Lajme
Osmani në shërbim të Kurtit për Zajednicën që i referohet Rezolutës 1244, ofrohet të sherbejë si “çantë” për deponimin e komenteve të opozitës
Demokracia
11:57 | 07 Dhjetor 2023

Share:

“Së shpejti do t’i thërras edhe partitë opozitare në takim, që të dëgjoj, pasi që e kanë marrë edhe ata draftin, se cilat janë vlerësimet e tyre, cilat janë komentet e tyre dhe cilat janë çështjet që ata dëshirojnë që ata të sqarohen dhe do t’i inkorporoj edhe ato komente.

Natyrisht, të gjitha ato më të cilat pajtohemi dhe kemi vlerësimin e njëjtë në mënyrë që të përforcohen dhe të bashkohen zërat tanë për të gjitha ato çështje që mendojmë që të përmirësohet ky draft”.

Kjo është deklarata e Presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, e dhënë më 6 dhjetor 2023, kur është pyetur lidhur me komentet e saj për përmbajtjen e draftstatutit të Zajednicës apo Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, shkruan Demokracia.com.

Deri më tani, ky dokument që në fillim përmban skandalin e madh, pasi i referohet Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, është publikuar jozyrtarisht nga mediat e ndryshme, por vazhdon të mbahet i fshehur nga kryeministri Kurti, si bartës i dialogut në emër të Kosovës.

“Ne do të presim në momentin që ata e publikojnë drafti, nuk besoj që do të ketë ndonjë problem që të publikohen edhe komentet e institucioneve. Në momentin që dokumenti shkon në Gjykatën Kushtetuese, siç është paraparë në draftstatut, si presidente e vendit do t’i dërgojë komentet të cilat kanë për qëllim që ky draft të eliminojë disa prej këtyre paqartësive”, ka thënë Osmani.

Ky deklarim i presidentes Osmani përmban detaje të shumta, të cilat flasin për qorrsokakun në të cilin ka hyrë Republika e Kosovës, pas pranimit të Statutit të Zajednicës nga ana e kryeministrit Kurti më 21 tetor 2023, të cilin ia kanë dorëzuar 5 emisarët që përfaqësojnë ShBA-në, BE-në, Gjermaninë, Francën dhe Italinë, si dhe më 26 tetor 2023 ka shprehur gatishmëri para liderëve evropianë (Scholz, Macron, Meloni, Michel, Borrell) që të njëjtin ta nënshkruajë.

Lexo më shumë:

A kanë kuptim komentet e Kurtit për draft-statutin e Zajednicës kur ai ishte i gatshëm ta nënshkruante “edhe përkundër vërejtjeve”?

Lexo edhe këtë:

Një presidente si Vjosa Osmani | Paradite dyshon në kushtetutshmërinë e marrëveshjeve të Kurtit, pasdite kërkon presion ndërkombëtar mbi Serbinë për zbatimin e tyre

NË KËRKIM TË MBËSHTETJES NGA OPOZITA

Më 27 shkurt në Bruksel dhe më 18 mars në Ohër, kryeministri Albin Kurti me marrëveshjet e tij me presidentin serb, Aleksandër Vuçiq, ka tejkaluar Kushtetutën e Republikës së Kosovës.

Më i zëshmi për dëmet nga këto marrëveshje është deklaruar ish-kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Enver Hasani, i cili ka thënë se në Marrveshjen e Brukselit/Ohrit ka dimensione që formojnë katastrofën e Kosovës.

“Kjo nënkupton që, kurdoherë, në mes të dy vendeve do të ketë biseda për statusin e Kosovës, që nënkupton se zgjidhja e këtij statusi shkon nga federalizmi i brendshëm i Kosovës deri te federalizmi me Serbinë, ose ndonjë status tjetër asimetrik, në vartësi nga raporti i forcave në Ballkan dhe më gjerë”, ka shkruar Hasani më 27 nëntor 2023.

Lexo më shumë:

Tronditë Enver Hasani: Kryeministri duhet të dijë se Kosova do të detyrohet të ndryshojë Kushtetutën e Pavarësisë për…

Në këto rrethana, presidentja Osmani është hedhur në kërkim të mbështetjes së partive opozitare për këto marrëveshje, për të cilat opozita ka shprehur hapur kundërshtimet e saj dhe paralajmërimet për përmbajtjen e rrezikshme.

Përmes sigurimit të mbështetjes opozitare, Osmani dhe Kurti synojnë të shpërndajnë përgjegjësinë për përmbajtjen e rrezikshme të këtyre marrëveshjeve, të cilat janë rezultat i dialogimit amater 3-vjeçar të kryeministrit Kurti.

PRESIDENTJA SI “ÇANTË” PËR DEPONIMIN E KOMENTEVE TË OPOZITËS

Presidentja Osmani është vetëofruar që të shërbejë si një mbledhëse e komenteve të opozitës për draftstatutin e Zajednicës dhe që këto komente do t’i inkorporonte në listën e komenteve që tashmë ajo ka përgatitur.

Kjo gatishmëri e presidentes Osmani duket e çuditshme, pasi nëse statuti për themelimin e Zajednicës do të dërgohej në Gjykatën Kushtetuese, sipas procedurave, deputetët dhe subjektet parlamentare mund t’i deponojnë komentet e tyre në Gjykatën Kushtetuese, pa pasur nevojën që kjo të bëhet përmes një ndërmjetësuesi, në këtë rast përmes presidentes. /Demokracia.com/

Të ngjashme