e maskuar që ishin pjesë e protestës së dhunshme në Zveçan janë: Nikolla Agjiq, ka hedhur koktej molotovi në Zveçan dhe është pjesëtar i organizatës kriminale serbe “Severna brigada”. Millan Zhivkoviq po ashtu pjesëtar i të njëjtës organizatë. Danillo Krivokapiq, Jovica llazoviq, Nikola Radomiroviq. Vëllezërit Stefan dhe Dejan Nedelkoviq. Kjo organizatë kriminale në rrjete sociale ka postuar lajm që pjesëtarë të grupit mercenar rus, Wagner, kanë arritur në Kosovë”, deklaronte Kurti.

Kjo nuk e ka penguar fare Lëvizjen Vetëvendosje të Kurtit, që Nikolla Radomiroviqin ta emërojë në postin e drejtorit në kabinetin e kryetarit të Leposaviqit, Lulzim Hetemit, pas përmendjes së emrit të tij si pjesë e organizatave kriminale.

Lexo më shumë: https://demokracia.com/video-kurti-e-punesoi-ne-kabinetin-e-lulzim-hetemit-ish-ushtarin-e-serbise-per-te-cilin-tha-ne-kuvend-se-sulmoi-kfor-in-policine-dhe-gazetaret-ne-veri/

NIKOLLA SI REZISTUES NË VAZHDIMËSI NDAJ BEOGRADIT

Por, krejtësisht ndryshe për Nikolla Radomiroviq, është deklaruar Ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla, duke e cilësuar atë dhe babain e tij (zëvendësministrin Radoica Radomiroviqin) si persona që “në vazhdimësi i kanë rezistuar presionit të Beogradit dhe bandave të tij”.

Kjo është bërë e ditur në një qëndrim të shprehur në Facebook, ku ka njoftuar se drejtori Nikolla Radomiroviq është “arrestuar nga Policia e Serbisë dhe është dërguar në stacionin e policisë serbe në Rashkë”.

“Ai së bashku me të fejuarën e tij po mbahen të arrestuar për arsyen e vetme se Nikolla është pjesë e institucioneve të Republikës së Kosovës dhe së bashku me babain e tij në vazhdimësi i kanë rezistuar presionit të Beogradit dhe bandave të tyre. Ky arrestim i padrejtë është edhe një dëshmi e qasjes destruktive e destabilizuese të qeverisë së Serbisë dhe hakmarrje pas suksesit të Kosoves të arritur dje dhe dështimit të tyre për të ndalur vendimin që Kosova të jetë nikoqire e lojërave mesdhetare 2030”, shkruajti Sveçla në mbrëmjen e 9 shtatorit 2023.

Lexo edhe këtë: https://demokracia.com/erdhi-edhe-kjo-dite-svecla-i-kerkon-urgjentisht-serbise-te-liroje-ish-ushtarin-e-saj-sot-drejtor-ne-komune-te-udhehequr-nga-vetevendosja/

Radoica dhe Nikolla Radomiroviq u bënë pjesë e debatit në Kosovë gjatë verës, shkruan Demokracia.com.

Lexo më shumë: https://demokracia.com/kurti-e-emeroi-zv-minister-serbin-qe-kishte-marre-pjese-ne-lufte-me-1999-ne-kosove/

Lexo më shumë: https://demokracia.com/albin-kurti-nacionalisti-i-shtirur-qe-po-i-rehabiliton-pjesetaret-e-ushtrise-kriminale-te-serbise-ne-institucionet-e-kosoves/

Deri më tani, kryeministri Kurti vazhdimisht i ka ikur ballafaqimit të drejtpërdrejtë me mediet lidhur me këto emërime dhe për skandale të tjera të Qeverisë së tij. /Demokracia.com/

Lexo më shumë: https://demokracia.com/ikja-e-kurtit-nga-pyetjet-per-ekstazine-qe-trafikonte-asamblisti-i-tij-ridin-rezervat-shteterore-dhe-ushtaret-e-serbise-qe-i-shperbleu-me-poste/

Të ngjashme