Lajme
Një vit dialog me Serbinë në Bruksel, Kurti negociator i dobët
Demokracia
19:49 | 22 Mars 2022

Share:

Albin Kurti i bëri një vit prej kur e ka marrë drejtimin e Qeverisë së Kosovës.

Para se të vinte në pushtet, Kurti kishte deklaruar se nuk do të negocionte kurrë me Serbinë.

Por, me ardhjen në pushtet, ky qëndrim u ndryshua. Kurti pranoi që të vazhdojë dialogun me Serbinë, shkruan Demokracia.com.

Pak ditë para se të vinte në krye të ekzekutivit, Kurti tha se dialogu nuk është në mesin e prioriteteve të tij qeverisëse.

“Sipas të gjitha matjeve të opinionit, dialogu me Serbinë nganjëherë janë prioriteti i gjashtë e ndonjëherë i shtati. Kurrë s’janë tri të parat. Unë duhet t’i përgjigjem qytetarëve”, kishte thënë Kurti.

“Nuk po them që s’do të merrem me atë, por nuk është prioritet as i qytetarëve dhe as i imi”, kishte shtuar ai.

Ndonëse kishte thënë se nuk e kishte prioritet, gjatë një viti në qeverisje ai në kuadër të procesit të dialogut u takua dy herë me Presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiq.

Me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian, Kurti pranoi dy herë të ulet në tavolinën e bisedimeve përballë Vuçiqit.

Takimin e fundit me Vuçiqin në kuadër të dialogut, Kurti e zhvilloi në korrik të vitit 2021.

Marrëveshja e vetme nga ky takim ishte ishte që bisedimet të vazhdojnë, shkruan Demokracia.com.

Si thelbin e problemeve në raportet mes Kosovës dhe Serbisë, njëjtë sikur edhe krerët e institucioneve më herët, Kurti e sheh mungesën e njohjes mes dy vendeve.

“Thelbi i raporteve është njohja e ndërsjelltë – Serbia duhet ta njohë Kosovën e Kosova Serbinë. Paqe dhe siguri, e jo vetëm fjala stabilitet. Arsyeja pse nuk e kemi nënshkruar sot këtë dokument është që pala serbe nuk e dëshironte togfjalëshin ballafaqimi me të kaluarën”, theksoi Kurti.

E dialogun me Serbinë, ai e ka edhe pjesë të programit të tij qeverisës. Në një vit qeverisje dhe dialog me Serbinë u arrit vetëm marrëveshja për vendosjen e stickersave në targat e veturave.

Në planin e tij qeverisës, Kurti thotë se Qeveria e Kosovës është e gatshme ta njohë ndërkombëtarisht Republikën e Serbisë, nëse kjo e fundit e njeh Republikën e Kosovës dhe në veprimet dhe deklarimet e saj distancohet nga kërcënimi i Republikës së Kosovës dhe i fqinjëve të tjerë në rajon me ndërhyrje politike dhe retorikë nacionaliste e shpesh edhe raciste.

“Me partnerët e saj amerikanë dhe evropianë, Republika e Kosovës do të bëjë të gjitha përpjekjet për të arritur njohjen e ndërsjelltë mes Republikës së Kosovës dhe Serbisë, të mirëmbajë raporte normale të bazuara në parimin e shëndoshë të reciprocitetit dhe të jep një kontribut të rëndësishëm për paqen, sigurinë dhe stabilizimin afatgjatë të rajonit”, thuhet në planin qeverisës të Kurtit.

Ndonëse në plan e kishte që për dialogun të bashkëbisedojë me opozitën, këtë ai nuk e ka bërë deri më tani.

“Me opozitën do të bashkëbisedojmë rregullisht për të ndërtuar konsensus nacional në përgjithësi sa i përket politikës së jashtme, e në veçanti për raportin me Serbinë. Qeveria e Kosovës do të marr pjesë në dialogun me Serbinë me parime të qarta dhe me qëllimin që marrëveshja finale, përveç çështjeve ndërshtetërore, do të përfshijë edhe njohjen reciproke mes shteteve, njohjen nga pesë vendet e mbetura të BE-së dhe anëtarësimin në OKB./ Demokracia.com/

Të ngjashme