Lajme
Zajednica, kryefjalë e marrëveshjes pa njohje me Serbinë | Si e ringjalli fuqishëm kryeministri Albin Kurti?
Demokracia
11:19 | 20 Shtator 2023

Share:

Më 29 dhjetor të vitit 2015, lideri i opozitës kosovare, Albin Kurti, kishte shpallur “Vdekjen e Zajednicës”.

Kreu i Vetëvendosjes e kishte bërë këtë shpallje vetëm pak ditë pasi Gjykata Kushtetuese kishte nxjerrë Aktgjykimin lidhur me vlerësimin e kushtetutshmërisë së parimeve për themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe.

Këtë shpallje, Kurti e kishte bërë nga arresti shtëpiak në të cilin ndodhej, pikërisht për shkak të opozitarizmit të tij të dhunshëm kundër Zajednicës, shkruan Demokracia.com.

“Unë jam i bindur që Zajdenica ka vdekur. Aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese thotë që secili nga 7 Kapitujt e Marrëveshjes Mustafa – Vuçiq, e shkelë Kushtetutën e Republikës së Kosovës në 23 Nene. Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës e ka vrarë Zajednicën. Përfundimisht e ka mbytur Zajednicën”, deklaronte Kurti në përfundim të vitit 2015, duke e interpretuar sipas dëshirës aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese.

VIDEO | Albin Kurti më 2015: Zajednica ka vdekur, ta ringjallësh do të thotë të përfundosh në nacionalizëm serb

Por, kjo Zajednicë e shpallur “e vdekur” nga opozitari Albin Kurti është rikthyer fuqishëm në dialogun Kosovë – Serbi vetëm pasi u bë kryeministër.

Duket ironike, por për themelimin e Zajednicës është pajtuar edhe kundërshtari më i madh i saj, Albin Kurti.

“Albin Zajednica”

Zajednica është bërë pjesë kryesore e Marrëveshjes Bazë në Bruksel (27 shkurt 2023) dhe e pjesës së saj integrale, në Aneksin e Ohrit (18 mars 2023) për normalizim të marrëdhënieve Kosovë – Serbi.

Për më tepër, i gjithë rezultati i 27 shkurtit në Bruksel dhe i 18 marsit në Ohër, është bërë pjesë e pandashme e proceseve të anëtarësimit të Kosovës dhe Serbisë në Bashkimin Evropian.

Në këtë mënyrë, Kurti e ka lidhur fatin e anëtarësimit të Kosovës në BE me rezultatat për zbatimin e këtyre marrëveshjeve, ku bënë pjesë edhe Zajednica.

“Palët e kanë parasysh se Marrëveshja dhe Aneksi i zbatimit bëhen pjesë integrale e proceseve përkatëse të anëtarësimit të Kosovës dhe Serbisë në BE. Palët e kanë parasysh se, menjëherë pas miratimit të Marrëveshjes dhe këtij Aneksi, ndërmjetësuesi i BE-së do të fillojë procesin për t’i ndryshuar standardet e Kapitullit 35 për Serbinë, për t’i konsideruar detyrimet e reja të Serbisë, që rrjedhin nga Marrëveshja dhe Aneksi”, thuhet në pikën 2 të Aneksit të Ohrit.

Si e lidhi Kurti përgjithmonë integrimin evropian me themelimin e Zajednicës, vetëmenaxhimin për serbët dhe statusin e Kishës Ortodokse Serbe?

Pas 27 shkurtit dhe 18 marsit, kërkesa për themelimin e shpejtë të Zajednicës është bërë kryefjalë e qëndrimeve të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe të Bashkimit Evropian, të cilët sa herë që deklarohen për dialogun, i theksojnë detyrimet që Kurti dhe rrjedhimisht Kosova i kanë marrë në Bruksel e Ohër.

ShBA dhe BE kanë fortifikuar qëndrimin e tyre edhe pas dështimit të takimit në Bruksel më 14 shtator 2023, në të cilën palët diskutuan për zbatimin e detyrimeve nga marrëveshjet e shkurtit dhe marsit 2023. Takimi, sipas BE-së, dështoi për faj të kryeministrit Kurti, i cili nuk e pranoi propozimin e BE-së, ndërsa Vuçiq po.

BE lajmërohet pas akuzave të rënda të Kurtit | Borrell e injoron keq, kërkon zbatimin e marrëveshjes “pa vonesa”

https://demokracia.com/shba-i-con-mesazh-albin-kurtit-lajcak-darkon-me-cholletin-dhe-escobarin-ne-neë-york-jemi-ne-te-njejten-linje-per-situaten-ne-ballkan/

Rikthimi i fuqishëm i Zajednicës në Marrëveshjen me Serbinë është bërë pa asnjë ndryshim. Për më tepër, kryeparlamentari Glauk Konjufca dhe njëkohësisht njeriu i dytë në Vetëvendosje, ka treguar se përpjekjet e tyre janë për të ruajtur atë që ishte arritur më herët dhe të mos tejkalohen për të keq marrëveshjet e kaluara.

“Neni 7 i Marrëveshjes së Ohrit është – se dy pjesë janë këtu njohja de facto edhe qyky Asociacioni – me mujtë Kosova, kurgjo pa e ngarku Kosovën më shumë se që ka pranu Qeveria Thaçi 2013, kurgjo ma shumë për mos me dhanë për me arritë t’i me fitu njohjen de facto. Qekjo na është dukë neve ‘deal’ (marrëveshje) e mirë”, ka thënë Konjufca.

Ringjallja e Zajednicës nuk është e gjitha çfarë ka pranuar kryeministri Kurti. Ai ka bërë edhe një kompromis tjetër, që dy të emëruarit e tij në Qeveri, zëvendëskryeministri Besnik Bisilimi dhe Ministrja e Jashtme, Donika Gërvalla, po e quajnë: kompromis të madh.

Në Marrëveshjen e Brukselit (27 shkurt 2023) dhe në Ohër (18 mars 2023) nuk flitet askund për njohjen reciproke ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Ky lëshim është pranuar publikisht edhe nga Bislimi e Gërvalla.

Më 9 shtator 2023, zëvendëkryeministri Besnik Bislimi ka deklaruar se “Serbia u pajtua me tekstin e Marrëveshjes dhe zbatimi i plotë i saj na çon në një situatë të re dhe më stabile se sa është tani… Ne e kuptojmë se nuk ka njohje formale dhe ky ishte një lëshim (koncesion) i madh i Kosovës”.

Ndërkaq, më 19 shtator 2023, ministrja Donika Gërvalla gjithashtu ka potencuar faktin se Kosova ka bërë kompromis të madh duke hequr dorë nga njohja reciproke ndërshtetërore. “Po pikërisht fakti që ne si hap të ndërmjetëm pranuam, që fillimisht të shkojmë me një marrëveshje, e cila e bën njohjen de facto dhe jo de jure të Republikës së Kosovës, është kompromisi më i madh që kemi bërë. Mirëpo, ndërkohë, nuk është që kemi parë ndonjë vlerësim të këtij kompromisi që kemi bërë, gjë që na përforcon në qëndrimin tonë që duhet të jemi tejet të kujdesshëm me premtimet që japim dhe me marrëveshjet, me përmbajtjen e tyre dhe me garancitë e ndryshme që jepen rreth këtyre marrëveshjeve”. /Demokracia.com/

Të ngjashme