OpEd
Perëndimi duhet ta thyejë bllokadën e Rusisë, përndryshe bota do të vdesë nga uria
Demokracia
14:45 | 21 Maj 2022

Share:

Nga Sean O’Grady “The Indipendent”

Organizata e Kombeve të Bashkuara mund të mos jetë shumë e aftë në ndalimin e luftërave, por të paktën Sekretari i Përgjithshëm i saj, Antonio Guterres, është një njeri i guximshëm, i denjë për postin që mban, dhe që është gati ta tregojë veten ashtu siç është.

Dhe tani ai ka shprehur haptazi revoltën e tij mbi sjelljen brutale të Vladimir Putin. Ky i fundit nëpërmjet masakrave, shkatërrimeve dhe rrethimit të qyteteve ukrainase, po përpiqet që t’i imponojë gjithë botës vullnetin e tij.

Guterres thotë se konflikti në Ukrainë, i kombinuar me krizën klimatike dhe ndërprerjet e zinxhirëve të furnizimit pas pandemisë “kërcënon të zhysë dhjetëra miliona njerëz në pasiguri ushqimore të ndjekur nga kequshqyerja, uria masive dhe zia e bukës”.

Pra, papritur kjo luftë mizore nuk ka të bëjë vetëm me lirinë e Ukrainës, sigurinë e Evropës dhe të ardhmen e NATO-s. Ne rrezikohemi haptazi nga një uri me përmasa globale. Edhe pse Putin dhe gjeneralët e tij vështirë se e planifikuan këtë gjë, pasi nuk kanë imagjinatën për ta bërë këtë, ata ia kanë dalë aksidentalisht ta mbajnë botën peng.

Siç e dimë të gjithë tani, Ukraina është “hambari” i botës, furnizuesi kryesor me grurë dhe vaj për gatim i pjesës më të madhe të Afrikës dhe Lindjes së Mesme. Aktualisht sasi të mëdha drithi dhe vaji luledielli po pengohen që të largohen nga Ukraina për shkak të luftës dhe bllokadës ruse ndaj porteve ukrainase në Detin e Zi.

Miliona tonë drithë janë në pritje të eksportit për të ushqyer të varfrit e botës, ndërsa Putin është shumë i kënaqur që bëri që ajo të kalbet nëpër magazina. Për shkak të sanksioneve, bota nuk mund të blejë çfarëdolloj gjëje që eksporton Rusia, dhe rritja e kostove të naftës, gazit dhe plehrave kimike e shkaktuar nga konflikti, i ka penguar prodhuesit e tjerë të mëdhenj të drithërave si Brazili që të zgjerojnë prodhimin.

Vende si India, Nigeria dhe Afrika e Jugut po ndalojnë eksportet e produkteve ushqimore. Arabia Saudite dhe fuqitë e tjera të mëdha të naftës, po hezitojnë të kompensojnë humbjen e naftës ruse në tregjet botërore. Bota nuk mund të ushqehet dot si duhet në rrethana të tilla. Sigurisht që Perëndimi po vuan pasojat e krizës dhe vështirësitë e kostos së jetesës; por vende si Egjipti dhe Libia ndodhen në një situatë shumë më të rëndë.

Në Perëndim ka një vetëdije gjithnjë e më të madhe se kriza ekonomike do të intensifikohet. Endrju Bejli, guvernatori i Bankës së Anglisë, e quajti situatën “apokaliptike”, duke iu referuar Katër Kalorësve biblikë të apokalipsit – Vdekja, Lufta, Pushtimi dhe Uria. Ai është sulmuar për gjuhën e tij alarmante. Por duke pasur parasysh perspektivën e afërt të urisë dhe destabilitetin, gjuha e tij ishte shumë e përshtatshme për situatën aktuale.

Sekretarja e Thesarit në SHBA, Xhenet Jellen, paralajmëron: “Lufta e Rusisë kundër Ukrainës e ka përkeqësuar problemin e sigurisë ushqimore për njerëzit në mbarë botën, veçanërisht në vendet në zhvillim”. Ajo shtoi se ekziston një “rrezik shumë real”, që rritja e çmimeve në tregun global të ushqimeve dhe plehrave kimikë do të “shkaktojë më shumë njerëz të uritur, do të shtojë më tej presionet e çmimeve, si  dhe të dëmtojë politikat fiskale të qeverive”.

