Lajme
PËRÇARËSI
Demokracia
21:21 | 23 Prill 2024

Share:

Gjatë mandatit të tij si Kryeministër i Kosovës, Albin Kurti, do të mbahet mend edhe për rolin e tij përçarës të skenës politike shqiptare në Maqedoninë e Veriut dhe jo vetëm.

Në vend se t’i shërbejë unifikimit të spektrit politik shqiptar në Maqedoninë e Veriut, që do të rezultonte me bashkim të votës së shqiptarëve përreth një koalicioni të vetëm të partive shqiptare apo përreth një kandidati të vetëm shqiptar për president, Kurti nga kapaciteti i tij zyrtar si kryeminsitër, i ka shërbyer përçarjes më të madhe në historinë e politikës shqiptare në këtë shtet, shkruan Demokracia.com.

Kryeministri Kurti, i cili gjatë opozitarizmit të tij kapej rreth ideve për avancimin e çështjes kombëtare shqiptare në rajon, po i shërben të kundërtës: përçarjes së faktorit politik shqiptar.

Më 24 prill, Maqedonia e Veriut mban raundin e parë të zgjedhjeve presidenciale.

Në garën për president, shqiptarët janë ndarë në dy formacione politike: “Fronti Evropian” dhe “Lëvizja Evropiane për Ndryshim”. Kësaj ndarje të madhe i ka shërbyer kryeministri Kurti, i cili në mënyrë të paprecedent ka ndërhyrë në procesin zgjedhor të vendit fqinj.

Adresa e parë ku Kurti do të duhej të trokiste për t’i shërbyer këtij unifikimi do të ishte dera e kryetarit të Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmetit, njeriut me peshën më të madhe në spektrin politik shqiptar në Maqedoninë e Veriut për më shumë se dy dekada, që nga koha kur udhëhoqi Ushtrinë Çlirimtare Kombëtare, e cila solli ndryshimin e madh të gjendjes së shqiptarëve në këtë shtet.

Por, Kurti ka shkuar në adresa të tjera, tek subjekte politike, si “Lëvizja Besa” e Bilall Kasamit, “Lëvizja Demokratike” e Izet Mexhitit dhe “Alternativa” e Afrim Gashit, të cilat janë të preferuara për koalicion paszgjedhor nga VMRO-DPMNE, një parti që ka agjendë të dyshimtë pro-ruse dhe së fundmi ka dalë edhe kundër anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës.

Këto parti opozitare kanë formuar koalicionin “Lëvizja Evropiane për Ndryshim” dhe kanë prezantuar kandidatin për president, Arben Taravarin. Kjo iniciativë është mbështetur publikisht nga kryeministri Kurti, i cili në disa raste ka pritur në takim, në zyrën e tij në Qeveri, drejtuesit e këtij koalicioni dhe kandidatin për president.

Ish drejtuesi i Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare, Ali Ahmeti, ka formuar gjithashtu koalicionin e tij nën emrin “Fronti Evropian”, duke u bashkuar me Menduh Thaçin e PDSH-së dhe Ziadin Selën e Aleancës për Shqiptarët, duke prezantuar kandidatin Bujar Osmani për president të Maqedonisë së Veriut.

JANAR 2024 – KURTI KUNDËR KRYEMINISTRIT TË PARË SHQIPTAR NË MAQEDONINË E VERIUT

Roli përçarës i kryeministrit Kurti ishte shfaqur edhe para disa muajve, duke u pozicionuar qartë kundër arritjes së madhe të shqiparëve, nën BDI-në e Ali Ahmetit, për kryeministër të parë shqiptar në historinë politike të Maqedonisë së Veriut.

Edhe në ato momente historike, Kurti nuk kishte mbështetur këtë arritje, por kishte filluar mbështetjen e “Lëvizjes Evropiane për Ndryshim”, deputetët e së cilës bojkotuan në Kuvendin e Maqedonisë votimin e “Kryeministrit të Parë Shqiptar”. /Demokracia.com/

Lexo më shumë për këtë temë:

Kryeministri i parë shqiptar në Maqedoni | Albin Kurti del kundër arritjes historike, në momente kritike bëhet bashkë me disa partiçka kundër BDI-së së Ali Ahmetit

“Sapo ta marrim pushtetin, do ta çnjohim Kosovën…” | Opozita e Kurtit në Maqedoni në foto me kundërshtarin e Kosovës, Dimitar Apasiev “Levica”

Politika anti-Kosovë | Albin Kurti nuk tërhiqet, vazhdon ta mbështes opozitën në Maqedoni që bashkëpunon me kundërshtarin e Pavarësisë së Kosovës, Dimitar Apasievin

Të ngjashme