Lajme
Kurti e emëroi zv. ministër serbin që kishte marrë pjesë në luftë më 1999 në Kosovë
Demokracia
15:06 | 06 Gusht 2023

Share:

Dy muaj më parë – më 25 maj – Radoica Radomiroviq nga Leposaviqi u emërua Zëvendës Ministër për Komunitete dhe Kthim në Republikën e Kosovës, nga Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti. Nacionale ka pranuar informacione përmes burimeve se Radomiroviq “ka qenë pjesë e armatës serbo-jugosllave gjatë kohës së luftës në Kosovë” por edhe në ato në mbarë ish-Jugosllavinë kur Sllobodan Millosheviqi kishte shtënë në dorë tërë armatën jugosllave (JNA) për të kryer agresion, spastrim etnik e deri edhe në gjenocid, ndaj vendeve përbërëse të ish-Jugosllavisë – ndërmarrje kriminale këto që konkluzionin e gjetën në bombardimin e Serbisë nga (asokohe) 19 shtete të NATO-s. Veç kësaj Radomorivoq, siç mësojmë ne, ka qenë deri kohëve të fundit pjesë e Mbrojtjes Civile, organizatë kjo tashmë e shpallur edhe zyrtarisht si terroriste nga Qeveria e Kosovës.

“Po kam qenë pjesëmarrës në luftën në Kosovë…por skam marrë pjesë në operacione luftarake”, ka thënë Radoica Radomiroviq për Nacionalen, pyetur rreth këtyre informacioneve. Zëvendës Ministri serb i emëruar nga Kryeministri Kurti, thotë se gjatë viteve 1998-1999 “kam punuar si civil në administratë në Kazermë në Mitrovicë” duke e mohuar të ketë marrë pjesë në operacione luftarake.

“Kam paguar mëditjet e rezervistëve”, na thotë ai, dhe shton se gjatë kohës sa po ndodhnin luftimet në Kosovës “kam qëndruar në Starom Trgu në Tunelin e Parë” në Mitrovicë. Radoica Radomorivoq na thotë se për këto pohime të tij “kam të gjithë dokumentacionin e nevojshëm” për ta dëshmuar.

Në lidhje me informacionet se ka shërbyer si pjesëtarë serb i armatës jugosllave (JNA)-së, që ishte krejtësisht nën kontrollin dhe funksionin e Sllobodan Millosheviqit për të gërryer kufijtë e shteteve fqinje në farkëtimin e asaj që rëndom quhet “Serbi e Madhe”, Radomiroviq e pranon se aty ka qenë ushtar, ndërsa luftërat i quan “fatkeqe”.

“Po. Jam pjesëmarrës në të gjitha luftat në Kroaci dhe Bosnje-Hercegovinë më 1991-1992 (më pak se dhjetë muaj). Kam shërbyer si ushtar në JNA (Jugoslovenska narodna armija). Në ato luftëra fatkeqe ka pasur kroatë, myslimanë, por edhe shqiptarë e maqedonë në Pançevë në barrakadat e njësive speciale të JNA-së. Miku im i luftës, shqiptar nga Podujeva, Gëzim Mhemeti e pati humbur dorën në atë luftë. Kurrë s’e kam parë më, herën e fundit që e pash ishte në spital në Beograd”, ka shpjeguar Zëvendës Ministri, Radoica Radomiroviq.

Të ngjashme