Lajme
Erdhi edhe kjo ditë: Sveçla i kërkon “urgjentisht” Serbisë të lirojë ish-ushtarin e saj, sot drejtor në komunë të udhëhequr nga Vetëvendosja
Demokracia
20:37 | 09 Shtator 2023

Share:

Sllogani i famshëm i Vetëvendosjes ka qenë “Erdhi dita”, por që vjen dita që të emërojnë drejtor komunal një ish-ushtar të Ushtrisë së Serbisë të stacionuar në kazermën e Rashkës, Nikolla Radomiroviq; dhe që Ministri i Brendshëm i Kosovës, Xhelal Sveçla, një nga të parët dhe kryesorët në Vetëvendosje, të kërkojë lirimin e po këtij ish-ushtari të Rashkës nga vetë shteti serb – këtë s’do ta kishte pritur ndokush-ndoherë të vinte.

Por, erdhi edhe kjo ditë.

Xhelal Sveçla, ka reaguar (por edhe njoftuar) në Facebook për arrestimit e tij nga shteti i serb – ushtar i të cilit shtet Radomiroviq ishte deri para se të bëhej drejtor nga Vetëvendosja në Komunën e Leposaviqit – ku ka kërkuar “urgjentisht të lirohet” Nikolla Radomiroviq.

Kërkojmë nga Beogradi që urgjentisht të lirojë Drejtorin Radimiroviq dhe të fejuarën e tij dhe të ndalojë presionet e aktet e jashtëligjshme ndaj shtetasve të Kosovës, veçanërisht ndaj atyre të etnisë serbe të cilët janë lojal ndaj shtetit të tyre, Republikës së Kosovës, e në shërbim të të gjithë qytetarëve të saj”, ka shkruar Sveçla në Facebook.

Ky arrestim i padrejtë është edhe një dëshmi e qasjes destruktive e destabilizuese të qeverisë së Serbisë dhe hakmarrje pas suksesit të Kosoves të arritur dje dhe dështimit të tyre për të ndalur vendimin që Kosova të jetë nikoqire e lojërave mesdhetare 2030”, ka shkruar Sveçla.

Kush është Nikolla Radomiriviqi, ish-ushtari serb?

Nacionalja, muaj më parë, pati raportuar për Radojica Radomiroviqin, ish-pjesëtar të Ushtrisë Jugosllave edhe gjatë kohës së luftës së llahtarshme në Kosovë. Pastaj pati raportuar për të birin e tij, Nikollën. Babë e bir dolën se kishin pasur dy gjëra të përbashkëta – shërbimin në ushtrinë serbe në të kaluarën e tyre, dhe shërbimin në të tashmen në institucione të Republikës së Kosovës gjatë qeverisjes së Lëvizjes Vetëvendosje.

I biri i Radoica Radomiroviq, Zëvendës-Ministrit për Komunitete dhe Kthim, Nikola Radomiroviq, u emërua nga Kryetari i Leposaviqit, Lulzim Hetemi, drejtor në njërën nga drejtoritë komunale. Kështu kishte njoftuar më 4 korrik Ministri i Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi.

Nga sot, Violeta Sakiç, Nikolla Radomiroviq, Nenad Radosavljevic dhe Miroslav Minic do të jenë pjesë e kabinitetit të Kryetarit Lulzim Hetemi,” – pati njoftuar ministër Elbert Krasniqi.

Nikolla Radomiroviq, siç pati raportuar Nacionale, ndryshe (por edhe njëjtë) nga babai i tij, ishte (deri kohëve të fundit para se të bëhej pjesë e kabinitetit të Hetemit) pjesëtar i Ushtrisë së Serbisë, përkatësisht i Brigadës së 4’të ushtrisë tokësore, njësi kjo e vendosur në Kazermën e Rashkës.

E kjo nuk i kishte penguar Qeverisë e Kosovës, Ministrit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqit, e as Kryetarit të Leposaviqit që është i partisë Vetëvendosje, Lulzim Hetemit, që pjesëtari tash i kabinitetit të qeverisjes së këtij të fundit, të ketë qenë edhe pjesëtar profesional i ushtrisë serbe, njësiti i të cilit është i vendosur në Kazermën e Rashkës, mu matanë territorit të Republikës së Kosovës, përkatësisht Komunës së Leposaviqit, rreth 20 kilometra distancë.

Nacionale pati biseduar me Nikolla Radomorivicin se a është më pjesë e ushtrisë serbe dhe kur e ka lënë ushtrinë. Se ka qenë pjesë e ushtrisë serbe, ai as vet nuk e mohon.

Na pati thënë se ka qenë pjesë e ushtrisë serbe “deri kur u bëra drejtor” në Komunën e Leposaviqit, e një rresht më posht na thotë se kam “shërbyer në 2021”.

Nacionale ia shtron pyetjen “a ke shërbyer deri më 2021, në 2021, apo nga 2021?”, por ai na thotë “ju dhash përgjigje të mjaftueshme, kam përkushtime tjera”, dhe nuk kthen më përgjigje.

Biseda me Radomiroviq:

Nacionale: Tani që jeni pjesë e njërës prej drejtorive në komunën e Leposaviqit të udhëhequr nga Lulzim Hetemi, po ju shkruaj për t’ju pyetur nëse jeni ende pjesë e Ushtrisë Serbe (Brigada e 4-të e Armatës, njësi e vendosur në Kazermën e Rashkës).

Radomiroviq: Jo nuk jam në ekip.

Nacionale: Kur e keni lënë ushtrinë serbe dhe keni qenë pjesë e ushtrisë serbe deri vonë?

Radomiroviq: Kam shërbyer në ushtri. Para se të bëhesha pjesë e drejtorisë.

Nacionale: A mund të na tregoni datën kur e latë ushtrinë? Para sa kohe?

Radomiroviq: Kam shërbyer në 2021. Shpresoj t’ju kam dhënë përgjigje të mjaftueshme. Më falni, kam angazhime të tjera.

Nacionale: Pra, ju thoni se keni shërbyer në 2021, nga 2021, apo deri në 2021?

Pas kësaj pyetje të fundit, Nikolla Radomiroviq nuk ka kthyer më përgjigje./Nacionale/

Të ngjashme