Barazia
Patriarkati – njollë e zezë e mentalitetit kosovar
Demokracia
12:47 | 29 Prill 2021

Share:

Fatkeqësisht, jo vetëm në shoqërinë tonë, por edhe në gjithë botën, shoqëritë patriarkale kanë qenë dhe ndoshta mbeten si problematika më e madhe dhe më e gjatë e njerëzimit. Në disa vende të Evropës, barazia gjinore më në fund ka triumfuar. Ndërsa, tek ne një gjë e tillë është ende shumë larg për të ndodhur.

Sipas hulumtimit të OSBE-së, (organizatës që promovon të drejtat e njeriut dhe komuniteteve), në Kosovë mbi  (54%) e të gjitha grave thonë se kanë përjetuar dhunë psikologjike, fizike ose seksuale nga një partner i ngushtë që nga mosha 15 vjeçare, dhe gati tre në dhjetë gra (29%) thonë të kenë përjetuar ngacmime seksuale. Një në shtatë gra (14%) pohojnë të kenë përjetuar dhunë fizike ose seksuale nga një partner ose jopartner.

Dhuna ndaj grave është njëherazi shkak dhe pasojë e pabarazisë gjinore, e cila buron pikërisht nga shoqëritë patriarkale.

“Fatkeqësisht, edhe pse jetojmë në kohët moderne, familjet shqiptare  ende praktikojnë ligje të vjetra, ku burri gëzon të drejtën për të ushtruar dhunë fizike e psikologjike ndaj gruas. Gruaja shihet si target i “lehtë” për të ushtruar dhunë dhe në anën tjetër duke e ditur se autoritetet e rendit dhe ligjit nuk funksionojnë, burrat ndihen më të prirë për të ushtuar dhunë ndaj grave”, tregoi sociologia Anita Plakolli për CBC.

Përveç patriarkalitetit problem që duhet përmendur është edhe mentaliteti i ulët që mbizotëron në vendin tonë, mendimet e ngurta të cilat nuk lejojnë që gruaja ta marrë veten nga dhuna, por gjithashtu edhe mosfunksionimi i ligjit për barazi gjinore dhe të drejtat e njeriut, këtë e pohon edhe sociologia.

“Gratë duke qenë edhe prind, shpesh nuk i lajmërojnë rastet “për hatër të fëmijëve”, presionit shoqëror, pozitës në shoqëri frikës dhe pasigurisë. Rritja e numrit të divorceve, posaçërisht pas vitit 1999, kryesisht është për shkak të dhunës familjare, edhe pse gratë janë të vetëdijshme se shteti ynë nuk ofron mbështetjen e duhur për rastet e tilla”, tha Plakolli.

Shpeshherë vendi i destinuar për gratë del të jetë kuzhina, nga pozita e tyre e ulët në shoqëri, ato vlerësohen shpeshherë si: “të paafta për vendimmarrje dhe pozita të rëndësishme shoqërore”. Pasoja të tilla Kosova po i vuan edhe sot, ku shoqëria me frymë patriarkale i sheh gratë si të “padukshmet” e shoqërisë.

“Pasojat më të mëdha që patriarkaliteti i ka shkaktuar shoqërisë kosovare është që ka lënë në errësirë një potencial të madh të grave në Kosovë. Ka thelluar dallimet dhe ka rrënjosur diskriminimin thellë në familjet kosovare. Patriarkaliteti vazhdon të ndikojë negativisht edhe në integrimin e Kosovës në organizata të rëndësishme ndërkombëtare, përfaqësimin jo të denjë në skenën politike dhe sferat tjera të jetës’’, shtoi sociologia.

Meqenëse në shumë raste gratë përjetojnë dhunë fizike e seksuale, në mendjen e tyre mbetet një “errësirë e thellë’’ që i përcjell ato edhe pas një kohe, është dhuna psikologjike e cila pothuajse, rrallëherë trajtohet në shoqërinë kosovare, nën pretendimin se ‘’është kaluese’’.

‘’Dhuna psikologjike është diçka e vërtetë, një abuzim i vërtetë emocional, ofendimet, kritikat, akuzat, mungesa e respektit, zhvlerësimi, gënjeshtra, shantazhi, kontrolli i lirisë personale janë vetëm disa nga mënyrat në të cilat shfaqet dhuna psikologjike e cila  minon vlerën personale, ndjenjën e identitetit, dinjitetin dhe vetëvlerësimin e gruas’’, tregoi psikologia Nazlie Hasani për CBC.

