Lajme
“Nuk është momenti të diskutojmë sot…” | Pasi e shpalli të vdekur, Gërvalla lë të hapur mundësinë e ringjalljes së Asociacionit
Demokracia
11:58 | 07 Tetor 2023

Share:

Pas kryeministrit Albin Kurti, edhe ministrja Donika Gërvalla – Shwarz vazhdon të shfaqet kontradiktore në qëndrimet e saj për çështje të rëndësishme të Kosovës.

Vetëm pak ditë kanë kaluar nga deklarata e kryediplomates kosovare, sipas të cilës “Asociacioni ka vdekur”, para se ajo të bënte deklaratën tjetër se “nuk është momenti të diskutojmë sot për Asociacion”.

Më 28 shtator 2023, vetëm 4 ditë pas sulmit terrorist mbi Policinë e Kosovës në Banjskë të Zveçanit nga një grup i aramtosur rëndë që u arratis në Serbi, Gërvalla – Shwarz kishte deklaruar se pas kësaj ngjarje çdo bisedë për Asociacionin ishte e tepërt dhe se ai ka vdekur, shkruan Demokracia.com.

“Të them të drejtën pas të dielës çdo bisedë për Asociacionin më duket e tepërt, se pas të dielës nuk kanë kuptim. Asociacioni ka vdekur për ne dhe ndërkombëtarët. Të koordinojmë punën e komunave në veri të Kosovës është dallim tjetër”, kishte deklaruar Gërvalla.

Gërvalla i del kundër presidentes Osmani: Asociacioni ka vdekur për ne dhe ndërkombëtarët

Por, vetëm një javë pas kësaj deklarate, ajo e ka lënë hapur mundësinë që Asociacioni të ringjallet në një moment tjetër më të përshtatshëm për të folur për të. Gërvalla u ka thënë gazetarëve në Tiranë se “nuk është momenti të diskutojmë sot për Asociacionin”.

“Në këtë situatë, që është krijuar pas 24 shtatorit, asgjë nuk mund të vijojë me avazin e vjetër. Është e pamundur, sepse ne duhet të sigurojmë sigurinë e qytetarëve. Duhet të shohim si do të sillet bashkësia ndërkombëtare në raport me Serbinë. A do ta marrë përgjigjen e merituar për agresion apo jo. Pastaj mund të vijë koha e të ulemi e të diskutojmë me qetësi. Nuk është momenti të diskutojmë sot për Asociacion”, ka thënë Gërvalla.

Mbetët të shihet se cila do të jetë deklarata kontradiktore e radhës së kryediplomates kosovare, e cila në jo pak raste ka treguar se nuk njeh as flamujt e shteteve të ndryshme, duke i ngatërruar shpeshherë në postimet e saj në rrjete sociale.

Para Gërvallës, edhe kryeministri Albin Kurti njëherë e kishte shpallur të vdekur Zajednicën apo Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe, por më pas e kishte pranuar atë duke arritur Marrëveshjen e Brukselit më 27 shkurt 2023 dhe pjesën integrale të saj, Aneksin e Ohrit të 18 marsit 2023. /Demokracia.com/

“Zajednicën e ka vrarë Gjykata Kushtetuese” | Albin Kurti shkon në Bruksel për ta ritkhyer plotësisht në jetë “projektin e Serbisë”

Zajednica, kryefjalë e marrëveshjes pa njohje me Serbinë | Si e ringjalli fuqishëm kryeministri Albin Kurti?

“Vdes” rezistenca për “Zajednicën”, si hoqi dorë Kurti nga kauza 10 vjeçare

Të ngjashme