Lajme
IKD: Kuvendi zhvilloi punime në tre raste pa e miratuar rendin e ditës
Demokracia
12:18 | 26 Prill 2024

Share:

Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD), me përkrahje të Rockefeller Brothers Fund (RBF), sot, organizoi konferencë për media, në të cilën u publikua raporti, “Kuvendi i dështimeve: Raport i monitorimit të punës së Kuvendit të Kosovës për vitin 2023.”

Ky raport përfshin gjetjet, vlerësimet dhe rekomandimet si rezultat i monitorimit sistematik të bërë në Kuvendin e Kosovës.

Hulumtuesi i lartë nga Instituti i Kosovës për Drejtësi, Naim Jakaj, gjatë kësaj konference tha ser Kuvendi i Kosovës zhvilloi punime në tre raste pa e miratuar rendin e ditës. Ai shtoi se IKD ka gjetur se kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, ka interpretuar gabimisht Rregulloren e Kuvendit për mos fillimin dhe mbajtjen e një seance të jashtëzakonshme për arsye se në sallë nuk ishin të pranishëm 61 deputetë.

“Sa i përket respektimit të procedurave në pajtim me rregulloren e Kuvendit, IKD gjen se në tre raste Kuvendi i Kosovës zhvilloi punime pa miratuar rendin e ditës në seancë plenare, për arsye se ky rend i ditës nuk u votua në Kryesinë e Kuvendit në mungesës të kuorumit”, tha ai.

IKD, pos tjerash, vlerëson se kuorumi në seancë plenare është i domosdoshëm dhe i patejkalueshëm për votimin e projektligjeve dhe akteve të tjera të Kuvendit, por kuorumi nuk duhet të jetë pengesë për zhvillimin e debatit parlamentar, veçanërisht kur ajo është e thirrur nga 1/3 e deputetëve të Kuvendit të Kosovës, bashkësi deputetësh që me Kushtetutë kanë të drejtën e propozimit edhe të amendamenteve kushtetuese./RTK/

Të ngjashme