Lajme
MPJD blen vilën e një egjiptiani për Ambasadën e Kosovës në Uashington, vlera 3.5 milionë dollarë
Demokracia
16:11 | 24 Maj 2023

Share:

Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës ka blerë edhe një ndërtesë për Ambasadën e Kosovës në Uashington.

Lajmi për objektin e ri u bë i ditur nga MPJD-ja në faqen zyrtare në Facebook.

“Jemi të lumtur të ju njoftojmë se Ambasada 🇽🇰 është zhvendosur në një lokacion të ri. Nga tani, mund të na gjeni në adresën: 3612 Massachusetts Ave NW, Washington, D.C. 20007.”, ka njoftuar MPJD.

Ata në këtë postim nuk kanë treguar se a është objekt i blerë apo me qira dhe as vlerën e tij.

Mirëpo, Demokracia.com mëson se objekti i ri ambasadës është blerë rreth 3.5 milionë dollarë, nga një egjiptian.

Demokracia.com edhe më parë ka raportuar se MPJD ka nisur procedurat për blerjen e këtij objekti të Ambasadës.

Lexo edhe:

Gërvalla në kërkim të blerjes së objekteve për ambasadat në Uashington dhe Londër, Kapiti takohet me agjentët e patundshmërive

 

Ndryshe, Kosova ka blerë një vilë luksoze në mes të Londrës në vlerë 6.5 milionë funte (7.4 milionë euro), për ta zhvendosur ambasadën e saj në të.

Siç raportoi e përditshmja britanike, The Telegraph, vila që ka rreth 530 m2 hapësirë, deri tash i përkiste komedianit të njohur, Spike Milligan.

Kosova blen vilën 7.4 milionë euro për ambasadën në Londër, “pazarin” e preu ambasadori që paguan 4230 euro qira në muaj

Blerja e vilës ishte bërë krejt fshehurazi.

Demokracia.com në mars të vitit të kaluar ishte interesuar për këtë çështje, por nga ministria që drejtohet nga Donika Gërvalla nuk kishin kthyer ndonjë përgjigje.

Më 10 mars 2022, ministrja Gërvalla kishte marrë vendim për themelimin e Komisionit për Blerjen e objekteve të ambasadave në SHBA dhe në Mbretërinë e Bashkuar.

Ndërkohë, në një raport të punës së MPJD-së të cilin Demokracia.com e kishte publikuar vitin e kaluar, kishte raportuar se me çështjen e blerjes së ambasadës në Londër po merrej vetë ambasadori Ilir Kapiti./ Demokracia.com/

Të ngjashme