Lajme
‘Nëse e vonojmë procesin mund të kemi probleme’ – Analistët: Dialogu Kosovë-Serbi të përfundojë para zgjedhjeve në PE
Demokracia
14:09 | 23 Janar 2024

Share:

Para zgjedhjeve në Parlamentin Evropian, që do të mbahen në qershor, pritet të ketë një fazë intensive për sa i përket dialogut Kosovë-Serbi. Analistët në Kosovë shpresojnë që ndryshimet politike në BE të mos ndikojnë në proceset që po kalon Kosova, derisa theksojnë se është mirë që dialogu të përfundojë në gjashtëmujorin e parë të këtij viti.

Para zgjedhjeve në Parlamentin Evropian, që do të mbahen në qershor, pritet të ketë një fazë intensive për sa i përket dialogut Kosovë-Serbi. Analistët në Kosovë shpresojnë që ndryshimet politike në BE të mos ndikojnë në proceset që po kalon Kosova, derisa theksojnë se është mirë që dialogu të përfundojë në gjashtëmujorin e parë të këtij viti.

Faktori ndërkombëtar po vazhdon të këmbëngulë që dialogu Kosovë-Serbi drejt normalizimit të ketë një përfundim para zgjedhjeve në Bashkimin Evropian, që do të mbahen në qershor të këtij viti. E analisti politik, Artan Muhaxhiri, thotë për Radio Kosovën se është mirë që sa më shpejt të përfundojë dialogu ndërmjet dy vendeve, në mënyrë që ndryshimet politike në BE pas zgjedhjeve atje, të mos ndikojnë në procesin e dialogut.

“Nëse në zgjedhjet e ardhshme në Bashkimin Evropian fitojnë më shumë vota ekstremistët e djathtë, atëherë ata do ta rrisin paparashikueshmërinë në raport edhe me dialogun Kosovë-Serbi. Prandaj, sa më shpejt të përfundojë dialogu, aq më të evitueshme do të bëhen këto probleme, pra nuk do të mund të ndikojnë ndryshimet politike në procesin e dialogut”, tha Muhaxhiri.

Ndërsa, analistja politike, Arta Tahiri-Beqa, thotë se ende nuk dihet se kush mund të jenë fituesit në zgjedhjet për Parlamentin Evropian. Megjithatë, sipas saj, Kosova duhet të bëjë kalkulimet politike, për të kuptuar se cila do të jetë pozita e Kosovës edhe pas zgjedhjeve në BE dhe ShBA.

“Me ndërrimin e akterëve politikë të Bashkimit Evropian apo edhe të SHBA-së, pikërisht është ajo frika e pozitës jo-favorizuese në të cilën shpesh mund të shihet Kosova. Mund të ketë qasje të ndryshme nga ajo e deritanishme, mund të ketë edhe pozitive, sepse nuk mund të dyshojmë gjithmonë vetëm nga ana negative. Por, gjithashtu është edhe risku që mund të jetë pjesa tjetër ekstreme, ku mund të ketë qasje pozitive ndaj Kosovës. Kjo pastaj, është kalkulimi politik që Kosova duhet ta mendojë mirë dhe të kuptojë se cilat janë skenat politike, të cilat po lëvizin për momentin në institucionet e Bashkimit Evropian, për të kuptuar paraprakisht se cila mund të jetë pozita e Kosovës pas këtyre zgjedhjeve”, tha Tahiri-Beqa për Radio Kosovën.

Edhe raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian, Viola von Cramon, ditë më parë i bëri thirrje udhëheqjes në Kosovë që të bëjë përparim në dialogun me Serbinë, përfshirë edhe formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, para se blloku evropian të mbajë zgjedhje më 9 qershor. Ajo ka shprehur shqetësimin për mbështetjen që mund të ketë Kosova në Parlamentin Evropian pas zgjedhjeve atje. Ajo tha se sondazhet kanë treguar për një rritje në Evropë të partive të djathta, e veçmas të ekstremit të djathtë.

“Mendoj se nëse e vonojmë procesin mund të kemi probleme, sepse i kemi zgjedhjet në BE në verë dhe pastaj mund të vijnë në fuqi disa individë që nuk e përkrahin shumë Kosovën dhe jam e brengosur që në fund të ditës askush nuk brengoset për dialogun”, ka thënë Von Cramon.

Të ngjashme