Lajme
Asamblisti i VV-së që u punësua në Ibër-Lepenc është dhëndër i deputeti Adnan Rrustemit
Demokracia
09:42 | 27 Prill 2024

Share:

Dje është raportuar për punësimin e asamblistit të Vetëvendosjes nga Malisheva, Veton Zogajn, në pozitën e shefit të Shërbimit për Burime Njerëzore në ndërmarrjen publike Ibër-Lepenc.

Gazeta ka prezantuar dëshmi për kurdisjen e këtij konkursi. Aty tregohet se si figura të larta të VV-së ishin mobilizuar për ta rehatuar aktivistin e zellshëm të partisë në pushtet në një pozitë të lartë në një ndërmarrje publike, e cila drejtori nga Faruk Mujkës, një ish-zyrtar i lartë i VV-së.

Por, asamblisti i rehatuar në këtë ndërmarrje me një konkurs të kurdisur nuk është aktivist i thjeshtë i VV-së.

Disa burime të mirëinformuara i kanë treguar gazeta Nacionale se Zogaj është dhëndër i deputetit të VV-së, Adnan Rrustemi, i cili është edhe kryetar i Komisionit për Legjislacion, Mandate, Imunitete, Rregulloren e Kuvendit dhe Mbikëqyrjen e Agjencisë Kundër Korrupsionit.

Rrustemi që vazhdimisht kritikon qeveritë e kaluar për nepotizëm, duket se për një moment i ka harruar këto kritika.

Po, Veton Zohaj është bash dhëndër i Adnan Rrustemit. Domethënë për grua e ka bash motrën e deputetit Adnan Rrustemi”, i ka thënë një burim i sigurt gazetës.

Lidhje familjare e Zogajt me figura të larta të VV-së kuptohet edhe në komunizmit e Zogat me deputetin Gani Krasniqi.

Ky i fundit në njërin nga mesazhet telefonin që shkëmben me Zogajn thotë se mund te “sulmohen për nepozitëm”

Veton, e kam parë që më keni shkruar mbrëmë, por pasi s’ishte për nguti nuk t’u përgjigja. Po, gjejë rast për të biseduar me zotëriun në fjalë, vetëm duhet shikuar mos po bisedon ky shoku tjetër, me nënkuptim se sulmohemi për nepozitëm”, thuhet në mesazhin e Gani Krasniqit për Veton Zogajn.

Si u kurdis konkursi?

Gazeta Nacionale dje ka prezantuar skemën e kurdisjes se konkursit për asamblistin e VV-së. Për ta siguruar pozitën e shefit të Shërbimit për Burime Njerëzore në ndërmarrjen publike Ibër-Lepenc, Zogaj kishte dërguar intervenimet e para qysh në fillimin e muajit prill.

Kjo dëshmohet në disa biseda nga Kuvendi i Kosovës. Gazeta ka siguruar edhe vlerësimet e komisionit për këtë pozitë, pasi ato ende nuk janë bërë publike në faqen zyrtare.

Në seancën e Kuvendit të Kosovës që u zhvillua më 4 prill, deputeti Gani Krasniqi mori një mesazh në rrjetin social “Whats App” nga kolegu i tij i partisë, Veton Zogaj. Megjithatë, diskutimi nuk ishte rreth partisë, por rreth konkursit të shpallur nga ndërmarrja Ibër-Lepenci.

Veton Zogaj përveç asamblist i VV-së, gjithashtu ka lidhje familjarë edhe me deputetin e VV-së, Adnan Rrustemi. Zogaj e ka për bashkëshorte, motrën e deputetit Rrustemi.

Zogaj i shkroi deputetit Krasniqit në mënyrë që i njëjti ta ndihmojë për punësim në këtë ndërmarrje. Kërkesa e tij ishte që Gani Krasniqi që gjithashtu vjen nga Malisheva, të intervenonte te Faruk Mujka.

Mirëmbrëma baci Gani, shpresoj që nuk po të marr shumë kohë. Deshta të njoftoj që nesër kam plan të aplikoj në kompaninë Ibër-Lepenci në pozitën: Shef i shërbimit të burimeve njerëzore (numri i kryerësve – 1). Të gjitha kriteret për këtë pozitë i plotësoj, kryeshef i kësaj ndërmarrje është Faruk Mujka, nëse e sheh të arsyeshme të bisedosh me të që ta njoftoj lidhur me aplikimin tim. Shpresoj që nuk po të shqetësoj dhe mundoj me këtë”, thuhet në mesazhin që Veton Zogaj ia kishte dërguar deputetit Gani Krasniqi.

Pasi lexoi mesazhin, deputeti në fjalë i premton se do t’i ndihmojë asamblistit për t’u punësuar në Ibër-Lepenc.

Veton, e kam parë që më keni shkruar mbrëmë, por pasi s’ishte për nguti nuk t’u përgjigja. Po, gjejë rast për të biseduar me zotëriun në fjalë, vetëm duhet shikuar mos po bisedon ky shoku tjetër, me nënkuptim se sulmohemi për nepozitëm”, thuhet më tutje në përgjigjen e Gani Krasniqit.

Biseda vazhdon për ta sinkronizuar planin që të ‘rehatohet’ asamblisti i Vetëvendosjes në Ibër-Lepenc.

Nëse mund ta takosh atë do të ishte mirë e për deputetin që mund të flas e kam bisedu me Albanin që të flas meqenëse e ka shok”, ia ktheu Veton Zogaj përgjigjen deputetit.

Dosido do e takoj atë, por edhe Albani është si shoku i tij për këto çështje. Jo rastësisht janë shokë”, përfundoi përgjigja e fundit e deputetit Gani Krasniqi.

Nga burimet e veta Nacionale ka siguruar të gjitha vlerësimet që janë bërë në këtë konkurs. Në testin me shkrim, Zogaj ishte i dyti me 72 pikë. Megjithatë, rezultati u përmbys në intervistat me gojë. Aty, asamblisti i VV-së mori mbi 88 pikë. Bindshëm më shumë se të gjithë kandidatët e tjerë.

Të ngjashme