Lajme
DOKUMENT | Kurti kishte dalë t’i vetëdijesonte qytetarët që të mos përdornin qese të plastikës, “Telekomi” s’ia vetë letrat dhe i blen mijëra copë
Demokracia
12:44 | 26 Prill 2024

Share:

Ligji ka obliguar që qeset e plastikës për një përdorim të shpërndahen me pagesë për të gjithë ata që nuk kanë një strajcë ose qese të letrës me vete. E gjithë kjo me qëllimin e uljes sa më shumë të përdorimit të tyre, por institucionet publike vetë po shërbejnë si shembulli më i keq për qytetarët, pasi po organizojnë edhe tendere për blerjen e tyre, shkruan Demokracia.com.

Në vitin e kaluar ka hyrë në fuqi Udhëzimi Admistrativ (QRK) nr 07. 2023 për ambalazhin dhe mbeturinat e ambalazhit. Aty janë bërë të qarta direktivat se në një afat kohor, qeset e plastikës duhet të zhduken nga përdorimi.

“Blerje e Qeseve plastike kualitative”. Kështu quhet tenderi i vlerës minimale që ka realizuar Ndërmarrja Publike “Telekomi i Kosovës”, e cila është nën menaxhimin e Qeverisë.

Për blerjen e 5000 qeseve që e mbajnë logon e Valës, ndërmarrja ka kontraktuar kompaninë private “Ndërmarrja Tregtare Grafike Blendi O.P”, në një vlerë prej 590.00 euro.

Kjo kompani dhe shumë të tjera në Kosovën shesin edhe qese të letrës, por Telekomi parapëlqeu ato prej plastikës.

Në vitin e kaluar, kryeministri Albin Kurti kishte dalë edhe në terren për të promovuar zvogëlimin e përdorimit të qeseve të plastikës.

Ai kishte vizituar disa lokale për të promovuar zvogëlimin e qeseve të plastikës.

Gjatë vizitës në disa markete në Prishtinë, Kurti kishte kërkuar nga qytetarët që t’i thonë jo qeseve të plastikës, duke shtuar se qytetarët kur dalin në market le t’i marrin torbat me vete.

“Shumë qese të panevojshme plastike janë shndërruar në mbeturina që në mënyrë masive kanë ndotur ambientin. Prandaj, shpresoj në bashkëpunimin e juaj me këtë udhëzim të ri administrativ, me këtë fushatë t’i themi jo qeseve të plastikes… I falënderojmë shumë për bashkëpunimin pronarët dhe menaxherët e dyqaneve, që ta zbatojnë me pikmëri Udhëzimin Administrativ dhe ftojmë qytetarët që kur të shkojnë ne dyqane të blejnë në vetëshërbim, me vete t’i marrin torbat”, kishte thënë Kurti.

Ndikimi kryesor i qeseve në mjedis, sipas shkencës është se duhen shumë vite që ato të dekompozohen. Përveç kësaj, kur qeset e plastikës shkatërrohen nën rrezet e diellit, në tokë lëshohen substanca toksike.

Përfaqësues të organizatave joqeveritare që merren me mbrojtjen e mjedisit shpeshherë kanë shprehur shqetësimin se qeset e plastikës, që shfrytëzohen për mbajtjen e produkteve ushqimore, hidhen më pas në çdo vend, në rrugë, në parqe, në lumenj.

Bashkimi Evropian, nga korriku i vitit 2021, ka fuqizuar direktivën që ndalon plastikën për një përdorim.

Produktet e plastikës për një përdorim përfshijnë: pjatat, gotat, shkopinjtë për pirje dhe ato qese që, sipas BE-së, shndërrohen në mikroplastikë dhe mbeten gjatë në mjedis.

Këto plastika, sipas vlerësimeve të BE-së, përbëjnë rreth 70% të mbeturinave detare në Evropë.

Qëllimi përfundimtar i BE-së është që deri në vitin 2030, çdo plastikë e mbetur të jetë e ripërdorshme ose e riciklueshme. /Demokracia.com/

Pjesë nga UA nr 07. 2023:

Të ngjashme