Lajme
A kanë kuptim komentet e Kurtit për draft-statutin e Zajednicës kur ai ishte i gatshëm ta nënshkruante “edhe përkundër vërejtjeve”?
Demokracia
12:54 | 23 Nëntor 2023

Share:

As vetë kryeministri Albin Kurti, i cili ka filluar procesin e themelimit të Zajednicës, nuk do të mund t’i bie në fije qëndrimeve të tij krejtësisht të çakorduara.

I tillë është edhe për çështjen e draft-statutit të Zajednicës apo Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe. Më 24 tetor, Kurti i ka dërguar vërejtjet për draft-statutin e Zajednicës, por dy ditë më vonë, më 26 tetor, ai ishte i gatshëm ta nënshkruante “edhe përkundër vërejtjeve”, shkruan Demokracia.com.

“Më datën 21 tetor erdhi pesëshja e emisarëve, e cila erdhi për draft-statutin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, dhe aty me 24 tetor, unë ua dërgova vërejtjet për atë draft-statut. Është e qartë se ai draft-statut është pakrahasimisht më i avancuar se siç kanë qenë në 2013 e 2015”, ka thënë Kurti në ATV më 14 nëntor 2023.

Por, pavarësisht këtyre vërejtjeve, Kurti ka deklaruar në këtë intervistë se ai ishte i gatshëm që më 26 tetor, dy ditë pas dorëzimit të vërejtjeve, ta nënshkruante me presidentin serb Alekasandar Vuçiq, përfshirë edhe draft-statutin për Zajednicën.

“Mua kur mu tha që është e rëndësishme të bëhet sa më shpejt normalizimi, unë thash le ta bëjmë sonte. Pra, edhe marrëveshja bazike, edhe aneksi i zbatimit, po e fusim edhe këtë draft-statut, përkundër vërejtjeve të mija, por ato le të nënshkruhen, sepse unë konsideroj që vetëm nënshkrimi është garancion për pranim të marrëveshjes që më pastaj edhe zbatohet”, ka bërë të ditur Kurti.

Ai është deklaruar i ashpër kur i është thënë nëse po e zvarritë procesin e themelimit të Zajednicës dhe përgjithësisht zbatimin e Marrëveshjes Bazë [Bruksel, 27 shkurt 2023] dhe Aneksit të zbatimit [Ohër, 18 mars 2023].

“Unë nuk mund ta pranoj asnjëherë akuzën për zvarritje. Kosova ka qenë konstruktive, kreative e përkushtuar prej fillimit. Unë kam thënë le të nënshkruajmë me 27 shkurt në Bruksel, kam thënë le të nënshkruajmë me 18 mars në Ohër dhe tash së fundmi le të nënshkruajmë me 26 tetor në Bruksel. Unë nuk zvarris kurrë”, reagoi Kurti më 14 nëntor.

Kryeministri Kurti është në ballë të procesit, jo duke e kundërshtuar, por duke prirë në rrugën për themelimin e Zajednicës. Me Marrëveshjen Bazë [Bruksel, 27 shkurt 2023] dhe Aneksin e zbatimit [Ohër, 18 mars 2023], Kurti tani si kryeministër është dakorduar me presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiq, për “të siguruar një nivel të duhur të vetëmenaxhimit për komunitetin serb në Kosovë” dhe për zyrtarimin e “statusit të Kishës Ortodokse Serbe në Kosovë (Neni 7)” dhe për zbatimin “e të gjitha marrëveshjeve të kaluara të dialogut, të cilat mbeten të vlefshme dhe detyruese (Neni 10)”.

Gjatë muajit tetor të këtij viti, dialogu Kosovë – Serbi ka marrë një rrugë të re. Kryeministri Kurti ka filluar procesin e themelimit të Zajednicës apo Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe.

Më 21 tetor 2023, Kurti ka pranuar edhe draft-statutin për Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe, të cilin ia kanë dorëzuar 5 emisarët që përfaqësojnë ShBA-në, BE-në, Gjermaninë, Francën dhe Italinë, si dhe më 26 tetor 2023 ka shprehur gatishmëri para liderëve evropianë (Scholz, Macron, Meloni, Michel, Borrell) që të njëjtin ta nënshkruajë.

“Kryeministri Kurti rikujtoi që ai ishte i gatshëm të nënshkruajë edhe në Bruksel më 27 shkurt 2023, edhe në Ohër më 18 mars 2023, edhe sonte, më 26 tetor 2023, duke theksuar që pikërisht Samiti i Këshillit Evropian në Bruksel është ngjarja e duhur, në vendin e duhur për nënshkrim të Marrëveshjes Bazike, përfshirë edhe draftin e ofruar nga BE-ja dhe ShBA-të për zbatimin e nenit 7 në ndërlidhje të nenit 10 të Marrëveshjes Bazike”, thuhet në njoftimin e Qeverisë së Kosovës të datës 26 tetor 2023. /Demokracia.com/

Lexo më shumë: https://demokracia.com/si-e-zbuloi-rastesisht-albin-kurti-se-rezultat-i-dialogut-te-tij-eshte-neni-7-per-vetemenaxhimin-e-serbeve-dhe-zyrtarizimin-e-statusit-te-kishes-ortodokse-serbe/

Lexo edhe këtë: https://demokracia.com/kryezajednicari/

Të ngjashme