Lajme
NSC e ShBA-së insiston që kryetarët veriorë të punojnë nga lokacione alternative
Demokracia
20:33 | 31 Maj 2023

Share:

Zëdhënësi i Këshillit të Sigurisë Kombëtare (NSC) në ShBA, John Kirby, ka folur për situatën në veri të Kosovës.

Në një brifing me gazetarë në Shtëpinë e Bardhë, siç raporton Klankosova.tv, Kirby është pyetur në lidhje me komentin e kryeministrit Albin Kurti pas vendimit të ShBA-së për sanksione ndaj Kosovës.

ShBA-ja njoftoi dje se e ka përjashtuar FSK-në nga ushtrimi “Defender Europe 2023”, si dhe do të anulojë vizitat ndërshtetërore mes Kosovës dhe ShBA-së. Po ashtu, edhe lobimi amerikan te shtetet mosnjohëse me gjasë do të pushojë. Krejt kjo si pasojë e vendimit të qeverisë për t’i dërguar kryetarët e tri komunave veriore me polici nëpër ndërtesat komunale, gjë për të cilën ShBA-ja e ka këshilluar Kurtin që të mos e bëjë.

Kurti ndërkaq, për mediumin “Politico”, tha sot se vendimi i SHBA-së ndaj vendimit të Kosovës është “i tepruar”.

“Ne kemi një ndryshim të vogël në qasje – dhe mendoj se të menduarit për sanksione kundër Kosovës duket joproporcionale dhe e padrejtë”, tha Kurti në një intervistë në margjinat e konferencës GLOBSEC në Bratislavë. “Isha i befasuar”, shtoi ai, duke e karakterizuar përgjigjen amerikane si një “reagim të tepruar”.

Por Kirby tha se nuk e ka dëgjuar reagimin e kryeministrit të Kosovës, por shtoi se reagimet e mëhershme të zyrtarëve të ShBA-së vlejnë ende.

“Nuk i kam parë komentet e kryeministrit, por he do t’i përsëris reagimet tona se të gjitha palët duhet të ndërmarrin veprime të menjëhershme për depërshkallëzim. Dënojmë fuqishëm sulmet e djeshme ndaj trupave të KFOR-it. Këto sulme, që lënduan disa paqeruajtës, janë absolutisht të papranueshme. Kryeministri Kurti dhe Qeveria e Kosovës duhet të sigurohen që kryetarët e zgjedhur t’i kryejnë detyrat e tyre nga lokacione alternative jashtë ndërtesave komunale dhe t’i largojnë forcat policore nga afërsia”, tha Kirby.

Në fund, ai tha se ShBA-ja dëshiron të shohë situatë të depërshkallëzuar dhe që dhuna të ndalojë.

“Ky është reagimi ynë. Mendoj se është e vështirë të mendohet se kjo është hiperbolike në çfarëdo mënyre”, tha Zëdhënësi i Këshillit të Sigurisë Kombëtare të ShBA-së, John Kirby, ndaj komentit të Kurtit për “reagim të tepërt”.

Të ngjashme