Pasojat e dhunës psikologjike janë të pashmangshme, ku gratë ndihen të pasigurta dhe nuk kanë përkrahje që t’a kalojnë këtë dhunë, kështu duke mos e pasur asnjë ‘’derë të hapur’’ që të flasin.

‘’Gruaja ndihet e pasigurt dhe pasiguria në rritje për shkak të dhunës së pësuar dhe gjurmëve të vazhdueshme të vetëvlerësimit e bën të vështirë diskutimin e marrëdhënies. Kështu shkakton një spirale të heshtjes që e bën viktimën gjithnjë e më të varur nga abuzuesi, të gjitha këto e bëjnë që gruaja që pëson dhunë të vazhdueshme psikologjike të përjetojë stres, ankth dhe depresion’’, shtoi psikologia.

Dhuna e çdo lloj forme jo vetëm që ndikon gruan si ‘’target të dhunës’’, por edhe fëmijët që si pasojë e rritjes ‘’nën frymën e dhunës’’, ndikohen drejtpërdrejt në katër mënyra të ndikimit sipas psikologes:

‘’1. Ndikimi në zhvillimin fizik : fëmija, veçanërisht në moshë të re, i nënshtruar stresit të fortë psikologjik dhe dhunës mund të tregojë deficite në rritjen e peshës dhe vonesa në zhvillimin psiko-motor dhe deficite vizuale’’.

‘’2. Ndikimi në zhvillimin kognitiv : Ekspozimi ndaj dhunës mund të dëmtojë zhvillimin neuro-kognitiv të fëmijës me efekte negative në vetëvlerësimin, ndjeshmërinë dhe aftësitë intelektuale’’.

‘’3. Ndikimi në sjellje : frika e vazhdueshme, ndjenja e fajit në një farë mënyre të privilegjuar për të mos qenë viktimë e drejtpërdrejtë e dhunës, trishtimit dhe zemërimit për shkak të ndjenjës së pafuqisë dhe paaftësisë për të reaguar janë pasoja që kanë një ndikim tek fëmija i ekspozuar ndaj dhunës. Në planin afatgjatë, efektet e regjistruara përfshijnë raste pak a shumë të rënda depresioni, prirje vetëvrasjeje, shqetësime të gjumit dhe çrregullime të ngrënies’’.

‘’4. Ndikimi në aftësitë shoqërore : të qenit dëshmitar i dhunës ndikon në aftësinë e fëmijëve për të krijuar dhe mbajtur marrëdhënie shoqërore’’, tregoi Hasani.

Për t’u trajtuar dhuna psikologjike këshillohet të përdoret, ‘’Terapia e rishkrimit të imazheve dhe ripërpunimit’’, ku psikologët mund të trajtojnë pacienteme probleme të tilla me qëllim të rregullimit emocional të viktimës.

‘’(Terapia e rishkrimit të imazheve dhe ripërpunimit) dhe ekspozimi ndaj ngjarjes traumatike dhe emocioneve të zgjuara prej saj, me ç’rast gruaja me drejtimin e terapistit ftohet të flasë për dhunën e pësuar dhe emocionet që shfaqen dhe në një fazë të mëvonshme të ndërhyjë brenda episodit me veprime reparative me të cilat “rishkruan një fund të ri”. Qëllimi është të rregullojmë reagimin emocional ndaj tij dhe të zëvendësojmë kujtesën traumatike me një kapërcim, falë të cilit viktima ngadalë rifiton ndjenjën e humbur të pushtetit mbi ngjarjet’’, këshilloi psikologia.

Por, që të kenë më pak punë psikologet/ët me raste të dhunës ndaj grave, përfundimisht patriarkaliteti duhet të zvogëlohet, pasi Kosova e ka programin e Barazisë Gjinore, i cili është obligim i përcaktuar në Ligjin për Barazi Gjinore 05/L -020., por që fatkeqësisht, nuk gjen zbatim në praktikë sipas sociologes.

‘’Kosova dhe shoqëria në përgjithësi duhet të vetëdijesohet dhe të veprojë konform ligjeve për barazi gjinore sepse vetëm në këtë mënyrë shoqëria mund të shkojë përpara. Institucionet e Kosovës , posaçërisht ato të rendit dhe ligjit duhet të punojnë në mënyrë efektive dhe të krijojnë mekanizma të duhur për trajtimin e barazisë gjinore. Institucionet në Kosovë duhet që në mënyrë të vazhdueshme të për barazinë gjinore, por që nuk ka vend në praktikë’’, tha Plakolli./cbc.al

Të ngjashme
Barazia • 18 Janar 2022