Lajme
“Vdes” rezistenca për “Zajednicën”, si hoqi dorë Kurti nga kauza 10 vjeçare
Demokracia
13:25 | 02 Shkurt 2023

Share:

Fillimisht e emërtuan “Zajednicë” me gjuhën e armikut për ta distancuar si “trup të huaj” nga gjuha amtare marrëveshjen për Asociacionin e Komunave me shumicë serbe, hodhën gazlotsjellës që të mos lejohej votimi i marrëveshjes ndërkombëtare të arritur në Bruksel, e quajtën kancer, e shpallën të vdekur dhe kërkuan që të mos ringjallet dhe krejt në fund u ulën të negociojnë me shoqërim të një gote verë themelimin e “Zajednicës” në mesnatë– historia e Lëvizjes Vetëvendosje që po të tregohej si tregim për vënie në gjumë do të tingëllonte e lezetshme, mirëpo jo si rrugëtim politik.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, gjatë ditës së enjte në Kuvendin e Kosovës ka deklaruar se ka pranuar ‘Zajednicën’.

Kurti paraqiti gjashtë parakushte për themelimin e “Zajednicës”, një nga këto të jetë në përputhje me Republikën e Kosovës.

“Asociacionim i komunave i dalur në parim nga marrëveshja Thaçi-Daçiq, si një mekanizëm i tillë nga Kosova mund të konsiderohet me këto kushte: Asociacioni duhet të jetë në përputhje me Kushtetutën dhe ligjet në fuqi të Republikës së Kosovës; Nuk mund te jetë monoetnik, duhet të ndërrojë emri, nuk mund të bartë asnjë pushtet publik; Duhet të ketë reciprocitet të të drejtave cfarëdo të drejta për serbët në kosovë duhet të ketë edhe për shqiptarët në Serbi; Para vendosjes së Asociacionit, duhet të shuhen strukturat ilegale në veri dhe armët ilegale duhet të dorëzohen; Asociacioni mund të jetë pjesë e marrëveshjes finale vetëm pas njohjes reciproke me ç’rast Serbia t’i ketë pranuar parimet e kartës së OKB-së; Dhe e fundit, Vuçiqi të tërheq letrat mosnjohëse që ka dërguar ndaj pesë shteteve të Bashkimit Evropian”, tha më pas Kurti në fjalën e tij.

Ndërsa, në tavolinën me emisarin e BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, lideri shpirtëror i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, bashkë me nënkryetarin e kësaj partie, Besnik Bislimi, po përcjellej me gotë verë të bardhë dhe speca me mazë negocimin për progresimin e “Zajednicës”, shkruan Demokracia.com.

Emisari i BE-së kishte bërë të ditur se u pajtua në mesnatë me dy funksionarët e VV-së që të gjitha marrëveshjet e arritura në Bruksel të zbatohen.

“Ne gjithashtu ramë dakord që të gjitha marrëveshjet e kaluara të dialogut duhet të zbatohen plotësisht”, deklaroi ndër të tjera Lajçak.

Dikur më i zëshmi i VV-së, mbrëmë u pajtua të negocionte që t’ia prente njërën nga gjymtyrët Kosovës. Të paktën, kështu e poetizonte gjuhësisht dikur Albini opozitar çështjen e “Zajednicës”.

“Thaçi na i solli dy të këqija të mëdha dhe sot na thotë zgjidhni njërën. Ose ‘Zajednicën’, ose shkëmbimin e territoreve. Kjo është si ta marrësh njeriun e shëndoshë e t’i thuash zgjidh, a po don me ta pre dorën apo këmbën? Asnjërën nuk duam me na i pre! I duam të gjitha gjymtyrët, na duhet edhe dora edhe këmba. Nuk është luks të duash të ruash gjymtyrët e tua”, deklaronte Kurti më 2018-ën.

Lideri shpirtëror i Vetëvendosjes, i cili sot është kërrusurlugën e buldozerit amerikan Gabriel Escobar, dikur i arsyetonte edhe mjetet e dhunës që të ndalohej themelimi i “Zajednicës”. Ai thoshte se gazi lotsjellës në Kuvend zgjat 30 minuta, por Asociacioni 30 vjet.

“Gazi lotsjellës zgjatë 30 minuta, Zajednica do të zgjasë 30 vite”, deklaronte Kurti dikur.

Duke i bërë prerjet si me thikë, Vetëvendosje na tregonte se çka do të ndajë “Zajednica” nga Kosova dhe çka do të ketë nën kontroll.

Përpara zgjedhjeve të tetorit të 2019-ës, Kurti joshte votuesit potencial duke e shpallur të vdekur “Zajednicën” dhe duke thënë se edhe Serbia e di që ajo nuk kalon.

“Gjykata Kushtetuese ka thënë që 23 nene të Kushtetutës shkelen nga marrëveshja e asociacionit. Ai asociacion ka vdekur. Këtë e di dhe Serbia. Pako e Ahtisarit ka qenë e gabuar”, shprehej Kurti.

Me çështjen e “Zajednicës”, Vetëvendosja gllabëronte përveç arenës politike edhe atë sportive. Vetëvendosja, që nuk njihte simbolet kombëtare e as Kombëtaren e Kosovës në futboll, lëshonte dronin “Jo Zajednicë” midis Prishtinës pas korrjes së suksesit të Kombëtares së Shqipërisë në “Euro 2018”.

Përpjekjet e fundit që ta shteronin “Zajednicën” si kartë politike nga Lëvizja Vetëvendosja u bënë nga lideri shpirtëror i saj dhe të strehuarit e pushtetit pas fitores plebishitare.

Kurti nëpër intervistat e dhëna në mediat ndërkombëtare insistonte se nuk do të lejonte Asociacion “një-etnik”, Bosnjëzim të Kosovës dhe përmendte Planin e Ahtisaar-it që u gëzon të drejta të mëdha pakicave.

Në anën tjetër, e strehuara e VV-së në karrigen e presidentit, Vjosa Osmani, insistonte në mos-formimin e “Zajednicën”, duke e quajtur atë si një “Republika Srpska të dytë”.

“Nëse lejojmë Asociacionin Serb të Qyteteve dhe Komunave në Kosovë, kjo do të ishte vetëm faza paraprake për Serbinë për një Republika Sprska të dytë”, thotë Presidentja Osmani-Sadriu. Ne nuk duam një shtet tjetër që nuk funksionon si Bosnja dhe Hercegovina”, deklaronte ajo.

Edhe e strehuara tjetër nga “Lista Guxo” në pozitën e kryediplomates pak ditë më parë e shpalli Asociacionin të vdekur, i cili ishte më i gjallë se kurrë në tryezat ndërkombëtare.

Përkundër njoftimeve sporadike mortore të Lëvizjes Vetëvendosje për “Zajednicën”, ajo është më e gjallë se kurrë. Diplomacia amerikane insiston në themelimin e saj dhe do të fillojë të mbajë takime me njerëz afër Kurtit për këtë çështje.

Buldozeri amerikan ka bërë të ditur se do ta themelojë “Zajednicën” edhe pa Kurtin.

Kurti e ka zhvendosur “Zajednicën” si prioritet dhe njohjen reciproke me Serbinë në fund të pusit/Demokracia.com/

Të ngjashme