Auto&Tech
Scarlett Johansson përball OpenAI-së
Demokracia
09:12 | 28 Maj 2024

Share:

Nga: Christopher Grimes dhe Anna Nicolaou / The Financial Times

Në filmin e vitit 2013, Ajo [Her], vetmitari i cili shpejt do të shkurorëzohet, Teodor Tuombli (Joaquin Phoenix), shkarkon një sistem të ri operativ të fuqizuar nga AI-ja [inteligjenca artificiale] të cilin kompania krijuese, Elements Software, e reklamonte si “entitet intuitiv që ju dëgjon, ju kupton dhe ju njeh”.

Është pikërisht ajo çfarë Tuombli i dëshpëruar dëshironte. Duke qëndruar para kompjuterit të tij të shtëpisë, zgjedh një zë femëror për asistent dixhital dhe përshëndetet menjëherë nga një alto gjallëruese me ngjyrime të një vrazhdësie të parezistueshme. “Përshëndetje, jam këtu”, thotë Samanta, zëri i së cilës është i aktores Scarlett Johansson. Mbërthehet nga ajo dhe të dy ata së shpejti e fillojnë një marrëdhënie romantike.

Zëri i Samantës duket se ka lënë përshtypje të thellë gjithashtu te Sam Altmani, te shefi ekzekutiv i OpenAI-së – startapit të inteligjencës artificiale me vlerë prej 86 miliardë dollarëve, ambiciet e të cilit duken të jenë po aq të larta sa ato të softuerit imagjinar Elements.

Këtë javë, Johansson pohoi se pas refuzimit – në shtatorin e kaluar – të ofertës së Altmanit për të ofruar zërin për çetbotin e ChatGPT-së të kompanisë së tij, OpenAI vazhdoi me një version të ri të quajtur Sky që paraqiste një zë kaq të ngjashëm me të sajin, aq sa madje miqtë e saj më të ngushtë nuk mund ta gjenin dallimin.

“Kur e dëgjova demonstrimin e produktit të lansuar, u trondita, u zemërova dhe nuk besoja që z. Altman do të këmbëngulte në zërin që tingëllonte kaq shumë me timin”, shkroi Johansson të hënën, në një deklaratë publike.

Pasi mori njoftime ligjore nga ekipi i Johanssonit, Altman hoqi zërin nga Sky dhe i kërkoi falje aktores, duke thënë se zëri i tyre nuk kishte për qëllim t’i ngjante zërit të saj. Por, valët e shqetësimit po jehojnë ende në Holivud dhe më gjerë.

Pavarësisht se fituan mbrojtje nga AI-ja në grevat e vitit të kaluar, aktorët mbeten ende me frikën se kopjet dixhitale të zërave dhe ngjashmërive të tyre do të përdoren pa lejen e tyre – duke i privuar ata nga kontrolli mbi karrierën dhe të ardhurat. Sido që të jetë, ky episod do të thellojë bindjet e tyre se mantra e shumë kompanive të teknologjisë – “lëviz shpejt dhe dërrmo gjërat” – po avitet për të shkatërruar industrinë e zbavitjes.

Johansson, ylli i filmave të vlerësuar nga kritika, si Humbur në përkthim [Lost in Translation] dhe filmat e suksesshëm të Marvel-it me fitime prej miliarda dollarëve, nuk e shijoi idenë e ballafaqimit me OpenAI-në. Por, e dinte se statusi i saj mund të tërhiqte vëmendjen për çështjen që prek edhe të tjerët të cilët kanë më pak ndikim në industri, thonë ata që kanë punuar me të.

Është rol të cilin e ka luajtur që më parë. Në vitin 2021, aktorja bëri bujë kur u përball me Disney-n për një çështje tjetër të lidhur me një teknologji përçarëse: transmetimin në internet. Ajo e akuzoi kompaninë më të fuqishme në Holivud për shkeljen e kontratës së saj duke lëshuar Vejushën e zezë [Black Widow] në shërbimin e saj të transmetimit, në të njëjtën kohë kur po bëhej debutimi i filmit nëpër kinema – një lëvizje kjo që do të rriste çmimin e aksioneve të Disney-t dhe numrat e abonentëve të parapaguar në transmetim, por që do të ulte bonuset e saj.