Mungesa të tilla të ngjashme ushqimore, por në një shkallë më të vogël, çuan në shpërthimin e Pranverën Arabe një dekadë më parë dhe gjithçka tjetër që pasoi, përfshirë ngritjen e ISIS dhe shkatërrimin e Sirisë. Edhe pa u përhapur tej kufijve të saj, kriza në Ukrainë po shkakton që tani shumë probleme globale, transmeton CNA.

Trazirat sociale për shkak të krizës ushqimore, që kanë shpërthyer nga Sri Lanka në Liban, dhe deri në Peru javët e fundit, janë vetëm fillimi. Kësisoj bota përballet edhe herë me një zgjedhje. Ajo mund ta lejojë Rusinë të gllabërojë Ukrainën dhe t’i lërë të vdesin nga uria të varfrit në Afrikë dhe Lindjen e Mesme; ose ta thyejë embargon ruse në Detin e Zi.

Kjo do të kërkonte një fitore më të shpejtë të Ukrainës, sesa duket aktualisht e mundshme. Perëndimi, i mbështetur nga një koalicion shumë më i gjerë global, mund të hapë një front të ri lufte me Rusinë, dhe një lloj konfrontimi detar shumë më të rrezikshëm e të drejtpërdrejtë sesa thjesht furnizimin me armatime dhe të dhëna të inteligjencës për ushtrinë dhe forcat ajrore ukrainase.

Ajo do të ketë nevojë për një armatë të madhe anijesh perëndimore dhe të aleatëve, për të siguruar qasjen në portet ende të lira të Ukrainës dhe rrugët detare drejt Lindjes së Mesme, Afrikës dhe më gjerë. Këtë herë, vendet që ishin të paqarta apo neutrale ndaj Rusinë, si Turqia (fuqia tjetër e madhe në Detin e Zi), Afrika e Jugut dhe India, duhet të mbështesin më shumë kërcënimin me anë të forcës për të parandaluar urinë masive dhe kequshqyerjen, me të gjitha pasojat e paparashikueshme që sjellin zakonisht këto fenomene.

Edhe Kina nuk mund ta shohë me qetësi perspektivën që aleatët e saj në nismën e “Brezit dhe Rrugës” të zhyten në kaos për shkak të trazirave ushqimore dhe të përmbysjes së qeverive në vendet në zhvillim që janë tejet të populluara. Më shumë sesa të gjitha vendet e tjera, Kina ka nevojë për eksporte të shëndetshme në një botë të qëndrueshme, në mënyrë që të ruajë prosperitetin e saj.

Përveç kësaj, rritja e çmimit të grurit do të ndikojë përfundimisht edhe në atë të orizit. Guterres ka qenë në qendër të përpjekjeve për të dërguar ushqime dhe ndihma financiare në vendet më të rrezikuara nga një uri më përmasa biblike. Por ai është i qartë se kjo nuk do të mjaftojë.

“Nëse veprojmë së bashku, bota ka mjaftueshëm ushqim për të gjithë. Por nëse nuk e zgjidhim këtë problem sot, do të përballemi me një mungesë globale dramatike të ushqimit gjatë muajve të ardhshëm. Le të jemi të qartë për një gjë: nuk ka një zgjidhje efektive për krizën ushqimore, pa ri-integrimin në tregjet botërore të prodhimit ukrainas, por edhe atë të drithërave dhe plehrave kimike të prodhuar nga Rusia dhe Bjellorusia, pavarësisht luftës që po zhvillohet”.

Megjithatë, problemi është se lufta nuk do të përfundojë vetëm sepse ne të gjithë do ta donim këtë gjë. Dhe për më tepër, ajo nuk mund të përfundojë para se Vladimir Putini të mposhtet, dhe të marrë fund kontrolli i rusëve ndaj porteve dhe rrugëve detare të Ukrainës.

Të ngjashme
OpEd • 23 Prill 2024