Lajme
Opozita mobilizohet që të votojë nesër pro tërheqjes së 30 përqindëshit nga Trusti Pensional
Demokracia
17:44 | 18 Janar 2023

Share:

Projektligji për lejimin e tërheqjes së 30% të mjeteve nga Trusti Pensional i Kosovës do të shqyrtohet të enjten si pikë e tretë e rendit të ditës në seancën plenare të Kuvendit të Kosovës. Grupet parlamentare opozitare kanë shprehur unitet në votimin pro të tij, ndonëse grupi parlamentar i VV-së e ka kundërshtuar këtë nismë dhe është shprehur kundër saj.

Demokracia.com mëson se deputetët e Grupit Parlamentar të PDK-së kanë unitet të plotë për projektligjin për Trustin. Sipas burimeve, të gjithë deputetët e PDK-së do të votojnë pro tij.

Mediumi ka kontaktuar edhe me deputetin e LDK-së, Armend Zemaj, i cili ka thënë se disponimi i deputetëve të këtij subjekti politik është që të votohet për kalimin e projektligjit për tërheqjen e mjeteve financiare nga Trusti.

“Nesër kemi takim të Grupit Parlamentar, por disponimi i deputetëve të LDK-së është që duhet të votohet”, ka deklaruar ai për Demokracia.com.

Për kalimin e këtij projektligji në lexim të parë, nevojitet shumica e thjeshtë parlamentare, gjegjësisht 31 vota për dhe 61 pjesëmarrës në votim.

Edhe nga AAK-ja kanë bërë të ditur se të gjithë deputetët e këtij grupi parlamentar do votojnë për këtë projektligj, duke rikujtuar gjendjen e vështirë ekonomike si shkak i inflacionit në vend.

“Qytetarët janë në një situatë të vështirë ekonomike e sociale. Shtrenjtimi i produkteve bazike, ka shtyrë shumë familje që të përballen me vështirësi ekonomike. Nisur nga kjo situatë, AAK e konsideron të nevojshme tërheqjen e 30% të kursimeve pensionale. Deputetët e Aleancës nesër do të marrin pjesë në votim për t’i dhënë përkrahje kësaj çështjeje, me shpresë që edhe deputetët e shumicës do të reflektojnë e do ta mbështesin këtë nismë”, ka bërë të ditur zëdhënësi i AAK-së, Kushtrim Xhemaili.

Ushtruesja e detyrës së shefes së Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila ka bërë të ditur se qëndrimi i subjektit politik që përfaqëson në Kuvend është i njëjti sikurse herën e kaluar.

“Është i njëjti qëndrim nuk është çështje lëvizje ajo është çështje e parimit të ruajtjes së Trustit kështu që është i njëjti qëndrim, ai që ka qenë edhe më herët”, është deklaruar shkurt ajo.

Deputetët e pozitës konsiderojnë se nuk është e nevojshme tërheqja e parave nga Trusti, për shkak se sipas tyre, nuk duhet të preken kursimet pensionale të qytetarëve.

Pro votimit të Trustit është shprehur edhe deputetja Duda Balje, e cila ka kërkuar përkrahje më të madhe për këtë iniciativë. E njëjta ka bërë të ditur se shumica e deputetëve të grupit multietnik do votojnë pro projektligjit që lejon tërheqjen e 30 për qind të kursimeve pensionale për qytetarët.

“Kam edhe deputetë prej grupit parlamentar multietnik në të cilin unë jam pjesë, dhe jam në dijeni se shumica prej këtij grupi do të votojë për Trustin… Kemi kaluar një periudhë shumë të vështirë dhe tash është dimër, dhe në fakt ata vetë kanë vendosur me nënshkrime, dhe kjo është shenjë se ata po duan, kanë nevojë shumë për shkak të inflacionit dhe komplet gjendja financiare të shtetit”, ka thënë Balje ditë më parë.

Para disa muajve, organizatorët e peticionit për lejimin e tërheqjes së 30% të mjeteve të Trustit kanë dorëzuar në Kuvendin e Kosovës 21 mijë e 398 nënshkrimet e mbledhura. Ata janë shprehur me shpresë që Kuvendi do ta votojë projektligjin. /Demokracia.com/

Të ngjashme