Lajme
Mustafa: Fondi Sovran nuk ofron asnjë vlerë të shtuar për rimëkëmbjen e ndërmarrjeve publike
Demokracia
15:17 | 16 Dhjetor 2023

Share:

Koordinatori për Financa në kuadër të Kabinetit për Qeverisje të Mirë të PDK-së, Arben Mustafa, ka reaguar pasi Kuvendi i Kosovës ka miratuar dje Ligjin për Fondit Sovran.

Ai ka bërë me dije se këtu nuk bëhet fjalë për një fond sovran të mirëfilltë.

Në profilin e tij në “Facebook”, Mustafa ka shkruar se këtu bëhet për një mekanizëm shtesë byrokratik për menaxhimin e ndërmarrjeve publike.

Në Kuvendin e Kosovës u aprovua ligji për të ashtuquajturin Fond Sovran. Po e përdori fjalën i ashtuquajtur për shkak se realisht nuk kemi të bëjmë me një fond. Fondet e suksesshme sovrane bazohen në resurse që kanë rrjedhë të vazhdueshme për të financuar fondin, si për shembull të hyrat nga nafta në disa vende. Në rastin tonë, Fondi Sovran është menduar të financohet nga fitimet e pritura të ndërmarrjeve publike”, ka shkruar ai.

Sipas tij, Qeveria e Kosovës nuk ka aftësi për shndërrimin e ndërmarrjeve publike në ndërmarrje të suksesshme.

Se sa reale janë pritjet se këto ndërmarrje do të mund të shndërrohen në ndërmarrje të suksesshme për ta financuar fondin sovran, mjafton të shihen praktikat e deritanishme të kësaj qeverie, të cilat bazohen totalisht në punësime partiake dhe subvencione nga taksat e qytetarëve për ti mbajtur gjallë këto ndërmarrje. Qeverisë së Kosovës nuk i mungon asnjë instrument i nevojshëm për t’i rimëkëmbur ndërmarrjet publike. Fondi Sovran nuk i ofron asnjë vlerë të shtuar në këtë drejtim, por vetëm se i mundëson ta centralizojë kontrollin ndaj tyre përmes një bordi të vetëm që i mbikëqyrë bordet aktuale të këtyre ndërmarrjeve”, ka shkruar Mustafa.

Të ngjashme