Barazia
Murgesha e parë me të drejtë vote në Vatikan
Demokracia
16:34 | 19 Prill 2021

Share:

Një murgeshë franceze e cila është bërë gruaja e parë që mban një pozicion me të drejtë vote në Vatikan, tha se emërimi i saj është dëshmi se mendësia patriarkale po ndryshon përderisa gjithnjë e më shumë gra marrin përgjegjësi të nivelit të lartë të vendimmarrjes në hierarkinë katolike.

Motra Nathalie Becquart tha gjatë një konference shtypi se emërimi i saj si nënsekretare në zyrën e Sinodit të Ipeshkvive të Vatikanit ishte një “sinjal i guximshëm dhe vendim profetik” nga Papa Françesku, i cili ka theksuar vazhdimisht nevojën që gratë të kenë një rol më të madh në qeverisjen e kishës, shkruan ap dhe transmeton Demoracia.com.

“Shpresoj se ky akt do të inkurajojë peshkopë të tjerë, priftërinj, autoritete fetare dhe se e gjithë kjo do të përfshijë gjithnjë e më shumë gra”, tha Becquart.

Gratë janë ankuar prej kohësh se kanë një status të klasës së dytë në Kishën Katolike, ku priftëria dhe zyrat më të larta të Vatikanit, përfshirë vetë papatin, janë të rezervuara për burrat.

Takimet, të cilat njihen si sinodë dhe zhvillohen zakonisht çdo dy ose tre vjet, kanë marrë rëndësi gjatë kohës së Francis duke pasur parasysh thirrjen e tij për një udhëheqje më të decentralizuar e të përqendruar në peshkopët vendas.

Francis ka emëruar 6 gra në pozicione të nënsekretareve në kongregacione të ndryshme të Vatikanit, por emërimi i Becquart mbart me vete një risi të veçantë dhe në një farë mënyre historike: Ajo sipas të gjitha gjasave, duke pasur parasysh gradën e saj profesionale, do të ketë të drejtën e votës në sinodin tjetër të peshkopëve.

“Një derë është hapur”, tha kreu i zyrës së Sinodit të Peshkopëve, Kardinali Maltez Mario Grech, për mediat e brendshme të Vatikanit. “Ne do të shohim se cilat hapa të tjerë mund të ndërmerren në të ardhmen.”

Ky prononcim ishte një referencë për thirrjet për të lejuar gratë eprore fetare të kenë të drejtën të votojnë mbi propozimet që kanë shqetësim të ngutshëm për jetën e kishës. Gratë fetare në fjalë lejohen të flasin dhe të marrin pjesë në debatin e peshkopëve, por nuk janë të lejuara të votojnë. /Demokracia.com/

Të ngjashme
Barazia • 18 Janar 2022