Lajme
Një presidente si Vjosa Osmani | Paradite dyshon në kushtetutshmërinë e marrëveshjeve të Kurtit, pasdite kërkon presion ndërkombëtar mbi Serbinë për zbatimin e tyre
Demokracia
14:08 | 26 Nëntor 2023

Share:

Vetëm presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, mund të shpreh dyshime për kushtetutshmërinë e marrëveshjes së arritur nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe për të njëjtat t’i kërkojë bashkësisë ndërkombëtare që të bëjnë presion mbi Serbinë që ta zbatojë atë.

Kjo e bënë të domosdoshme që presidentja Osmani të largojë mjegullën që ka krijuar me deklaratat e saj dhe të sqarojë qytetarët e Kosovës se si mund të zbatohet një marrëveshje për të cilën ajo ka dilema të mëdha, shkruan Demokracia.com.

Ky qëndrim i çakorduar i presidentes Osmani, vërehet me çështjen e Marrëveshjes Bazë [Bruksel, 27 shkurt 2023] dhe Aneksit të zbatimit [Ohër, 18 mars 2023] për të cilat janë pajtuar me ndërmjetësimin e BE-së, kryeministri Kurti dhe presidenti serb, Vuçiq. Dilema të tilla, Osmani ka shprehur edhe për draftstatutin e Zajednicës së Komunave me Shumicë Serbe, të cilin e pranoi nga pesëshja e emisarëve më 21 tetor 2023, si rezultat i dialogut të tij me presidentin serb.

Vetëm një ditë pas Marrëveshjes së Brukselit, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka shprehur hapur dyshimet e saj për kushtetutshmërië e përmbajtjes së dokumentit.

“Me këtë marrëveshje, dje janë pranuar edhe disa propozime jo të lehta, që lidhen me vetëmenaxhimin e pakicës serbe në Kosovë dhe rregullimin e statusit juridik të Kishës Ortodokse Serbe. Teksti i marrëveshjes nuk i sqaron tërësisht implikimet nga këto si dhe disa çështje të tjera, të cilat duhet të sqarohen domosdoshmërisht para se të finalizohet Plani i Zbatimit”, thuhet në deklaratën e Osmanit më 28 shkurt 2023.

Osmani e quajti si koncesion “jo të lehtë” – çka thuhet në nenin 7 që e pranoi Kurti

Presidentja Osmani ka shprehur dyshimet e saj për kushtetutshmërinë e Statutit të Zajednicës, duke thënë se ka çështje që krijojnë dykuptimësi, shkruan Demokracia.com.

Osmani për draft-statutin: Ka çështje që krijojnë dykuptimësi, duhet të sqarohen patjetër

Pavarësisht qëndrimeve të saj që shprehin dyshim për përmbajtjen jokushtetuese në këto marrëveshje, është e çuditshme se si presidentja Osmani ka kërkuar vazhdimisht presionin e bashkësisë ndërkombëtare mbi Serbinë që ta detyrojë t’i zbatojë dakordimet e 27 shkurtit dhe 18 mars 2023.

“Mendoj që të gjitha përpjekjet, i gjithë presioni, angazhimi i komunitetit ndërkombëtar duhet të jetë pikërisht te [presidenti i Serbisë, Aleksandar] Vuçiqi që ato për të cilat ai është dakorduar, që në esencë përbëjnë njohje de facto të Kosovës – sepse kur ja njeh dikujt sovranitetin, kur e njeh si të barabartë në relacionet ndërshtetërore, kur ja njeh dikujt integritetin territorial, këto janë elementet shtetërore të shtetësisë. E vetmja që mungon është një letër njohjeje të cilën nuk e ka nënshkruar”, deklaronte Osmani më 22 Mars 2023.

Osmani përmend domosdoshmërinë e njohjes reciproke, por “harron” që mbështeti marrëveshjen Kurti-Vuçiq që ia lejon Serbisë të mos e njoh Kosovën

Edhe disa ditë më vonë, gjatë muajit prill, Osmani kërkonte presion mbi Serbinë që të zbatojë obligimet e saj.

“Siç e dimë neni katër i kësaj marrëveshje parasheh që Serbia nuk do të kundërshtojë anëtarësimin e Kosovës në asnjë organizatë ndërkombëtare. Sjellja e tyre të hënën në Këshillin e Evropës, por edhe lobimi i tyre kundër votimit pro Kosovës, e ka dëshmuar këtë shkelje flagrante dhe natyrisht edhe ndërhyrja e tyre e paligjshme në zgjedhjet në Kosovë, është shkelje edhe e nenit dy të kësaj marrëveshje…pra, pak a shumë kjo tregon se çfarë parashikimi mund të kemi për sjellje të Serbisë. Megjithatë unë shpresoj shumë se miqtë dhe aleatët tanë do të sigurohen që të bisedojmë gjatë kësaj periudhe, të bëjnë presion mbi Serbinë, në mënyrë që edhe ajo të respektojë obligimet që janë marrë nga ky proces”, deklaraonte Osmani më 26 prill 2023.

Osmani: Serbia shkeli në mënyrë flagrante Marrëveshjen e Ohrit, aleatët të rrisin presionin

Më së fundmi kur presidentja e vendit, Osmani, ka kërkuar që të bëhet presion mbi Serbinë për të zbatuar marrëveshjet, është takimi i saj me Sekretarin e NATO-s, Jens Stoltenberg më 20 nëntor 2023. Sipas saj meqë Beogradi zyrtar, është e vetmja adresë nga e cila nuk zbatohen marrëveshjet e arritura në Bruksel.
“Adresa e presionit duhet të jetë Beogradi. Sepse arsyeja që nuk zbatohen marrëveshjet, është Beogradi. Ne presim që partnerët tanë të ushtrojnë presion mbi Beogradin. Nëse injorohet fakti që Serbia po mohon marrëveshjet, atëherë nuk pres dialog të mirëfilltë”, ka kërkuar Osmani. / Demokracia.com /

Të ngjashme