Lajme
DOKUMENTE | Pasi i pa ofertat për furnizim me ushqim të bufesë, MINT e mbyll krejt: S’ka kushte higjienike
Demokracia
11:06 | 07 Maj 2024

Share:

Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë (MINT), e cila drejtohet nga Rozeta Hajdari, e ka mbyllur përkohësisht bufenë ku ushqeheshin stafi i ministrisë, shkruan Demokracia.com.

Më 27 shkurt të këtij viti, MINT kishte vendosur që të lidh kontratë me një kompani, e cila do të bënte furnizimin e bufesë së tyre me pije të ngrohta, të ftohta dhe me ushqim – katër lloje të sandviçit dhe sallatës. Këto produkte do të mund të bliheshin nga stafi i ministrisë me një çmim më të lirë sesa te operatorët e tjerë në kryeqytet.

Por, pas dy muajsh ose në kohën kur ishin hapur ofertat dhe duhej të shpërblehej një kompani, ministrisë i ra në mend se nuk ka ventilim të mjaftueshëm në bufe dhe kushte higjienike. Kësisoj e anuloi krejt procedurën e prokurimit.

Pesha e tenderit ka qenë 25 mijë euro dhe ai quhej “Shërbimet e bufesë për nevojat e MINT”.

Në këtë tender kanë garuar dy operatorë, kompania N.H.T “Edukimi” nga Prishtina, me çmimin për njësi 5.11 euro dhe “Shqiponjabfb” nga Drenasi me çmimin për njësi 6.07 euro. Kriter për dhënie të kontratës ka qenë çmimi më i lirë.

“Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë – anulon këtë procedurë të prokurimit me arsyetimin se nuk ka kushte elementare Higjieno Teknike – Sanitare, përfshirë këtu edhe ajrimin për funksionimin e bufesë dhe ofrimit të shërbimeve sipas specifikacionit teknik, ndërsa për procesin e ri do të ju njoftojmë ditëve në vijim”, thuhet në arsyetimin e anulimit të këtij tenderi, të cilin e ka parë Demokracia.com.

Anulimi i procedurës së prokurimit me një arsyetim të tillë, në fazën kur janë hapur ofertat dhe po bëhej vlerësimi i tenderit është në kundërshtim me Ligjin e Prokurimit Publik. Kjo për faktin se një arsyetim i tillë mund të përdoret vetëm para se të hapën ofertat dhe LPP-ja ka paraparë hapa të qartë se në cilën fazë e me çfarë arsyetimi mund të bëhet anulimi i një procedure të tillë të prokurimit. Ky arsyetim çon në dyshimet se ministrisë mund të mos i ketë pëlqyer operatori ekonomik, i cili mund të kishte dalë fitues. Por, çuditërisht, asnjëri prej operatorëve nuk ka bërë ankesë lidhur me vendimin e ministrisë. /Demokracia.com/

Të ngjashme