OpEd
“Nëse nis lufta, ata do të sulmojnë fillimisht këtu”, ja se si po përgatitet Letonia për t’u bërë ballë rusëve
Demokracia
16:04 | 31 Janar 2022

Share:

Nga Charlie Duxbury “Politico.eu”

Përshkallëzimi i ri i tensioneve midis Rusisë dhe Ukrainës, dhe lëvizjet e trupave ruse në Bjellorusi, kanë shkaktuar drithërima tek fqinjët e saj të vegjël në rajonin e Baltikut. Në periferinë e Daugavpils, një qytet letonez afër kufirit rus dhe atij bjellorus, majori i ushtrisë letoneze Aivars Dringis, viziton kampin stërvitor që ka nën mbikëqyrje, duke u siguruar që rrugët të jenë të pastra pas reshjeve të fundit të dëborës.

Për momentin situata është e qetë, por duke nisur nga data 1 shkurt grupi i fundit i rekrutëve që do t’i bashkohet Gardës Kombëtare të Letonisë që do të jetë këtu në një stërvitje 3-javore për të mësuar bazat e luftës. Shtëpia e tyre do të jenë 2 çadra të mëdha në një vend të hapur.

“Këta djem do të jetojnë këtu, ndaj e gjitha kjo do të jetë një përvojë e re për ta”- thotë Dringis, duke pastruar akullin nga pjesa e brendshme e njërës prej tendave. Këtë javë temperaturat ranë disa gradë nën zero, dhe stuhitë e dëborës ishin të zakonshme. Por tendat janë të pajisura me energji dhe ngrohëse.

“Ne do ta ndezim ngrohjen në kohën e duhur. Nuk duam që t’i trembim ata”- shton ai.

Kampi i quajtur “Meža Mackeviči”, është rikonstruktuar gjatë muajve të fundit. Këtu janë planifikuar të ndërtohen poligone të reja qitje, rrugë dhe një urë.

Përmirësime të ngjashme të infrastrukturës pritet të kenë edhe zona të ndryshme stërvitore në lindje të Letonisë dhe Garda Kombëtare synon të zgjerohet nga rreth 8.300 anëtarë që ka aktualisht në rreth 12.000. Të mërkurën, presidenti letonez Egils Levits u bëri thirrje bashkëqytetarëve të tij që të bashkohen për të “forcuar sigurinë e përbashkët të Letonisë, Evropës dhe NATO-s”.

Ministri i Mbrojtjes, Artis Pabriks,deklaroi në një intervistë se planifikon t’i propozojë qeverisë një rritje të shpenzimeve të mbrojtjes në 2.5 për qind të PBB-së nga 2.3 për qind që është aktualisht për të financuar plane të tilla si dhe përmirësime të tjera për një mbrojtje ajrore më të mirë.

Por me 100.000 trupat ruse që janë të grumbulluara deri më tani në kufijtë e Ukrainës, dhe me shumë të tjera që ndodhen në Bjellorusi, në Baltik ka një nervozizëm në rritje, por edhe një frikë se përmirësime të tilla të planifikuara nuk do të jenë të mjaftueshme.

Më shumë shqetësim po shkakton vendosja e trupave ruse në Bjellorusi, pasi ato do të jenë në një pozicion shumë të mirë për të goditur kryeqytetin e Ukrainës, Kiev. Kjo i ka forcuar parandjenjat e këqija edhe në vendet e Baltikut.

Letonia, ashtu si fqinjët e saj në Baltik, Lituania dhe Estonia, është anëtare e NATO-s, ndërsa Pabriks u ka bërë thirrje anëtarëve më të fortë të aleancës -sidomos Britanisë së Madhe dhe SHBA-së – që të dërgojnë më shumë trupa dhe pajisje në vendin e tij, për ta ndihmuar në frenimin e një sulmi të mundshëm nga ana e Rusisë.

Pasja e më shumë trupave dhe pajisjeve më të mira të mbikëqyrjes pranë kufirit, mund ta ndihmojnë Letoninë që të përballet me një nga sfidat më të veçanta të mundshme të një sulmi në kufi. Ajo duhet ta cilësojë si shumë të mundshëm një skenar të tillë.

Mos harroni se pushtimi rus i Ukrainën Lindore në vitin 2014 filloi me depërtimin e ushtarëve të maskuar pa simbole kombëtare në uniformat e tyre, të cilët u quajtën menjëherë “burrat e vegjël me uniforma të gjelbra”.

NATO ka 4 grupe luftarake shumëkombëshe me madhësinë e batalioneve në Estoni, Letoni, Lituani dhe Poloni, të cilat operojnë në terren me rotacion. “Ne i jemi mirënjohës për atë që kanë bërë deri tani. Por duke e ditur se kjo situatë do të vazhdojë gjatë edhe në të ardhmen, ne duhet të jemi më të përgatitur”-thotë Pabriks.

Në fakt, në kryeqytetet rreth rajonit të Detit Baltik, po bien këmbanat e alarmit. Edhe kryeministrja e Estonisë, Kaja Kallas, u ka kërkuar aleatëve të NATO-s të rrisin praninë e tyre në vendin e saj, duke premtuar se qeveria e saj do të rrisë ndjeshëm shpenzimet në mbrojtje gjatë 3 viteve të ardhshme.

