Lajme
Osmanit i humb guximi, e zbut fjalorin ndaj Macronit pas paralajmërimeve për vizat
Demokracia
15:18 | 19 Tetor 2023

Share:

“Nuk po mbahet fjala e dhënë”, Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, tha për liderët e Kosovës, duke e konsideruar ende si çështje të hapur liberalizimin e vizave për kosovarët.

Macron kërkoi angazhim serioz nga Kosova dhe Serbia në lidhje me dialogun në javët e ardhshme.

Ai u shpreh se kjo gjë është kusht kyç për paqe edhe në rajon.

Për këto paralajmërime të Macron foli edhe presidentja Vjosa Osmani, e cila u kundërpërgjigj kësaj radhe me një gjuhë të butë.

“I kam diskutuar të gjitha këto me presidentin Macroon gjatë takimit tonë në Granada dhe besoj që kemi mirëkuptim në tejkalimin e sfidave”, tha Osmani të mërkurën për EO.

Presidentja Osmani mundohet ta zbus deklaratën e Macronit: Besoj në mirëkuptim për tejkalimin e sfidave

Me gjuhë kaq të butë nuk ishte kundërpërgjigjur Osmani në muajin gusht ku pati një deklaratë të ashpër ndaj Macronit.

Më 28 gusht, presidenti francez kishte thënë se Franca do ta rishikojë çështjen e liberalizimit të vizave për Kosovën, nëse vendi nuk sillet me përgjegjësi.

Këtë deklarim, ai e kishte bërë në takimin vjetor me ambasadorët e Francës.

“Franca dhe Gjermania i kanë bërë premtimet e tyre për politikat e vizave dhe çështjet tjera ekonomike, të cilat do të rishikohen nëse të dy palët nuk sillen me përgjegjësi. Ne duhet të jemi tejet të kujdesshëm në këtë drejtim, posaçërisht kur stabiliteti i Ballkanit Perëndimor është në rrezik”, kishte thënë i pari i Francës në muajin gusht.

Por, presidentja Osmani atëherë e trimëruar i kishte reaguar ashpër Macronit.

Ajo kishte thënë se nëse ndodh kjo, atëherë do të vritej dialogu.

“Unë do të thosha që kjo është mënyra për ta vrarë dialogun njëherë e përgjithmonë. Në qoftë se dëshiron dikush që të mos ketë më dialog, atëherë ndërmerr masa të tilla, që janë masa ndëshkuese ndaj popullit të Kosovës. Nuk janë ndaj ndonjë lideri, nuk janë ndaj një politike, janë ndaj popullit të Kosovës. Dhe një ndëshkim i tillë i paprecedent, që edhe ashtu ka qenë padrejtësi e madhe për popullin e Kosovës, do të rezultojë me vdekjen e dialogut. Nuk ka më askush mandat që të shkojë në Bruksel, kur populli i Kosovës ndëshkohet”, ishte kundërpërgjigjur Osmani më 30 gusht.

Osmani kërcënon hapur BE-në: Nëse pezullohet liberalizimi i vizave, dialogu me Serbinë vritet përgjithmonë

 

Kosova që ka vite që i ka plotësuar kushtet e BE-së për liberalizim të vizave dhe tani po kërcënohet se mund të humbas liberalizimin për shkak se pushteti Kurti-Osmani nuk po i mbajnë fjalët e dhëna./Demokracia.com/

Të ngjashme