OpEd
Moska e Pekini kanë vendosur të luajnë me rregullat e tyre të fuqisë
Demokracia
12:36 | 30 Janar 2022

Share:

Jehonat e luftës në dyert e Evropës nuk janë një zënkë. Kërcënimi që Vladimir Putin po i sjell Ukrainës është një nga çastet historikë që tregojnë se një fazë ka mbaruar e që gjithçka ka ndryshuar. Një kundër rënie e Murit të Berlinit. Ka mbaruar koha e artë e nisur me vitet ’90 të shekullit të shkuar, në të cilën Kontinenti i Vjetër ka besuar se kundërshtitë nuk do të ishin më, se demokracia do të kishte triumfuar.

Danilo Taino

Ka besuar se kultura dhe ekonomia do të kishin zotëruar gjeopolitikën e do të kishin fshirë kufijtë. Rusia e sotme paturpësisht na thotë se jemi kthyer në erën e shemërisë ndërmjet fuqive. Është viktimë Evropa, krejtësisht e papërgatitur. Nuk është vetëm Moska që na ve përballë realitetit të ri. Mënjanimi me të cilin Kina e Xi Jinpingut po trajton Lituaninë – fajtore se ka hapur në Vilnius një zyrë përfaqësie të Tajvanit – është kanarina që paralajmëron rrezikun në një minierë qymyri: shpjegon se si trajton Pekini këdo që nuk është në të njëjtën vijë të synimeve të tij; e sqaron se si do të ishte bota, Evropa në krye, nëse Kina do të merrte në dorë zotërimin e tërë Eurazisë.

Të njëqindmijë ushtarakët e rreshtuar nga Moska në kufi me Ukrainën, tanket dhe kërcënimet e mësymjes “tekniko-ushtarake” të shprehura nga Kremlini, nuk kanë arsye të qëndrojnë: askush nuk kërcënon Rusinë, askush në këtë çast mendon t’i hapë dyert e NATO-s, Kievit; vendet e Bashkimit Evropian janë gjithçka tjetër përveç se luftarakë, Shtetet e Bashkuara të Bidenit nuk kanë as vullnetin më të vogël për të hapur një ballë lufte me Rusinë. Kërcënimi ndaj Ukrainës nuk është një lëvizje mbrojtëse: është çasti që Putini haptas mendon se ka ardhur koha për të ripohuar se Rusia është një fuqi, mbas tre dhjetëvjeçarësh “poshtërimi” në vazhdim të shembjes së Bashkimit Sovjetik.

Për këtë ka kërkuar të rikrijojë zonat e influencës ruse në kufijtë, në të cilët të mos ketë vende të Aleancës Atlantike e të mos jenë rreshtuar raketat e NATO-s: shpejt Ukraina dhe Gjeorgjia, të tjera vende kufizuese në pritjen nëse veprimi në zhvillim sot i shkon mirë. Është mohimi i shëmbëllesës politike që ka mbizotëruar Evropën në vitet ‘90: që nuk ka zona të ndikimit e që çdo vend ka të drejtë të vendosë për fatin e tij e aleancat e tij. Putini thotë se ajo fazë ka mbaruar.

Kina është më larg, nuk ka çizmet në terrenin kufi me Evropën. Por, ka të gjithë qëllimet të pohojë synimet e saj edhe ndërmjet Kombeve të BE-së. Për drejtuesit e saj është e papranueshme që një vend të hapë një zyrë përfaqësie të Tajvanit, që Pekini e quan një krahinë të saj kryengritëse e cila duhet risjellë nën kontrollin e saj e t’a emërtojë pikërisht “të Taivanit”, duke lënë të nënkuptohet se e konsideron ishullin një komb edhe se nuk e njeh zyrtarisht. Pekini do të mund të protestonte, të vinte në lëvizje diplomacinë. Ndërsa, në rastin e Lituanisë, ka bllokuar eksportimet drejt Kinës; jo vetëm aq, ka kërcënuar të veprojë po ashtu edhe me të gjithë ata që eksportojnë prodhime me përbërës lituanë. Është modeli që Pekini zbaton rregullisht kur synon të “ndëshkojë” ndonjërin: nëse është një qeveri që takon Dalai Lamën, nëse i jepet një Çmim Nobel një kundërshtari kinez, nëse kritikohet shtypja e ujgurëve në Hsinkiang apo në Hong Kong e kështu e rradhë. Edhe në këtë rast, jemi në pohimin e politikës së fuqisë.

Konkretisht, kjo do të thotë se me Rusinë e me Kinën nuk mund të shtjellohen çështjet vetëm në termat ekonomikë, kulturorë, shkencorë siç ishte parësore deri pak vite më parë. Moska dhe Pekini mëtojnë të diktojnë rregullat politike. Me Putinin do të duhej të pranoheshin kërkesat tokësore e të ndikimit, duke filluar me njohjen e bashkëngjitjes së Krimesë më 2014. Me Xinë duhej të ecej si mbi lëvozhgat e vezëve për të mos ndeshur interesat e vendosura nga Partia Komuniste kineze.

Nuk kanë munguar kurrë fërkimet ndërmjet Perëndimit dhe këtyre dy vendeve të mëdha. Gjendja e re qëndron në faktin se tani, Moska e Pekini kanë vendosur të luajnë me rregullat e tyre të fuqisë e duan që bota t’u përshtatet, duke filluar nga heqja dorë prej vetëvendosjes të secilit vend. Kanë vendosur të lëvizin në këtë fazë, sepse mendojnë se Perëndimi demokratik është në rënie të pakthyeshme e në pamundësi të kundërshtojë. Në të vërtetë Perëndimi duket i pështjelluar dhe i ndarë. Bideni ka belbëzuar në mënyrë të pasigurt në mbrojtje të Ukrainës ndërsa, mbas takimit të Gjenevës të së premtes së shkuar, sekretari i tij i Shtetit, Antony Blinken, vazhdon bisedimet me bashkëbiseduesin e tij rus, Sergej Lavrov, për t’u rrekur të shmangë mësymjen e Ukrainës. Mbi çështjen BE-së luan anash, në fakt i paftuar dhe kryetari i radhës Emmanuel Macron duket i pabindur për të treguar një front të bashkuar me Uashingtonin. Kundrejt Lituanisë, vend anëtar i Bashkimit Evropian, mbështetja e ortakëve ka qenë e vakët, madje jo zyrtarisht mjaft funksionarë të Brukselit dhe politikanë evropianë kritikojnë atë që ata e quajnë aventurizëm lituan kundrejt Kinës.

Të dyja çështjet së bashku do të shënojnë hapat e mëtejshme të Moskës e të Pekinit: që mund të dalin të inkurajuar në politikat e tyre gjithnjë e më shumë pohuese apo të frenuara nga përgjigja perëndimore. Tani për tani është sigurt që kemi hyrë në një stinë të re, në të cilën konfliktet do të jenë të shpeshta, të drejtuar me mjete të ndryshme, të përzierë, në disa raste mizorë. Evropa në këtë çast është pika e rënies e Lojës së Madhe të fuqive. /Burimi: Corriere della Sera

Të ngjashme
OpEd • 23 Prill 2024