Ministri lituanez i Mbrojtjes, Arvidas Anushauskash, u shpreh javën e kaluar se trupat ruse në Bjellorusi ishin një “kërcënim i drejtpërdrejtë” ndaj vendin e tij, që ndodhet midis Bjellorusisë dhe enklavës ruse të Kaliningradit. Dhe të frikësuara nuk janë vetëm shtetet baltike.

Suedia, e cila ashtu si Finlanda fqinje mbetet jashtë NATO-s, shtoi në fillim të këtij muaji numrin e trupave ushtarake në ishullin e saj Gotland, që ka një pozicion strategjik në Detin Baltik, Gotland. Kjo lëvizje erdhi pas vëzhgimit të një aktivitet të pazakontë detar nga ana e Marinës Ruse në ujërat aty pranë.

Po ashtu, suedezët rikrijuan së fundmi 5 regjimente ushtarake. “Strategjia e Suedisë nuk ka të bëjë vetëm me të qenit e lirë nga aleancat, por ajo duhet të mbështetet tek një ushtri vërtet e fortë”- deklaroi të martën Ministrja e Jashtme e Suedisë, Ana Lind.

Për momentin, kufiri midis Letonisë dhe Bjellorusisë duket i qetë. Rruga që lidh Daugavpils me fshatin Urbani në anën bjelloruse kishte trafik të rënduar, por vetëm nga kamionë që transportonin mallra në të dyja kahet e lëvizjes së mjeteve dhe një makinë private e çuditshme.

Në anën bjelloruse nuk shihej asnjë patrullë ushtarake apo kufitare. Por gjendja e jashtëzakonshme mbetet në fuqi në 3 fshatra kufitarë letoneze, qëkur mijëra emigrantë – kryesisht nga Iraku – filluan të mbërrijnë në kufirin Bjellorusi-Letoni në gushtin e vitit të kaluar.

Ardhjet shihen gjerësisht si një përpjekje e liderit autokratik të Bjellorusisë, Aleksandër Llukashenko për të destabilizuar Letoninë – si dhe Lituaninë dhe Poloninë, të cilat gjithashtu kanë qenë në shënjestër – dhe të sfidojnë politikën kufitare të BE-së.

Njësitë e Gardës Kombëtare Letoneze janë të vendosura përgjatë kufirit për të mbështetur rojet kufiritare. Nënkoloneli Oskars Omuls, që drejton batalionin e Gardës Kombëtare me bazë në Daugavpils, thotë se patrullat kufitare përdorin kamionçina dhe motorë me 4 rrota për të patrulluar jashtë rrugëve kryesore, në një zonë shumë shpesh moçalore ose e mbuluar me pyje të dendura.

Ai shtoi se rojet kufitare letoneze dhe bjelloruse mbajnë nën vëzhgim njëri-tjetrin, por nuk veprojnë në mënyrë agresive. Në Daugavpils, 30 kilometra larg nga kufiri, banorët më thanë se të gjithë po flasin tashmë mbi përkeqësimin e marrëdhënieve me Minskun dhe Moskën.

“Sigurisht që jemi të shqetësuar. Ne jemi shumë pranë kufirit. Nëse nis një luftë, ata do të vijnë fillimisht këtu”- thotë Kintija Xhazina, një punonjëse recepsioni 22-vjeçare.

Konflikti nuk është ndonjë gjë e re në këtë pjesë të Evropës. Një kështjellë pranë Daugavpils është ndërtuar nga sundimtari rus Ivani i Tmerrshëm në shekullin XVI-të, ndërsa kjo zonë ka qenë arenë e luftimeve të ashpra midis trupave suedeze dhe ruse gjatë Luftës së Madhe Veriore në fillimin e shekullit XVII-të.

Në shekullin XX-të, në Daugavpils ndodhën luftime të përgjakshme në të dyja Luftërat Botërore, më pas Bashkimi Sovjetik i pushtoi të tria shtetet baltike. Gjurmët e epokës sovjetike, e cila përfundoi në vitin 1991, mund të shiheshin ende në Meža Mackeviči.

Ky vend ka qenë dikur një poligon për testimin e raketave sovjetike, thotë drejtuesi i kampit Dringis, ndërsa kodrat e pyllëzuara nga njeriu aty pranë kanë edhe gropa të hapura nga predhat.

Në këtë bazë, nënkoloneli Omuls shprehet se mirëpret të vijnë më shumë rekrutë në Gardën Kombëtare, dhe shpreson që më shumë të rinj të lënë mënjanë smartfonët e tyre dhe të regjistrohen në këtë strukturë mbrojtëse. Por edhe me forcat aktuale, ai tha se njësia e tij është e përgatitur. “Ne do të luftojmë. Kjo është ajo për të cilën na paguajnë taksapaguesit letonezë, dhe kjo është ajo që presin. Ne duhet të jemi dhe do të jemi gati”- theksoi ai.

Të ngjashme
OpEd • 23 Prill 2024