Lajme
Dëshmitarët e sëmurë dhe të vdekur: Gjykata Speciale pranon gjashtë dëshmi me shkrim në rastin e krerëve të UÇK-së
Demokracia
23:50 | 09 Maj 2024

Share:

Dëshmitë e gjashtë personave janë pranuar në formë të shkruar në rastin e krerëve të UÇK-së në Gjykatën Speciale të Hagës.

Lajmin e ka bërë të ditur Specialja në konferencën e fundit që e patën për media.

Arsye pse këto dëshmi janë pranuar me shkrim është fakti se dëshmitarët janë në gjendje të rëndë shëndetësore, ose dëshmitarët kanë vdekur.

“Po më 3 maj, Trupi Gjykues miratoi pjesërisht kërkesën e Prokurorisë për pranimin e dëshmive me shkrim të gjashtë dëshmitarëve të cilët nuk mund të japin dëshmi me gojë për arsye të ndryshme, përfshirë për arsye mjekësore dhe shëndetësore, si dhe për faktin që disa dëshmitarë kanë vdekur”, tha zëdhënësi i Speciales, Michael Doyle, raporton Nacionale.

Ky vendim erdhi në javën kur edhe një dëshmitar që ishte planifikuar të dëshmonte, u pranua dëshmia e tij në formë të shkruar pasi ishte në kushte të rënda shëndetësore.

“Më 3 maj, Trupi Gjykues miratoi kërkesën e Prokurorisë që një dëshmitar ta dorëzonte një pjesë të dëshmisë së tij me shkrim dhe të jepte dëshmi me gojë përmes videolidhjes, këtë të premte, më 10 maj. Gjykatësit konstatuan se kjo do të kontribuonte në kryerjen e shpejtë të procesit gjyqësor sepse shkurtonte kohën e nevojshme për dhënien e dëshmisë dhe ndihmonte mirëqenien e dëshmitarit, i cili ka probleme shëndetësore të rënda. Sidoqoftë, në seancën e djeshme gjykatësit vendosën të pranonin deklaratën me shkrim të dëshmitarit, pa u marrë në pyetje nga ekipet e mbrojtjes, sikurse ishin pajtuar palët. Për rrjedhojë dëshmia përmes videolidhjes e caktuar për këtë të premte u anulua”, tha zëdhënësi më tutje.

Fjalimi i kryegjyqtarit

Gjatë kësaj jave kryetari i trupit gjykues në Hagë, Charles Smith, mbajti një fjalë të shkurtër rreth ecurisë së procesit, ku konfirmoi se më 21 maj Prokuroria do të duhet të dorëzojë listën e redaktuar të dëshmitarëve.

Kryetari i trupit gjykues në Hagë në rastin e krerëve të UÇK-së, Charles Smith, ka mbajtur një fjalim të shkurtër para nisjes së seancës së sotme.

Ai ka bërë të ditur se deri më tash, në të gjitha formatet kanë dhënë dëshminë e tyre mbi 100 dëshmitarë. 60 prej të cilëve kanë qenë LIVE në gjykatore, kurse të tjerët me shkrim, apo me deklarata të tjera për dëshmitarët e vdekur ose që janë të sëmurë.

“Kemi pasur 60 dëshmitarë deri më tani, kemi pranuar 13 dëshmitarë sipas rregullit të caktuar, dhe deklaratat e 33 dëshmitarëve kemi pranuar që kanë vdekur ose nuk janë të disponueshëm për arsye të ndryshëm. Numri i dëshmitarëve të Prokurorisë ka qenë 105 përfshirë këto që sapo citova, trupi gjykues ka pasur 427 parashtrime për të cilat është dashur të marrin vendim, kërkesa nga palët ose vendim, dhe janë marrë 367 vendime nga trupi gjykues. Kjo është punë e përbashkët që vjen në bazë të punës në sallën e gjyqit. Punë e jashtëzakonshme”, tha kryegjyqtari Smith, raporton Nacionale.

Gjyqtari i rastit ka bërë të ditur se brenda këtij muaji, Prokuroria e Specializuar duhet ta ofrojë një numër më të redaktuar të dëshmitarëve. Në fillim, kishte pasur 320 dëshmitarë.

“Prokuroria ka thënë në fillim se do të kishte 320 dëshmitarë, e ka reduktuar numrin dhe brenda këtij muaji do të na jap një përditësim dhe shpresoj ta kenë reduktuar edhe më tutje. Dëshmitarët do të vinë në formate të ndryshme, herë me shkrim herë live”, tha gjyqtari.

Gjyqtari Smith ka deklaruar se është me interes të madh që përveç që gjykimi të jetë i drejtë, ai të jetë edhe i shpejtë.

“Para 2 javësh filluam vitin e dytë të dëshmive, në mes të dhjetorit filluam diskutimet për këtë çështje gjyqësore. Në vijim të kësaj u mbajt edhe seanca e parë për ecurinë e çështjes gjyqësore, dhe objektivi ishte të zhvillohet sa më shpejt ky gjykim. Kërkuam ndihmën e të gjithëve të realizojmë këtë objektiv. Kemi kërkuar parashtrime, kemi përshtatur procedura. Me qëllim që ky gjykim të mos jetë vetëm i drejt por efikas dhe i shpejt”, tha Smith, raporton Nacionale.

“Ka pasur shumë bashkëpunim nga të gjitha palët, dhe trupi gjykues e vlerëson këtë. Ne do të vijojmë të jemi sa më efikas dhe iu falënderoj për këtë kontribut deri më tani”, tha më tutje ai.

Smith theksoi se mbi 100 dëshmitarë kanë dhënë dëshmitë e tyre në të gjitha format.

“Ka ende shumë punë për të bërë, le të vazhdojmë të përpiqemi që gjykimi të jetë sa më i drejtë, sa më i shpejt dhe sa me efikas. Kam shpresë se do të jemi ende bashkëpunues, dhe të bëjmë punë më të mirë të gjithë ne bashkë. Sot duhet të themi që kemi pasur më shumë se 100 dëshmitarë për 1 vit, përfshirë këtu të gjitha formatet. Është çështje e ndërlikuar, avokatët, juristët, menaxhimi, përkthyesit, të gjithë kanë bërë punë të madhe”, theksoi në fund kryetari i trupit gjykues.

Në fund të majit, Prokuroria e Hagës do të dorëzojë numrin e saktë të dëshmitarëve që synon t’i ftojë në sallë për të dëshmuar.

Të ngjashme