Lajme
Zvogëlimi i numrit të dëshmitarëve, po vlerësohet pozitiv në procesin ndaj ish-krerëve të UÇK-së
Demokracia
20:38 | 22 Maj 2024

Share:

Zyra e Prokurorit të Specializuar ka zvogëluar numrin e dëshmitarëve të planifikuar kundër katërshes së UÇK-së. Ky ndryshim vlerësohet me ndikim pozitiv në procesin gjyqësor në Hagë.

Afër 70 dëshmitarë kanë dëshmuar në Hagë në rastin kundër katër ish-krerëve të UÇK-së.

Zyra e Prokurorit të Specializuar ka njoftuar se ka hequr nga lista 23 dëshmitarë, kurse për disa të tjerë në vend që të thirren për të dëshmuar në gjykatore, do t’iu lexohet dëshmia e dhënë më herët.

“ZPS nuk synon më të mbështetet në dëshmitë e dhjetë dëshmitarëve në vijim: [REDAKTUAR]. Përveç kësaj, ZPS-ja synon t’i dorëzojë me shkrim dëshmitë e trembëdhjetë dëshmitarëve në vijim, në vend që t’i thërrasë ata të dëshmojnë”, thuhet nga Zyra e Prokurorit.

Këto ndryshime në numra po vlerësohen me ndikim pozitiv në këto procese.

“Është pozitive, sepse ata me siguri i ka cilësuar Prokurori i Specializuar si jo relevante. Ndërkaq, sa i përket 13 dëshmitarëve tjerë që potencohet se ata nuk do të dëgjohen por do të lexohen si dëshmi deklaratat e tyre, konsdieroj se për këtë duhet të vendos Gjykata, pasi që për këtë do ta jap mendimin e vet edhe mbrojtja edhe vet të akuzuarit, se a është e nevojshme që këta dëshmitarë që nuk janë marrë në pyetje as nga ata as nga mbrojtja e tyre, në mënyrë që t’iu jepet mundësia të akuzuarve dhe mbrojtjes së tyre që t’i kundërshtojnë dëshmitë e tyre përmes marrjes në pyetje në mënyrë të tërthortë”, vlerëson avokati Skender Musa.

Si pasojë e ndryshimit të numrit të dëshmitarëve, vjen dhe zvogëlimi i kohëzgjatjes së procesit.

“Po punohet që ky proces të përfundohet në kohë më të shpejtë se sa ishte planifikuar. Ajo që mund të themi si IKD, gjatë monitorimit tonë e kemi vërejt që Prokuroria do të vazhdojë të punojë në reduktim të numrit të dëshmitarëve që synon të thërras në këtë proces gjyqësor. Mirëpo, çdo veprim i secilës palë që bëhet me qëllim të shkurtimit të afatit kohor për t’u kryer ky proces gjyqësor, nuk duhet të ndikojë dhe të ketë si pasojë që ky proces të jetë jomeritor”, ka thënë Blendina Veliqi nga Instituti i Kosovës për Drejtësi.

Ndryshime shtesë në numrin e dëshmitarëve, ZPS ka njoftuar se mund të ndodhin gjatë muajve të ardhshëm.

Të ngjashme