Disney iu përplas Johanssonit, duke e akuzuar aktoren për “mospërfillje të pashpirt” për pandeminë. Pas një beteje të ashpër dhe publike, asaj iu dha pagesa multimilionëshe.

Johansson lindi dhe u rrit në fshatin Greniq Uilixh të Manhatanit, në atë që e përshkroi si “vatër në zhvillim me të ardhura mesatare”, mbushur me fëmijët prindërit e të cilëve ishin artistë. Babai i saj është arkitekt danez, ndërsa nëna e saj producente.

Teksa rritej, i donte filmat e vjetër të Holivudit dhe admironte aktoret nga Judy Garland te Winona Ryder. Nisi që herët të aktrojë, duke u paraqitur në shfaqjet e teatrove të vogla të Broduejit para se të merrte – në moshën tetëvjeçare – rolin e saj të parë në filmin Veriu [North] të Rob Reinerit.

Zëri i saj, i cili më vonë do të shndërrohet në vlerë, ishte problematik kur bëhej fjalë për angazhimin e saj për reklama si fëmijë. “Tingëlloja si një budalla që pi uiski dhe duhan pa nda. E kupton, me atë zë nuk shisje [produktet] Jell-O”?

Suksesi i madh i Johanssonit erdhi në moshën 19-vjeçare kur doli filmi i Sofia Coppolas, Humbur në përkthim, në të cilin luajti ajo. Ishte fillimi i një harku të gjatë dhe të suksesshëm që tashmë 39-vjeçaren e shndërroi në një nga aktorët me fitimet më të larta ndonjëherë në këtë industri.

Johansson është e martuar me komedianin Colin Jost të [programit televiziv] Saturday Night Live, të cilin e takoi teksa e udhëhiqte një natë atë program. I ka dy fëmijë – një djalë me Jostin dhe një vajzë nga një martesë e mëparshme.

Ylli është shprehur e zhgënjyer për angazhimet e saj për role të ngjashme. “Në një farë mënyre, isha e rregulluar për të qenë ajo ju e quani aktore e tipit bombastik. E luaja gruan tjetër dhe temën e dëshirës dhe papritmas u gjenda e shtyrë në qosh të këtij vendi”.

Nëse ndihej e bllokuar nga situata e OpenAI-së, ajo tani e ka fuqinë për t’u çliruar. E mbështetur nga agjenti i saj i fuqishëm, nga shefi i CAA-së Bryan Lourd dhe nga avokati John Berlinski, ajo ka hedhur dritë mbi çështjet shqetësuese të Holivudit dhe në të gjithë industritë kreative. Është e paqartë nëse ekipi i saj do të ndjek veprimet ligjore. Ndërkohë, ekipi i OpenAI-së thotë se ata kishin më shumë se 400 pranime nga aktorët dhe se zgjodhën pesë zëra, duke përfshirë atë për Sky, përpara se Altman t’i afrohej Johanssonit në shtator 2023 “për të diskutuar përfshirjen e saj të mundshme si aktore e zërit të gjashtë për ChatGPT“.

Ka pasur mosmarrëveshje të ngjashme në epokën para-dixhitale – thonë studiuesit e çështjeve juridike – më së shumti me rastin e ngritur nga Bette Midler kundër kompanisë Ford Motor. Në atë rast, një imituese e Midlerit u punësua për një reklamë, pasi këngëtarja e refuzoi ofertën. Gjykata vendosi në favor të Midlerit me arsyetimin se zëri i saj i veçantë ishte i mbrojtur nga përdorimi i paautorizuar.

Ky nuk mund të jetë rezultati për të cilin Altman ka shpresuar. Sipërmarrësi i AI-së nuk e fshehu dashurinë e tij për filmin në të cilin zërit i Johansson kishte rol kryesor. Pasi debutoi versioni i ri i ChatGPT-së, ai shkoi në [platformën] X për të postuar një mesazh me një fjalë për ndjekësit e vet: Ajo.

Të ngjashme