OpEd
Përçarja globale dhe testet raketore të Koresë së Veriut
Demokracia
08:19 | 08 Tetor 2022

Share:

Nga Justin McCurry, The Guardian

Me gjashtë lëshime të raketave në 12 ditë, Koreja e Veriut është duke përfituar nga trazirat gjeopolitike në të gjithë botën.

Miliona banorë të Japonisë veriore do të kenë pasur një ndjenjë deja vu-je mëngjesin e së martës, kur kuptuan se një raketë e Koresë së Veriut po fluturonte sipër vendit. Pesë vjet më parë, ata ishin zgjuar të tronditur dy herë nga gjumi nga paralajmërimet e qeverisë japoneze për të kërkuar strehim pas lëshimeve të raketave nga Pheniani.

Në provën e kësaj jave, ishte përfshirë një raketë me rreze të mesme, ndërsa fluturoi mbi çatitë e shtëpive të fermave Hokkaido me një shpejtësi prej 1000 km, ndërsa ishte nisur për në Oqeanin Paqësor – mbi 3,000 km në lindje të Japonisë, ku edhe ra pa ndonjë incident.

Edhe pse fluturimi i kësaj rakete ishte menduar si një mesazh për Shtëpinë e Bardhë e jo për Japoninë, kuptueshëm ajo shkaktoi ankth të banorët.

Siç është rasti me çdo shfaqje tjetër të madhe të fuqisë ushtarake të Koresë së Veriut, koha dhe konteksti janë po aq të rëndësishëm sa çdo tregues se armët e regjimit po bëhen më të avancuara teknologjikisht – dhe më kërcënuese.

Konsensusi midis vëzhguesve të Phenianit ishte se lideri i Koresë së Veriut, Kim Jong-un, do të shmangte marrjen e çdo veprimi që mund të vidhte vëmendjen rajonale nga Kina – aleati kryesor i Veriut dhe donatori më i madh i ndihmës – ndërsa përgatitet të mbajë një kongres të rrallë të partisë komuniste më 16 tetor.

Por ka arsye bindëse pse Pheniani ka zgjedhur këtë moment për të lëshuar një raketë, që besohet të jetë një Hwasong-12, që teorikisht është e aftë të godasë territorin e Guam-it në Paqësorin amerikan.

Lëshimi i saj, ishte një kujtesë se teknologjia e armëve të Koresë së Veriut po përparon – pasi raketa e fundit ka fluturuar më larg se çdo raketë tjetër deri më sot – si pjesë e një demonstrimi më të gjerë të aftësive balistike të regjimit.

Sipas OKB-së, në vetëm 10 ditë Koreja e Veriut ka kryer tetë lëshime raketash, ndërsa brenda vitit 40 të tilla.

Do të ishte e gabuar të nënvlerësohej roli që luan indinjata e pastër në kohën e Veriut. Testet e kësaj jave vijnë menjëherë pas fillimit të stërvitjeve të mëdha detare të ShBA-së dhe Koresë së Jugut, për të cilat Pheniani beson se janë një provë për një pushtim, dhe pas një vizite në kufirin e armatosur rëndë që ndan gadishullin Korean nga nënpresidentja e ShBA-së, Kamala Harris.

Pasojë e përçarjes globale

Në terma strategjikë, sjellja më bindëse e Phenianit është pasojë e paqëndrueshmërisë politike globale që i ka dhënë atij një mundësi për të provokuar fqinjët, pa frikën e një raundi tjetër sanksionesh.

Lufta në Ukrainë jo vetëm që është bërë një shpërqendrim për Joe Biden, por ajo ka hapur derën edhe për lidhje më të ngushta midis Phenianit dhe Moskës, ndërsa aktiviteti i fundit ushtarak kinez në ngushticën e Tajvanit i ka mundësuar veriut të shfrytëzojë tensionet në rritje midis Uashingtonit dhe Pekinit.

Ditët marramendëse të unitetit të shfaqura në vitin 2017, kur Këshilli i Sigurimit i OKB-së, përfshirë Rusinë dhe Kinën, vendosën sanksione të rënda ndaj Veriut, kanë përfunduar. Kjo u bë e qartë në maj të këtij viti, kur Kina dhe Rusia vendosën veton ndaj një rezolute që impononte dënime të reja ndaj regjimit.

Kjo përçarje do të thotë që në horizont shtrihen provokime edhe më serioze, ndërsa Veriu vazhdon të shfrytëzojë Ukrainën, Tajvanin dhe një këshill sigurie për të nxitur statusin e tij si një shtet legjitim bërthamor me aftësinë për të shënjestruar territorin e ShBA-së me një raketë balistike ndërkontinentale të armatosur me armë bërthamore.

Siç vuri në dukje edhe Qendra për Studime Strategjike dhe Ndërkombëtare këtë javë, sekuencat e mëparshme të testeve të raketave balistike të Koresë së Veriut janë pasuar nga një provë bërthamore.

Prej muajsh, zyrtarët e ShBA-së dhe Koresë së Jugut kanë paralajmëruar se një test i shtatë bërthamor është i pashmangshëm, ndërsa imazhet satelitore të një vendi testimi – Punggye-ri plotësisht të përgatitur sugjerojnë se pyetja e vetme tani është ajo e kohës politike.

“Në këtë pikë, që Kim Jong-un të kthehet prapa dhe të ndalojë provokimet do të dukej kundërproduktive për interesat e tij, për të mos përmendur sasinë e burimeve të shpërdoruara për të kryer këto teste të armëve,” tha Soo Kim, një analist në RAND Corporation.

“Jemi në një cikël provokimesh me armë. Ajo që ka mbetur, në thelb, është një provë e raketës balistike ndërkontinentale dhe potencialisht testi i shtatë i shumëpritur bërthamor”.

Të ngjashme
OpEd • 30 Maj 2024
OpEd • 29 Maj 2024